Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/7/2026 4:06:00 PM

ZKA dhe CEF thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e kapaciteteve profesionale

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e  Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, të enjten pritën në takim Udhëheqësen e Ekipit për Lidership dhe Mësim në Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), Ajda Turk dhe Zyrtarin Kryesor në CEF Robert Bauchmüller. 

Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm duke theksuar rëndësinë e programeve të përbashkëta për zhvillimin e kapaciteteve, shkëmbimin e praktikave të mira dhe mbështetjen e reformave institucionale. 

Diskutimi u fokusua te “Becoming a Learning Organization” (Shndërrimi në një organizatë e orientuar drejt të nxënit) koncept ky që përqendrohet në zhvillimin institucional dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale përmes kulturës së të mësuarit të vazhdueshëm. Programi i CEF-it përfshin gjashtë blloqe kryesore si: qeverisjen, resurset, partneritetet, ndarjen e njohurive, komunikimin, si dhe monitorimin dhe vlerësimin. 

Përfaqësuesit e ZKA-së vlerësuan se investimi në ngritjen e kapaciteteve profesionale mbetet një nga prioritetet kryesore i cili i shërben rritjes së cilësisë së auditimit dhe forcimit të rolit të ZKA-së. 

Palët shprehen gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e ZKA-së.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA mori pjesë në takimin e Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit dhe të Komitetit të Kontaktit

ZKA mori pjesë në takimin e Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit dhe të Komitetit të Kontaktit

Drejtoresha për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Qendresa Mulaj, mori pjesë në takimet e Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, dhe Komitetit të Kontaktit të mbajtur më 28 dhe 29 prill 2026 në Larnaca të Qipros.

Takimet patën për qëllim koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta si dhe shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të përgatitjes së institucioneve të auditimit për kërkesat e procesit të integrimit evropian për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE. 

Në takimin vjetor të Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit u diskutuan aktivitetet kryesore të zbatuara në periudhën 2025–2026, përfshirë Konferencën mbi Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë së Auditimit dhe programin rajonal të trajnimit për auditimin e performancës, si dhe punëtorinë mbi auditimin mjedisor dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. 

Pjesëmarrësit shqyrtuan prioritetet për hartimin e Planit të ri të Aktiviteteve të Rrjetit për vitet 2027–2028, duke identifikuar fusha me interes si digjitalizimi i auditimit, përdorimi i inteligjencës artificiale, zhvillimi i auditimeve të performancës, auditimi i investimeve kapitale dhe matja e ndikimit të rezultateve të auditimit dhe punës së ISA-ve. Po ashtu u shqyrtua edhe rëndësia e auditimit të fondeve të Agjendës së Reformave dhe gjetja e modaliteteve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në këtë temë. 

Ndërsa në takimin vjetor të Zyrtarëve Ndërlidhës të Komitetit të Kontaktit të ISA-ve të Bashkimit Evropian u diskutua për përgatitjen e takimit të Komitetit të Kontaktit për vitin 2026, zhvillimet në aktivitetet e përbashkëta të ISA-ve të BE-së, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, përfshirë raportimin mbi sundimin e ligjit dhe auditimet paralele.

Lexo më shumë
Ftesë për media-Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media-Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

 Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të prezantohet realizimi i Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 deri më tani si dhe gjetjet kryesore të 24 raporteve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë, dhe auditimeve të performancës.

Në theks të veçantë do të jetë auditimi i performancës për “Menaxhimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave nga Komuna e Prishtinës dhe KRM Pastrimit”, si dhe rezultate të tjera nga auditimet e Ndërmarrjeve Publike, Ministrive, Komunave dhe Institucioneve të tjera.

Po ashtu në konferencë do të prezantohen edhe rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025.

 

Konferenca do të mbahet:

Të hënën, 18 maj 2026

Ora: 11:00

Vendi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)

Ju mirëpresim!

Lexo më shumë