Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/27/2026 11:42:00 AM

ZKA: Masat për fuqizimin e grave nuk kanë siguruar përfaqësim të kënaqshëm në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” për periudhën 2020 –2024. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. 

Ndonëse është shënuar progres në përfshirjen e grave në shërbimin civil ku gjatë periudhës së audituar 2020–2024, ato përbënin 42% të të punësuarve në shërbimin civil, megjithatë nga 1,459 pozita drejtuese prej tyre 988 mbaheshin nga burrat dhe  471 gratë. Kjo tregon se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat vendimmarrëse. 

Auditimi ka konstatuar se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoret në raste të veçanta dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nën-përfaqësimit të grave. Edhe zhvillimi profesional nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së grave për avancim në karrierë. 

Mangësi janë evidentuar edhe në regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, si dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo ka kufizuar analizën e përfaqësimit gjinor, monitorimin e progresit dhe planifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse. Znj. Spanca theksoi nevojën që institucionet ta shndërrojnë barazinë gjinore nga një parim i përgjithshëm në veprime konkrete, të zbatueshme dhe të monitorueshme, duke përdorur më aktivisht masat afirmative, zhvillimin profesional dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë. 

Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse Zyra Kombëtare e Auditimit  ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse. 

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” e gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja prezantoi rezultatet e auditimit për sigurinë e nxënësve në shkolla

ZKA-ja prezantoi rezultatet e auditimit për sigurinë e nxënësve në shkolla

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën mbajti tryezë pune ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të auditimit të performancës “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”. Përveç drejtuesve më të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në tryezë morën pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Zëvendës Avokatja e Popullit,  Anita Çavdarbasha Korenica, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit. Diskutimi u përqendrua në gjetjet e auditimit dhe në nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional për përmirësimin e sigurisë së nxënësve në shkollat publike. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se siguria e nxënësve në shkolla nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon një zinxhir të pandërprerë përgjegjësie dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve. Ajo theksoi se institucionet përgjegjëse kanë vendosur mekanizma dhe kanë ndërmarrë iniciativa për rritjen e sigurisë në shkolla, megjithatë nuk funksionojnë si një sistem i koordinuar, i standardizuar dhe plotësisht efektiv. 

Auditorja e Përgjithshme tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit, koordinimi më i mirë ndërinstitucional, raportimi i plotë i rasteve dhe reagimi i shpejtë dhe i koordinuar janë të domosdoshme për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Znj. Spanca deklaroi se ZKA do ta përcjellë zbatimin e rekomandimeve dhe mirëpret që zotimet e institucioneve të shndërrohen në masa konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme. 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, përgëzoi ZKA-në për realizimin e këtij auditimi duke thënë se kjo është një prej temave më të rëndësishme në sistemin e arsimit në Kosovë. Ai tha se gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së janë një udhëzues i mirë për përmirësimin e punës dhe performancës tonë. Z. Çeku tha se përgjegjësia për sigurinë në shkolla është e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve në mënyrë që të krijohet ambient i sigurt.  Z. Çeku tha se raporti i auditimit për sigurinë në shkolla është realizuar në një momentum të rëndësishëm, kur Ministria e Arsimit ka filluar hartimin e Strategjisë  së Arsimit për të cilën kërkoi kontributin dhe mbështetjen e të gjithëve. 

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se siguria në shkolla është prioritet i Policisë së Kosovës dhe një prej shtyllave kryesore për ndërtimin e një së ardhme të sigurt të shoqërisë tonë. Ai theksoi se shkolla nuk është vetëm një vend ku fëmijët marrin edukim dhe dije, por është hapësira ku ata formojnë personalitetin, zhvillojnë aftësitë dhe përgatiten për të ardhmen. Prandaj sipas Hoxhës, krijimi dhe ruajtja e një ambienti të sigurt, të qetë dhe gjithëpërfshirës në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët dhe policia mbetet e përkushtuar në përmbushje të këtij misioni. 

Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica, foli për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit nga aspekti i te drejtave të njeriut, ku tregoi për iniciativat e ndërmarra si dhe për rezultatet dhe rekomandimet e dhëna për institucionet përgjegjëse. Znj. Çavdarbasha Korenica  tha se sa i përket të drejtave të fëmijëve edhe sipas standardeve të Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut para edukimit vjen siguria, prandaj të gjithë se bashku duhet të punojmë në këtë drejtim.    

Rezultatet e auditimit në mënyrë të detajuar u prezantuan nga Drejtoresha e Departamentit të Auditimit,  Ariana Gjonbalaj. Diskutimi i përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit u fokusua të gjetjet e raportit si dhe të zbatimi i rekomandimeve të auditimit. 

Në përmbyllje Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se konkluzioni i kësaj tryeze ishte se të gjithë e vlerësuan raportin dhe rezultatet e tij, se rekomandimet e ZKA-së janë të vlefshme dhe u ndihmojnë institucioneve përgjegjëse t’i ndërmarrin masat e nevojshme për të përmirësuar sigurinë në shkolla në Kosovë dhe se ky është mision i përbashkët.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga BIRN Kosova, ku u diskutuan çështjet që lidhen me korrupsionin në qeverisjen lokale, licencimin, planifikimin urban dhe financimin e fushatave zgjedhore lokale. 

Në kuadër të panelit Auditorja e Përgjithshme, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”. 

Znj. Spanca tregoi se auditimi ka vlerësuar mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar procesin e ndërtimeve të larta, nga planifikimi urban dhe dhënia e lejeve, deri te inspektimi dhe pajisja me certifikatë përdorimi. 

Sipas rezultateve të auditimit, Komuna nuk ka krijuar një sistem të integruar, të standardizuar dhe efektiv për menaxhimin e këtij procesi. Dobësitë janë evidentuar përgjatë gjithë ciklit, duke filluar nga planifikimi urban, dhënia e lejeve, inspektimi dhe deri te certifikata e përdorimit. 

Znj. Spanca tha se këto mangësi krijojnë pasiguri edhe për qytetarët, veçanërisht lidhur me sigurinë e banesave dhe të drejtat pronësore. 

Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime, të cilat synojnë forcimin e planifikimit urban, rritjen e kontrolleve gjatë lëshimit të lejeve, qartësimin e përgjegjësive, përmirësimin e inspektimeve, parandalimin e vonesave në inkasim dhe funksionalizimin e sistemit e-Leja, përmes të cilit do të mund të përcillej i gjithë procesi nga leja deri te certifikata e përdorimit.  

Lexo më shumë