Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/3/2026 4:16:00 PM

ZKA: Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale nuk siguron integrim të plotë dhe përballet me mangësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të hënën publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se sistemi i menaxhuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), nuk ka arritur të sigurojë integrimin e plotë të skemave pensionale dhe vazhdon të përballet me mangësi në zhvillim, cilësinë e të dhënave dhe sigurinë e informacionit. 

Ndonëse sistemi synon përpunimin efikas, të saktë dhe transparent të aplikimeve për pension, auditimi ka konstatuar se ai nuk ka arritur nivelin e pritshëm të zhvillimit, integrimit dhe sigurisë, duke mos mundësuar digjitalizimin e plotë të proceseve dhe bazave të të dhënave. 

MPFVLÇ nuk ka arritur të sigurojë zhvillimin dhe integrimin e plotë të sistemit, por zhvillimi është realizuar në mënyrë të fragmentuar, ku vetëm një pjesë e skemave pensionale administrohen në platformën qendrore, ndërsa të tjerat menaxhohen përmes zgjidhjeve të ndara teknologjike. Mungesa e mbikëqyrjes dhe proceseve të standardizuara për zhvillimin e ndryshimeve, si dhe varësia nga palët e jashtme për mirëmbajtjen e sistemit kufizojnë zhvillimin e qëndrueshëm të tij. 

Fragmentimi i të dhënave dhe mungesa e digjitalizimit të plotë kanë krijuar rreziqe për cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Të dhënat nuk janë të konsoliduara në një bazë të vetme qendrore, ndërsa një pjesë e dokumentacionit historik vazhdon të mbahet në formë fizike, duke e bërë procesin e verifikimit më të ngadalshëm dhe më pak efikas. 

Mangësitë në kontrollet e aplikacionit kanë krijuar rreziqe për integritetin e shërbimeve. Sistemi nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për validimin automatik të të dhënave dhe verifikimin ndërinstitucional, ndërsa shumë procese kryhen ende manualisht. Po ashtu, mungojnë kontrollet e automatizuara për verifikimin e të dhënave, gjurmimin e vendimeve dhe kontrollin e llogarive bankare të përfituesve, duke rritur rrezikun për gabime, pagesa të pasakta, përfitime të dyfishta dhe mosrespektim të kërkesave ligjore. 

Mangësitë në kontrollet e sigurisë e bëjnë sistemin më të cenueshëm ndaj keqpërdorimeve të informacionit. Po ashtu mungesa e politikave të formalizuara për kopjet rezervë, vazhdimësinë e shërbimeve dhe rikuperimin nga fatkeqësitë, rrisin rrezikun për ndërprerje të funksionimit të sistemit. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e identifikuara nga procesi i auditimit tregojnë  se  institucionet të cilat administrojnë të dhënat dhe dokumentet për pensionet dhe ofrojnë shërbime përmes Sistemit të Integruar Informativ për skemat Pensionale duhet t’i marrin masat e nevojshme për përmirësime të mëtejshme. 

Më qëllim të përmirësimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 23 rekomandime. 

Raporti e plotë të auditimit për Sistemin e  Integruar Informativ për Skemat Pensionale e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e projektit të BE-së për mbështetjen e reformave në menaxhimin e financave publike

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e projektit të BE-së për mbështetjen e reformave në menaxhimin e financave publike

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovë, Vlora Spanca, të martën priti në takim z. Neven Šprlje, ekspert i angazhuar në kuadër të projektit “Asistenca Teknike për Mbështetjen e Zbatimit të Reformave të Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë”, si dhe z. Boris Petkov, udhëheqës i ekipit të projektit.

Takimi u zhvillua në kuadër të misionit të ekspertit, i cili ka për qëllim të mbështesë forcimin e sistemit të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, me fokus në rolin dhe funksionimin e Komiteteve të Auditimit. Gjatë takimit u diskutua për praktikat e mira ndërkombëtare dhe kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në avancimin e qeverisjes së mirë, llogaridhënies dhe reformave në Menaxhimin e Financave Publike.

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Arben Selimi.

 

 

Lexo më shumë
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Prokurimi publik mbetet sfidë në menaxhimin e financave publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Prokurimi publik mbetet sfidë në menaxhimin e financave publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën mori pjesë në tryezën e organizuar nga Iniciativa për Progres – INPO, ku u prezantua raporti “Prokurimi që mbetet në plan”. Pjesëmarrësit diskutuan gjetjet e raportit, sfidat e identifikuara në procesin e planifikimit dhe zbatimit të prokurimit publik, si dhe mundësitë për përmirësimin e këtyre proceseve.

Duke iu referuar rezultateve të auditimeve për vitin 2025, z. Halilaj tha se dobësitë nuk kufizohen vetëm në fazën e tenderimit, por në masë të konsiderueshme shfaqen edhe pas nënshkrimit të kontratave, veçanërisht në menaxhimin e tyre dhe përdorimit të e-Prokurimit. Prandaj, duhet vëmendje e veçantë nga organizatat buxhetore, institucionet mbikëqyrëse dhe mekanizmat e kontrollit, theksoi ai.

Ai tregoi se gjetjet që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar në prokurimin publik janë: dobësi në menaxhimin, monitorimin dhe vlerësimin e kontratave përmes e-Prokurimit; mangësi në planifikimin dhe zbatimin e procedurave të prokurimit; si dhe mangësi në parakushtet, dokumentacionin dhe zbatimin e kontratave/projekteve.

Lexo më shumë