ZKA dhe Prokuroria e Shtetit forcojnë bashkëpunimin për trajtimin e rasteve me dyshime për vepra penale
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, të mërkurën në Ferizaj mbajti punëtorinë rajonale me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale të identifikuara gjatë auditimit”, ku morën pjesë përfaqësues të ZKA-së, prokurorë nga rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit, si dhe përfaqësues të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu theksoi se auditimi publik nuk kufizohet vetëm në identifikimin e parregullsive dhe dhënien e rekomandimeve, por luan një rol të rëndësishëm në forcimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Ajo tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet ZKA-së dhe Prokurorisë së Shtetit është thelbësor për trajtimin e rasteve kur gjatë auditimit evidentohen dyshime për vepra penale, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe të financave publike.
Prokurori i Shtetit, njëherësh koordinator për raste të auditimit, Bahri Hyseni, vlerësoi organizimin e këtyre punëtorive si rezultat të bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional ndërmjet ZKA-së dhe Prokurorisë së Shtetit, duke theksuar se ato do të vazhdojnë të organizohen edhe në rajonet e tjera të Kosovës, me synim forcimin e koordinimit, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe rritjen e efektivitetit në trajtimin e rasteve të referuara. Ai tha se falë këtij bashkëpunimi ndërinstitucional është më e lehtë të trajtohen rastet e referuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Përfaqësuesja e projektit në UNDP, Fjolla Raifi Luzha, theksoi rëndësinë e partneritetit ndërinstitucional në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet ZKA-së dhe Prokurorisë së Shtetit. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” për iniciativa që kontribuojnë në rritjen e integritetit institucional, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.
Në sesioni e parë të punëtorisë Udhëheqësja e Njësisë Kundër Mashtrimit dhe Koordinatore me Prokurorinë e Shtetit në ZKA, Natyra Kasumaj Ahmeti, prezantoi kuadrin ligjor dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për njoftimin e organeve të zbatimit të ligjit, si dhe përvojat praktike të ZKA-së në referimin e rasteve në Prokurorinë e Shtetit.
Në sesionin e dytë, përfaqësuesit e Prokurorisë trajtuan procedurat për pranimin dhe vlerësimin e informatave të dërguara nga ZKA, rëndësinë e dokumentimit të provave, sfidat në trajtimin e rasteve dhe praktikat e mira për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA, Minire Begaj Balaj, në përmbyllje të punëtorisë tha se konkluzionet e këtij diskutimi do të shërbejnë për avancimin e bashkëpunimit me Prokurorinë e Shtetit me synim rritjen e efektivitetit në identifikimin dhe trajtimin e rasteve me dyshime për vepra penale të evidentuara gjatë procesit të auditimit.
