Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/24/2026 5:56:00 PM

Ftesë për media - Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton rezultatet e auditimit “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”

Të nderuar përfaqësues të mediave,  

Ju ftojmë të ndiqni tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ku do të prezantohen rezultatet e raportit të auditimit të performancës “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”.  

Punimet e kësaj tryeze kanë për qëllim diskutimin e gjetjeve të auditimit dhe masave  që institucionet përgjegjëse duhet të marrin për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së.  

Tryeza do të mbahet:  

                                        Me datë 26 gusht 2026

                                        Ora: 10:00 - 12:00

                                        Vendi: Hotel Sirius, Prishtinë

 

Jeni të mirëseardhur!

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Procesi i prokurimit për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk u realizua  plotësisht në përputhje me parimet e prokurimit publik

ZKA: Procesi i prokurimit për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk u realizua plotësisht në përputhje me parimet e prokurimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.

Aktiviteti i prokurimit me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë. Megjithatë, ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit.

Për shkak se procedura e hapur nuk ishte përmbyllur para fillimit të sezonit dimëror, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të siguruar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve. Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur.

Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i së cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës. Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar.

Dallime të theksuara janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë. Në Llotin  e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto devijime nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë, duke rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave.

Në aspektin e integritetit të procesit, auditimi ka identifikuar rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi meqë kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve. Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se planifikimi në kohë i procedurave, përcaktimi i kritereve të qarta dhe vlerësimi i dokumentuar i ofertave janë të domosdoshme për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe vlerë më të mirë për paranë publike. Znj. Spanca tha se Ministria duhet të forcojë kontrollet në të gjitha fazat e prokurimit, veçanërisht në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik të ofertave si dhe parandalimin dhe menaxhimin e rrethanave që mund të krijojnë konflikt interesi.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të prokurimit dhe përdorimit më efikas të fondeve publike, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028” e gjeni këtu.

 

 

Lexo më shumë
Përdorimi i “Tenderit ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitive

Përdorimi i “Tenderit ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitive

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’ për dhënie të kontratës në prokurim publik”, i cili ka vlerësuar aktivitetet e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe ato të Komunës së Pejës dhe të Suharekës për periudhën  2023-2025. 

Rezultatet e auditimit tregojnë se përdorimi i kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”  nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitiv në rezultatet e prokurimit publik. Ministria dhe komunat e audituara e kanë përdorur këtë kriter kryesisht në mënyrë formale, pa analiza dhe arsyetime të mjaftueshme dhe pa vlerësuar efektet e tij. Nga gjashtë aktivitetet e prokurimit të audituara, tri ishin zhvilluar me kriterin “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, ndërsa tri me kriterin “çmimi më i ulët”. 

Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në përdorimin e të dy lloje të tenderimit sepse nuk është kryer planifikim i duhur para inicimit të procedurave. Nuk janë kryer analiza të duhura të nevojave, ekzaminime të mjaftueshme në terren dhe dokumentim adekuat. Vetëm një nga gjashtë kontratat e audituara kishte projekt kryesor, ndërsa matje gjeodezike paraprake nuk kishte në asnjërin rast. 

Mangësi janë identifikuar edhe në hulumtimin e tregut dhe përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratave, ndërsa çmimet e ofertave ndryshonin në substancë nga vlera e parashikuar. 

Auditimi ka konstatuar gjithashtu mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe në trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Në dy raste janë shpërblyer operatorë ekonomik që nuk i kanë përmbushur plotësisht kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas auditimit në tri raste do të mund të kurseheshin së paku 42 mijë euro. 

Po ashtu në menaxhimin e kontratave nuk kishte monitorim aktiv dhe menaxhim të duhur të sigurisë së ekzekutimit, gjë që kishte rezultuar me ndryshime të sasive, vonesa dhe rreziqe në realizimin e kontratave. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se kriteri “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” duhet të mbështetet në analiza reale të nevojave dhe kritere që marrin parasysh cilësinë dhe dobinë në afat më të gjatë. Vetëm ndryshimi formal i kriterit të dhënies së kontratës nuk mund të sigurojë vlerën më të mirë për paranë publike. 

Për të përmirësuar përdorimin e kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, planifikimin e nevojave, objektivitetin në vlerësimin e ofertave dhe monitorimin e zbatimit të kontratave, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për ministrinë dhe komunat e audituara.  

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit tenderi ekonomikisht më i favorshëm për dhënie të kontratës në prokurim publik” e gjeni këtu.

 

 

Lexo më shumë