Auditorja e Përgjithshme vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit, Faruk Rrahmani dhe Administratorja e Bazës së të Dhënave, Kaltrina Sylejmani, të hënën vizituan Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, ku u pritën nga Presidenti i Senatit, Siniša Čađenović, anëtarët e Senatit dhe përfaqësues të tjerë të institucionit.
Znj. Spanca uroi Presidentin e Senatit për emërimin e tij në këtë detyrë, duke theksuar se nën udhëheqjen e tij institucioni do të vazhdojë të forcojë rolin e tij në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit si një mjet për shkëmbimin e njohurive dhe avancimin e praktikave profesionale.
“Shkëmbimi i njohurive, përvojës dhe praktikave të mira na mundëson të përmirësojmë vazhdimisht punën tonë, të forcojmë kapacitetet tona institucionale dhe të përmbushim më mirë mandatin tonë kushtetues në shërbim të qytetarëve tanë”, deklaroi znj. Spanca.
Znj. Spanca dhe z. Čađenović diskutuan për kornizën ligjore dhe institucionale të Institucioneve Supreme të Auditimit me theks të veçantë në pavarësinë institucionale dhe financiare. Po ashtu, palët shkëmbyen përvoja lidhur me metodologjitë e auditimit, sfidat dhe praktikat në realizimin e auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja teknologjike në procesin e auditimit, ku u prezantua përvoja në zbatimin praktik të Sistemit të Menaxhimit të Auditimit të ZKA-së (SITA) dhe roli i tij në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së proceseve të auditimit.
Palët konfirmuan përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave të mira me qëllim të forcimit të auditimit publik dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
