Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/1/2026 9:09:00 AM

ZKA dhuron pajisje teknologjike dhe inventar për pesë shkolla

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorët e pesë institucioneve arsimore për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve teknologjike të liruara nga përdorimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të mbështetjes së shkollave dhe procesit mësimor. 

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se përmes këtij aktiviteti ZKA synon t’i ndihmojë institucionet arsimore si dhe pasuritë publike të përdorën sa më mirë. 

Pajisjet e dorëzuara përfshijnë pajisje teknologjike, inventar si dhe materiale të tjera për nevojat e institucioneve arsimore, në përputhje me kërkesat e tyre. 

Shkollat përfituese nga kjo iniciativë janë SHML “Ahmet Gashi” në Prishtinë, SHFMU “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, SHFMU “Naim Frashëri” në Prishtinë, SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit, si dhe shkolla “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës.  

Sipas marrëveshjeve, pronësia e pajisjeve kalon te shkollat përfituese pas procesit të pranim-dorëzimit dhe evidentimit përkatës, ndërsa institucionet përfituese marrin përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe përdorimin e tyre sipas destinimit të përcaktuar. 

“Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar që resurset publike të menaxhohen me përgjegjësi, integritet dhe efikasitet. Në këtë frymë, një pjesë e pasurisë jofinanciare po vihet në shërbim të shkollave, me bindjen se do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimit të përditshëm të institucioneve tona arsimore”, tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA pjesë e programit studimor në Holandë për menaxhimin dhe auditimin e fondeve të BE-së

ZKA pjesë e programit studimor në Holandë për menaxhimin dhe auditimin e fondeve të BE-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe auditoret Donjeta Dreshaj dhe Vjosë Zeqiraj morën pjesë në programin studimor me 20 dhe 21 maj 2026 në Hagë të organizuar nga Akademia Kombëtare për Financa dhe Ekonomi dhe Ministria e Financave e Holandës. 

Programi studimor pati për fokus monitorimin, vlerësimin, auditimin dhe sigurimin e zbatimit të Agjendës së Reformave dhe integritetit të fondeve të Bashkimit Evropian, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse. 

Gjatë programit dyditor pjesëmarrësit u njoftuan me sistemin e menaxhimit të fondeve të BE-së në Holandë, proceset dhe mekanizmat e kontrollit dhe auditimit, si dhe rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve relevante në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e këtyre fondeve. Më tej u trajtuan edhe temat që lidhen me Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë së Holandës, fondet strukturore dhe fondet bujqësore, me theks të veçantë në proceset e menaxhimit, kontrollit, auditimit, monitorimit dhe raportimit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca deklaroi se ky shkëmbim i përvojave riafirmon rëndësinë e kornizave të fuqishme të kontrollit të brendshëm dhe të strukturave të përcaktuara, të llogaridhënies, si elemente thelbësore për mbrojtjen e parasë publike si dhe për forcimin e besimit në menaxhimin e programeve të financuara nga Bashkimi Evropian. Shtoi se aktiviteti do të shërbejë si udhërrëfyes në përpjekjet e mëtejshme për të forcuar cilësinë e auditimit, për të thelluar përafrimin me standardet evropiane si dhe për të fuqizuar rolin e auditimit të jashtëm në mbështetje të llogaridhënies dhe qeverisjes së mire financiare.

 

 

Lexo më shumë
ZKA shënoi 1 Qershorin me aktivitete edukative në shkolla

ZKA shënoi 1 Qershorin me aktivitete edukative në shkolla

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, përfaqësues të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën realizuan vizita në katër shkolla fillore, “Naim Frashëri” dhe “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit dhe shkollën “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës. 

Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësve iu prezantua në mënyrë të përshtatur për moshën e tyre roli dhe funksioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe rëndësia e auditimit në promovimin e llogaridhënies, transparencës dhe menaxhimit të mirë të parasë publike. Vizitat u realizuan në kuadër të mbështetjes së ofruar për këto shkolla përmes donacioneve me inventar dhe pajisje teknologjike, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. 

Drejtuesit e shkollave shprehën mirënjohjen e tyre për vizitat dhe mbështetjen e ofruar, duke theksuar se pajisjet dhe inventari i dhuruar kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Përmes këtyre aktiviteteve, znj. Spanca riafirmon përkushtimin e saj për mbështetur arsimin dhe promovuar te gjeneratat e reja vlerat e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë qytetare. 

Lexo më shumë