Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/26/2026 4:07:00 PM

ZKA prezantoi rezultatet e sezonit auditues 2025/2026

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mbajti sot konferencë për media, në të cilën prezantoi rezultatet e auditimeve të realizuara në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2025/2026, duke vënë në pah gjetjet kryesore, opinionet e auditimit dhe prioritetet e auditimit për periudhën në vijim.

Auditorja e Përgjithshme tha se nga 145 auditime të planifikuara, deri më tani janë publikuar 102 raporte prej të cilave 94 raporte të auditimit të rregullsisë (financiar dhe pajtueshmërisë), prej tyre: 14 raporte për Ministritë, 37 raporte për Komuna, 31 raporte për IP (përfshirë Kuvendin e Kosovës, ZKM, ZP dhe ShSKUK), Raporti për RTK-në, 9 raporte për Ndërmarrje Publike si dhe 2 auditime të veqanta: për pasqyra të veçanta të KEK-ut për nevojat e ZRRE-së dhe KPMM-së). Sa i përket raporteve për auditimet e performancës, deri më janë publikuar 7 raporte. 

Znj. Spanca theksoi se në 94 raporte të publikuara të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për pasqyrat vjetore financiare, deri më tani, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara (9 Ministri, 33 komuna, 8 Institucione të pavarura dhe 5 NP), 4 opinione të kundërta (NP) dhe 35 opinione të pamodifikuara: (4 Komuna: MV, Junik, Ranillug dhe Shtërpca; 5 Ministri: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, MPJD, MSH dhe MFPT; 24 Institucione të Pavarura dhe 2 auditime të veçanta).

Për 9 ndërmarrje publike, janë dhënë 4 opinione të kundërta; (KRU-Hidrodrini Sh.a, KRM-Uniteti Sh.a, KRM-Pastertia Sh.a, dhe Stacionit të Autobusëve Sh.a) dhe 5 opinione të kualifikuara (KOSTT-Sh.a, KEK, KRU-Prishtina Sh.a, NPH Iber Lepenci Sh.a dhe Termokos Sh.a).

Ndërsa për dy auditimet e veçanta të KEK-ut, janë dhënë opinione të pamodifikuara.

Sa i përket konkluzioneve të auditimit për pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret janë dhënë: 31 konkluzione të pamodifikuara, 58 të modifikuara dhe 3 konkluzione të kundërta (KRM Pastërtia Sh.A dhe Stacioni i Autobusave Sh.A dhe Komuna e Prishtinës), tha znj. Spanca. 

 

Për shkak të interesit publik dhe çështjeve të identifikuara, Auditorja e Përgjithshme bëri të ditur se auditimi i Komunës së Prishtinës rezultoi me opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe me konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë, si pasojë e mangësive të identifikuara në menaxhimin financiar, proceset e prokurimit, menaxhimin e pronës komunale dhe realizimin e projekteve kapitale. Auditimi ka rezultuar me 25 rekomandime, nga të cilat 14 janë të përsëritura, tri janë pjesërisht të zbatuara, ndërsa tetë janë rekomandime të reja.

Auditorja e Përgjithshme njoftoi gjithashtu se raporti i auditimit të performancës “Monitorimi, mirëmbajtja dhe siguria e digave në Kosovë” është klasifikuar me nivelin “I Kufizuar” dhe për këtë arsye nuk do të publikohet. Vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rekomandimet e institucioneve kompetente të sigurisë, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe interesit publik.

Në vazhdim të konferencës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi gjetjet kryesore të tri auditimeve të performancës që publikohen sot, të cilat trajtojnë efektivitetin e shërbimeve të ngrohjes qendrore në Termokos, administrimin e pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) dhe sistemin elektronik për menaxhimin e studentëve.

Në mbyllje të konferencës, Auditorja e Përgjithshme u bëri thirrje zyrtarëve përgjegjës që të trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditimit dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për adresimin e tyre, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Zonja Spanca theksoi se ZKA mbetet e përkushtuar në ofrimin e vlerësimeve të pavarura dhe profesionale mbi menaxhimin e financave publike, me qëllim rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik.

Fjala e plotë nga konferenca për media 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ftesë për media-Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media-Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të prezantohen rezultatet e auditimeve deri më tani për sezonin auditues 2025/2026, përfshirë 4 raporte të auditimit të performancës dhe çështjet kryesore të evidentuara në raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë.

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të premten, 26 qershor 2026

Ora: 11:00

Vendi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)

 

 

 

Ju mirëpresim!

Lexo më shumë
Përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan përvojën e Kosovës në Punëtorinë Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë në Auditim

Përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan përvojën e Kosovës në Punëtorinë Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë në Auditim

Më 23-25 qershor 2026, përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë, e mbajtur në Stamboll.  Punëtoria u organizua nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në kuadër të aktiviteteve të projekt grupit të EUROSAI-t për zhvillim.

ZKA-ja në këtë punëtori u përfaqësua nga Fitim Haliti, Drejtor për Menaxhimin e Cilësisë, Ylber Sadiku, Auditor, dhe Lindita Ajeti, Auditore.

Gjatë punëtorisë, përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan përvojën institucionale në hartimin dhe zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë në Auditim, duke paraqitur progresin e arritur në zhvillimin e politikave dhe procedurave përkatëse, menaxhimin e rreziqeve të cilësisë, monitorimin dhe korrigjimin e sistemit, vlerësimin vjetor të tij, si dhe procesin e Rishikimit të Cilësisë së Angazhimit.

Në prezantim u theksuan gjithashtu rezultatet konkrete të arritura deri më tani, përfshirë miratimin e objektivave të cilësisë, identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të cilësisë, si dhe përcaktimin e prioriteteve për menaxhimin dhe adresimin e tyre.

Diskutimet gjatë punëtorisë konfirmuan se Zyra Kombëtare e Auditimit është njëra ndër institucionet supreme të auditimit që ka avancuar në hartimin e dokumentacionit të nevojshëm sipas kërkesave të ISSAI 140 dhe ka filluar zbatimin praktik të Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë. Ky progres dëshmon angazhimin e ZKA-së për forcimin e cilësisë së auditimit përmes një qasjeje të bazuar në rrezik dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Azerbajxhanit, Bosnjë dhe Hercegovinës, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Malit të Zi, Serbisë, Suedisë, Turqisë dhe Ukrainës.

Lexo më shumë