Përdorimi i “Tenderit ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitive
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’ për dhënie të kontratës në prokurim publik”, i cili ka vlerësuar aktivitetet e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe ato të Komunës së Pejës dhe të Suharekës për periudhën 2023-2025.
Rezultatet e auditimit tregojnë se përdorimi i kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitiv në rezultatet e prokurimit publik. Ministria dhe komunat e audituara e kanë përdorur këtë kriter kryesisht në mënyrë formale, pa analiza dhe arsyetime të mjaftueshme dhe pa vlerësuar efektet e tij. Nga gjashtë aktivitetet e prokurimit të audituara, tri ishin zhvilluar me kriterin “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, ndërsa tri me kriterin “çmimi më i ulët”.
Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në përdorimin e të dy lloje të tenderimit sepse nuk është kryer planifikim i duhur para inicimit të procedurave. Nuk janë kryer analiza të duhura të nevojave, ekzaminime të mjaftueshme në terren dhe dokumentim adekuat. Vetëm një nga gjashtë kontratat e audituara kishte projekt kryesor, ndërsa matje gjeodezike paraprake nuk kishte në asnjërin rast.
Mangësi janë identifikuar edhe në hulumtimin e tregut dhe përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratave, ndërsa çmimet e ofertave ndryshonin në substancë nga vlera e parashikuar.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe në trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Në dy raste janë shpërblyer operatorë ekonomik që nuk i kanë përmbushur plotësisht kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas auditimit në tri raste do të mund të kurseheshin së paku 42 mijë euro.
Po ashtu në menaxhimin e kontratave nuk kishte monitorim aktiv dhe menaxhim të duhur të sigurisë së ekzekutimit, gjë që kishte rezultuar me ndryshime të sasive, vonesa dhe rreziqe në realizimin e kontratave.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se kriteri “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” duhet të mbështetet në analiza reale të nevojave dhe kritere që marrin parasysh cilësinë dhe dobinë në afat më të gjatë. Vetëm ndryshimi formal i kriterit të dhënies së kontratës nuk mund të sigurojë vlerën më të mirë për paranë publike.
Për të përmirësuar përdorimin e kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, planifikimin e nevojave, objektivitetin në vlerësimin e ofertave dhe monitorimin e zbatimit të kontratave, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për ministrinë dhe komunat e audituara.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit tenderi ekonomikisht më i favorshëm për dhënie të kontratës në prokurim publik” e gjeni këtu.
