Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/2/2026 10:09:00 AM

ZKA shënoi 1 Qershorin me aktivitete edukative në shkolla

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, përfaqësues të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën realizuan vizita në katër shkolla fillore, “Naim Frashëri” dhe “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit dhe shkollën “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës. 

Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësve iu prezantua në mënyrë të përshtatur për moshën e tyre roli dhe funksioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe rëndësia e auditimit në promovimin e llogaridhënies, transparencës dhe menaxhimit të mirë të parasë publike. Vizitat u realizuan në kuadër të mbështetjes së ofruar për këto shkolla përmes donacioneve me inventar dhe pajisje teknologjike, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. 

Drejtuesit e shkollave shprehën mirënjohjen e tyre për vizitat dhe mbështetjen e ofruar, duke theksuar se pajisjet dhe inventari i dhuruar kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Përmes këtyre aktiviteteve, znj. Spanca riafirmon përkushtimin e saj për mbështetur arsimin dhe promovuar te gjeneratat e reja vlerat e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë qytetare. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA dhuron pajisje teknologjike dhe inventar për pesë shkolla

ZKA dhuron pajisje teknologjike dhe inventar për pesë shkolla

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorët e pesë institucioneve arsimore për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve teknologjike të liruara nga përdorimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të mbështetjes së shkollave dhe procesit mësimor. 

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se përmes këtij aktiviteti ZKA synon t’i ndihmojë institucionet arsimore si dhe pasuritë publike të përdorën sa më mirë. 

Pajisjet e dorëzuara përfshijnë pajisje teknologjike, inventar si dhe materiale të tjera për nevojat e institucioneve arsimore, në përputhje me kërkesat e tyre. 

Shkollat përfituese nga kjo iniciativë janë SHML “Ahmet Gashi” në Prishtinë, SHFMU “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, SHFMU “Naim Frashëri” në Prishtinë, SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit, si dhe shkolla “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës.  

Sipas marrëveshjeve, pronësia e pajisjeve kalon te shkollat përfituese pas procesit të pranim-dorëzimit dhe evidentimit përkatës, ndërsa institucionet përfituese marrin përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe përdorimin e tyre sipas destinimit të përcaktuar. 

“Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar që resurset publike të menaxhohen me përgjegjësi, integritet dhe efikasitet. Në këtë frymë, një pjesë e pasurisë jofinanciare po vihet në shërbim të shkollave, me bindjen se do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimit të përditshëm të institucioneve tona arsimore”, tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. 

Lexo më shumë
Studentët e UBT-së realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Studentët e UBT-së realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Një grup studentësh të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi të Kolegjit UBT, të shoqëruar nga profesori/ligjëruesi Mic Ukaj, të premten realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), në kuadër të lëndës “Metodat Statistikore në Biznes”. Studentët u pritën nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj dhe Shefja e Kabinetit të AP-së, Shqipe Çavdarbasha.

Auditorja e Përgjithshme mirëpriti studentët dhe i njoftoi ata me rolin e ZKA-së dhe rëndësinë e auditimit në forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik, si dhe me mundësitë që institucioni ofron për zhvillimin profesional të të rinjve. 

Ajo theksoi rëndësinë e lidhjes së njohurive akademike me praktikën profesionale dhe rolin e analizës së të dhënave në mbështetje të auditimit publik. “Investimi në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj është investim në të ardhmen e vendit tonë. Në veprimtarinë tonë të përditshme, të dhënat përbëjnë themelin e analizës dhe vlerësimit objektiv. Përmes metodave statistikore dhe qasjeve analitike, ne sigurojmë që gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të mbështeten në dëshmi të besueshme, profesionalizëm dhe pavarësi. Përmes raporteve të auditimit, kontribuojmë në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, duke ndihmuar në menaxhimin më të mirë të parasë publike”, tha znj. Spanca. 

Profesori Mic Ukaj falënderoi Auditoren e Përgjithshme për pritjen si dhe vlerësoi këtë mundësi duke thënë se përmes kësaj vizite studentët mund të njihen nga afër me zbatimin praktik të koncepteve statistikore në auditimin e sektorit publik, duke lidhur njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve me praktikat profesionale të ZKA-së.  

Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj, para studentëve prezantoi proceset dhe praktikat e auditimit, me theks të veçantë në grumbullimin, analizimin dhe interpretimin e të dhënave, si dhe në përdorimin e metodave statistikore në mbështetje të gjetjeve dhe raporteve të auditimit.

Lexo më shumë