Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/21/2026 12:30:00 PM

ZKA: Procesi i prokurimit për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk u realizua plotësisht në përputhje me parimet e prokurimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.

Aktiviteti i prokurimit me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë. Megjithatë, ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit.

Për shkak se procedura e hapur nuk ishte përmbyllur para fillimit të sezonit dimëror, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të siguruar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve. Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur.

Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i së cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës. Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar.

Dallime të theksuara janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë. Në Llotin  e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto devijime nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë, duke rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave.

Në aspektin e integritetit të procesit, auditimi ka identifikuar rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi meqë kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve. Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se planifikimi në kohë i procedurave, përcaktimi i kritereve të qarta dhe vlerësimi i dokumentuar i ofertave janë të domosdoshme për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe vlerë më të mirë për paranë publike. Znj. Spanca tha se Ministria duhet të forcojë kontrollet në të gjitha fazat e prokurimit, veçanërisht në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik të ofertave si dhe parandalimin dhe menaxhimin e rrethanave që mund të krijojnë konflikt interesi.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të prokurimit dhe përdorimit më efikas të fondeve publike, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028” e gjeni këtu.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Raporti vijues i rishikimit kolegial:  ZKA shënon progres të dukshëm në zbatimin e rekomandimeve dhe forcon besueshmërinë institucionale

Raporti vijues i rishikimit kolegial: ZKA shënon progres të dukshëm në zbatimin e rekomandimeve dhe forcon besueshmërinë institucionale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka shënuar progres të dukshëm në zbatimin e rekomandimeve të rishikimit kolegial të vitit 2023, duke forcuar qeverisjen e brendshme, metodologjinë e auditimit, sistemin e menaxhimit të cilësisë dhe proceset e raportimit. Ky është vlerësimi i Raportit Vijues të Rishikimit Kolegial (Peer Review), i realizuar nga SIGMA.  

Sipas raportit,  ZKA-ja po konsolidohet si një institucion suprem i auditimit gjithnjë e më i besueshëm dhe me funksionim të mirë, duke evidentuar progres të rëndësishëm në forcimin e qeverisjes dhe komunikimit të brendshëm, planifikimit strategjik dhe operativ, metodologjisë së auditimit të rregullsisë dhe performancës, si dhe në ndërtimin e një sistemi të strukturuar të menaxhimit të cilësisë. Gjithashtu, raporti vlerëson përmirësimin e vazhdueshëm të raportimit dhe të mekanizmave për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit. 

Raporti ka identifikuar edhe fusha për përmirësim të mëtejshëm, përfshirë forcimin e garancive ligjore për pavarësinë institucionale, veçanërisht në aspektin e autonomisë financiare, integrimin e plotë të planifikimit dhe menaxhimit të burimeve, zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, zhvillimin e mëtejshëm të metodologjisë së auditimit, si dhe përfundimin e zbatimit të sistemit të menaxhimit të cilësisë. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cilësoi raportin vijues si konfirmim të progresit të arritur nga ZKA-ja në zbatimin e rekomandimeve të vitit 2023, por edhe si një udhërrëfyes i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të institucionit. “Vlerësimi i pavarur i realizuar nga SIGMA është dëshmi e progresit që kemi arritur në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në përafrimin e mëtejshëm të praktikave tona me standardet ndërkombëtare të auditimit. Rekomandimet e raportit do të shërbejnë si bazë për vazhdimin e reformave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të punës sonë, me qëllim rritjen e cilësisë së auditimit dhe forcimin e llogaridhënies në sektorin publik”, theksoi Auditorja e Përgjithshme.  

Raporti vijues është realizuar me kërkesë të Auditorës së Përgjithshme për të vlerësuar progresin në zbatimin e rekomandimeve të rishikimit kolegial të vitit 2023 dhe për të ofruar orientime për zhvillimin e mëtejshëm strategjik të institucionit.   Rishikimi vijues ka shqyrtuar progresin e ZKA-së në pesë fusha kryesore: pavarësinë dhe kornizën ligjore, qeverisjen dhe menaxhimin, metodologjinë dhe praktikat e auditimit, menaxhimin e cilësisë, si dhe raportimin dhe arritjen e rezultateve. 

Raportin vijues të rishikimit kolegial (Peer Review) e gjeni këtu.  

Lexo më shumë
Ftesë për media - Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton rezultatet e auditimit “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”

Ftesë për media - Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton rezultatet e auditimit “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”

Të nderuar përfaqësues të mediave,  

Ju ftojmë të ndiqni tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ku do të prezantohen rezultatet e raportit të auditimit të performancës “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”.  

Punimet e kësaj tryeze kanë për qëllim diskutimin e gjetjeve të auditimit dhe masave  që institucionet përgjegjëse duhet të marrin për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së.  

Tryeza do të mbahet:  

                                        Me datë 26 gusht 2026

                                        Ora: 10:00 - 12:00

                                        Vendi: Hotel Sirius, Prishtinë

 

Jeni të mirëseardhur!

Lexo më shumë