ZKA: Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale nuk siguron integrim të plotë dhe përballet me mangësi
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të hënën publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se sistemi i menaxhuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), nuk ka arritur të sigurojë integrimin e plotë të skemave pensionale dhe vazhdon të përballet me mangësi në zhvillim, cilësinë e të dhënave dhe sigurinë e informacionit.
Ndonëse sistemi synon përpunimin efikas, të saktë dhe transparent të aplikimeve për pension, auditimi ka konstatuar se ai nuk ka arritur nivelin e pritshëm të zhvillimit, integrimit dhe sigurisë, duke mos mundësuar digjitalizimin e plotë të proceseve dhe bazave të të dhënave.
MPFVLÇ nuk ka arritur të sigurojë zhvillimin dhe integrimin e plotë të sistemit, por zhvillimi është realizuar në mënyrë të fragmentuar, ku vetëm një pjesë e skemave pensionale administrohen në platformën qendrore, ndërsa të tjerat menaxhohen përmes zgjidhjeve të ndara teknologjike. Mungesa e mbikëqyrjes dhe proceseve të standardizuara për zhvillimin e ndryshimeve, si dhe varësia nga palët e jashtme për mirëmbajtjen e sistemit kufizojnë zhvillimin e qëndrueshëm të tij.
Fragmentimi i të dhënave dhe mungesa e digjitalizimit të plotë kanë krijuar rreziqe për cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Të dhënat nuk janë të konsoliduara në një bazë të vetme qendrore, ndërsa një pjesë e dokumentacionit historik vazhdon të mbahet në formë fizike, duke e bërë procesin e verifikimit më të ngadalshëm dhe më pak efikas.
Mangësitë në kontrollet e aplikacionit kanë krijuar rreziqe për integritetin e shërbimeve. Sistemi nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për validimin automatik të të dhënave dhe verifikimin ndërinstitucional, ndërsa shumë procese kryhen ende manualisht. Po ashtu, mungojnë kontrollet e automatizuara për verifikimin e të dhënave, gjurmimin e vendimeve dhe kontrollin e llogarive bankare të përfituesve, duke rritur rrezikun për gabime, pagesa të pasakta, përfitime të dyfishta dhe mosrespektim të kërkesave ligjore.
Mangësitë në kontrollet e sigurisë e bëjnë sistemin më të cenueshëm ndaj keqpërdorimeve të informacionit. Po ashtu mungesa e politikave të formalizuara për kopjet rezervë, vazhdimësinë e shërbimeve dhe rikuperimin nga fatkeqësitë, rrisin rrezikun për ndërprerje të funksionimit të sistemit.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e identifikuara nga procesi i auditimit tregojnë se institucionet të cilat administrojnë të dhënat dhe dokumentet për pensionet dhe ofrojnë shërbime përmes Sistemit të Integruar Informativ për skemat Pensionale duhet t’i marrin masat e nevojshme për përmirësime të mëtejshme.
Më qëllim të përmirësimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 23 rekomandime.
Raporti e plotë të auditimit për Sistemin e Integruar Informativ për Skemat Pensionale e gjeni këtu.
