Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/14/2026 1:54:00 PM

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e projektit të BE-së për mbështetjen e reformave në menaxhimin e financave publike

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovë, Vlora Spanca, të martën priti në takim z. Neven Šprlje, ekspert i angazhuar në kuadër të projektit “Asistenca Teknike për Mbështetjen e Zbatimit të Reformave të Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë”, si dhe z. Boris Petkov, udhëheqës i ekipit të projektit.

Takimi u zhvillua në kuadër të misionit të ekspertit, i cili ka për qëllim të mbështesë forcimin e sistemit të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, me fokus në rolin dhe funksionimin e Komiteteve të Auditimit. Gjatë takimit u diskutua për praktikat e mira ndërkombëtare dhe kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në avancimin e qeverisjes së mirë, llogaridhënies dhe reformave në Menaxhimin e Financave Publike.

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Arben Selimi.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtorë priten të enjten në takim Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Në takim u diskutua për rolin kushtetues, ligjor dhe rëndësinë e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë. 

Auditorja e Përgjithshme, e njoftoi U.D. Presidenten me punën dhe rezultatet e arritura gjatë sezonit auditues, si dhe prioritetet strategjike të ZKA-së, me theks të veçantë në avancimin e cilësisë së auditimit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e ndikimit të rekomandimeve të auditimit. Znj. Spanca, foli edhe për bashkëpunimin e ZKA-së me Prokurorinë e Shtetit. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme e njoftoi znj. Haxhiu edhe për sfidat me të cilat përballet ZKA-ja duke përfshirë nevojën për miratimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, sigurimin e objektit për ZKA-në e cila vazhdon të operojë në pronë private, lëvizja e stafit, etj. 

Gjatë takimit u theksua edhe angazhimi aktiv i ZKA-së në organizatat ndërkombëtare të auditimit publik, ku është anëtare me të drejta të plota në INTOSAI dhe EUROSAI, duke kontribuar në shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale dhe zhvillimin e auditimit publik. 

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi punën dhe profesionalizmin e Zyrës Kombëtare të Auditimi dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë institucionale dhe rolin e auditimit publik në fuqizimin e sundimit të ligjit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në institucionet publike. 

Auditorja e Përgjithshme dhe U.D. Presidentja theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të promovimit të qeverisjes së mirë, integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik. 

Lexo më shumë
ZKA: Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale nuk siguron integrim të plotë dhe përballet me mangësi

ZKA: Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale nuk siguron integrim të plotë dhe përballet me mangësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të hënën publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se sistemi i menaxhuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), nuk ka arritur të sigurojë integrimin e plotë të skemave pensionale dhe vazhdon të përballet me mangësi në zhvillim, cilësinë e të dhënave dhe sigurinë e informacionit. 

Ndonëse sistemi synon përpunimin efikas, të saktë dhe transparent të aplikimeve për pension, auditimi ka konstatuar se ai nuk ka arritur nivelin e pritshëm të zhvillimit, integrimit dhe sigurisë, duke mos mundësuar digjitalizimin e plotë të proceseve dhe bazave të të dhënave. 

MPFVLÇ nuk ka arritur të sigurojë zhvillimin dhe integrimin e plotë të sistemit, por zhvillimi është realizuar në mënyrë të fragmentuar, ku vetëm një pjesë e skemave pensionale administrohen në platformën qendrore, ndërsa të tjerat menaxhohen përmes zgjidhjeve të ndara teknologjike. Mungesa e mbikëqyrjes dhe proceseve të standardizuara për zhvillimin e ndryshimeve, si dhe varësia nga palët e jashtme për mirëmbajtjen e sistemit kufizojnë zhvillimin e qëndrueshëm të tij. 

Fragmentimi i të dhënave dhe mungesa e digjitalizimit të plotë kanë krijuar rreziqe për cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Të dhënat nuk janë të konsoliduara në një bazë të vetme qendrore, ndërsa një pjesë e dokumentacionit historik vazhdon të mbahet në formë fizike, duke e bërë procesin e verifikimit më të ngadalshëm dhe më pak efikas. 

Mangësitë në kontrollet e aplikacionit kanë krijuar rreziqe për integritetin e shërbimeve. Sistemi nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për validimin automatik të të dhënave dhe verifikimin ndërinstitucional, ndërsa shumë procese kryhen ende manualisht. Po ashtu, mungojnë kontrollet e automatizuara për verifikimin e të dhënave, gjurmimin e vendimeve dhe kontrollin e llogarive bankare të përfituesve, duke rritur rrezikun për gabime, pagesa të pasakta, përfitime të dyfishta dhe mosrespektim të kërkesave ligjore. 

Mangësitë në kontrollet e sigurisë e bëjnë sistemin më të cenueshëm ndaj keqpërdorimeve të informacionit. Po ashtu mungesa e politikave të formalizuara për kopjet rezervë, vazhdimësinë e shërbimeve dhe rikuperimin nga fatkeqësitë, rrisin rrezikun për ndërprerje të funksionimit të sistemit. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e identifikuara nga procesi i auditimit tregojnë  se  institucionet të cilat administrojnë të dhënat dhe dokumentet për pensionet dhe ofrojnë shërbime përmes Sistemit të Integruar Informativ për skemat Pensionale duhet t’i marrin masat e nevojshme për përmirësime të mëtejshme. 

Më qëllim të përmirësimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 23 rekomandime. 

Raporti e plotë të auditimit për Sistemin e  Integruar Informativ për Skemat Pensionale e gjeni këtu.

Lexo më shumë