Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/26/2026 1:34:00 PM

Auditorja e Përgjithshme takoi Kryeshefin Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC)

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën priti në takim  Kryeshefin Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), Lee White, me të cilin biseduan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e auditimit dhe profesionit të kontabilitetit. 

Në fokus të diskutimeve ishte shkëmbimi i përvojave profesionale dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e standardeve të auditimit publik. Gjithashtu u diskutua edhe për raportimin për qëndrueshmërinë dhe klimën. 

Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare profesionale si IFAC në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në sektorin publik. 

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha dhe Drejtori i Departamentit të Metodologjisë, Naser Arllati. Ndërsa z. White ishte i shoqëruar nga Ekspertja për Qeverisje, Strategji dhe Zhvillim si dhe Anëtare e Komitetit për Zhvillim të Organizatave Profesionale në IFAC, Ardiana Bunjaku, Kryetarja e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) Fitore Neziri si dheDrejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK, Teuta Ukshini Aliu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA prezantoi rezultatet për 24 auditime të sezonit 2025/2026

ZKA prezantoi rezultatet për 24 auditime të sezonit 2025/2026

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën në konferencë për media prezantoi gjetjet kryesore të 24 auditimeve, prej tyre 22 auditime financiare dhe pajtueshmërisë, auditimin e performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet” si dhe Raportin e auditimit për raportin financiar vjetor të Korporatës Energjetike të Kosovës për qëllime të veçanta mbi rentën minerare të paguar për licencat për vitin 2025.  

 

Znj. Spanca tregoi se për 14 auditimet financiare dhe pajtueshmërisë ZKA ka dhënë gjashtë opinione të pa modifikuara dhe tetë opinione të kualifikuara. Ndërsa te ndërmarrjet publike janë dhënë katër opinione të kundërta dhe katër të kualifikuara.

 

Auditorja e Përgjithshme theksoi se fakti që tetë nga 10 ndërmarrje të audituara kanë marrë opinion negativ tregon që këto ndërmarrje ende nuk kanë arritur të vendosin kontrolle adekuate për raportim financiar.  

 

“Nga auditimet e publikuara deri me tani rezulton se edhe kryerja e aktiviteteve, transaksioneve dhe operacioneve tjera ende nuk është në pajtueshmëri të plotë me kornizën ligjore dhe procedurat që ndërlidhen me menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike”, deklaroi znj. Spanca.  

 

Ndërsa sa i përket raportit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet” Auditorja e Përgjithshme tha se rezultatet e këtij auditimi tregojnë se komuna nuk ka arritur të jetë efikase as efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit. Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale. Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët. 

Znj. Spanca deklaroi se institucionet publike rekomandimet e ZKA-së duhet t’i pranojnë si një kontribut serioz për përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të tyre. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara.  

 

Po ashtu në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025 si dhe foli për bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit përkatësisht rastet e dërguara nga gjetjet e auditimit, ku vetëm për vitin 2025 janë referuar 80 sosh.

 

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca në konferencën për media 

 

     

     

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme: Profesioni i auditimit mbetet kyç për transparencë, përgjegjshmëri dhe qeverisje të mirë

Auditorja e Përgjithshme: Profesioni i auditimit mbetet kyç për transparencë, përgjegjshmëri dhe qeverisje të mirë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka, mori pjesë në konferencën “25 vjet në Avancimin e Profesionit: Nga themelet drejt transformimit”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës (ShKÇAK) me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit.  

Në adresimin e saj, ajo vlerësoi kontributin e ShKÇAK-ut në zhvillimin dhe avancimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë, duke theksuar se ky jubile përfaqëson historinë e konsolidimit të një profesioni me rëndësi të veçantë për funksionimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shtoi se bashkëpunimi me ShKÇAK mbetet partneritet i rëndësishëm profesional dhe institucional, i cili kontribuon në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe ngritjen e cilësisë së auditimit në sektorin publik.

Duke folur për sfidat dhe zhvillimet bashkëkohore në profesionin e auditimit dhe kontabilitetit, znj. Spanca theksoi rëndësinë e integritetit profesional në kohën e transformimit digjital. “Integriteti është themeli dhe kapitali më i madh i profesionit tonë, sepse pa të raportet humbin vlerën, auditimi humb kredibilitetin dhe institucionet humbin besimin e qytetarëve”, deklaroi ajo. 

Auditorja e Përgjithshme ritheksoi përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për promovimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe përdorimit të përgjegjshëm të parasë publike, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe zhvillimet bashkëkohore profesionale. 

 

Lexo më shumë