Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/27/2026 4:58:00 PM

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga BIRN Kosova, ku u diskutuan çështjet që lidhen me korrupsionin në qeverisjen lokale, licencimin, planifikimin urban dhe financimin e fushatave zgjedhore lokale. 

Në kuadër të panelit Auditorja e Përgjithshme, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”. 

Znj. Spanca tregoi se auditimi ka vlerësuar mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar procesin e ndërtimeve të larta, nga planifikimi urban dhe dhënia e lejeve, deri te inspektimi dhe pajisja me certifikatë përdorimi. 

Sipas rezultateve të auditimit, Komuna nuk ka krijuar një sistem të integruar, të standardizuar dhe efektiv për menaxhimin e këtij procesi. Dobësitë janë evidentuar përgjatë gjithë ciklit, duke filluar nga planifikimi urban, dhënia e lejeve, inspektimi dhe deri te certifikata e përdorimit. 

Znj. Spanca tha se këto mangësi krijojnë pasiguri edhe për qytetarët, veçanërisht lidhur me sigurinë e banesave dhe të drejtat pronësore. 

Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime, të cilat synojnë forcimin e planifikimit urban, rritjen e kontrolleve gjatë lëshimit të lejeve, qartësimin e përgjegjësive, përmirësimin e inspektimeve, parandalimin e vonesave në inkasim dhe funksionalizimin e sistemit e-Leja, përmes të cilit do të mund të përcillej i gjithë procesi nga leja deri te certifikata e përdorimit.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Masat për fuqizimin e grave nuk kanë siguruar përfaqësim të kënaqshëm në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse

ZKA: Masat për fuqizimin e grave nuk kanë siguruar përfaqësim të kënaqshëm në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” për periudhën 2020 –2024. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. 

Ndonëse është shënuar progres në përfshirjen e grave në shërbimin civil ku gjatë periudhës së audituar 2020–2024, ato përbënin 42% të të punësuarve në shërbimin civil, megjithatë nga 1,459 pozita drejtuese prej tyre 988 mbaheshin nga burrat dhe  471 gratë. Kjo tregon se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat vendimmarrëse. 

Auditimi ka konstatuar se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoret në raste të veçanta dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nën-përfaqësimit të grave. Edhe zhvillimi profesional nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së grave për avancim në karrierë. 

Mangësi janë evidentuar edhe në regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, si dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo ka kufizuar analizën e përfaqësimit gjinor, monitorimin e progresit dhe planifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse. Znj. Spanca theksoi nevojën që institucionet ta shndërrojnë barazinë gjinore nga një parim i përgjithshëm në veprime konkrete, të zbatueshme dhe të monitorueshme, duke përdorur më aktivisht masat afirmative, zhvillimin profesional dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë. 

Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse Zyra Kombëtare e Auditimit  ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse. 

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” e gjeni këtu.  

Lexo më shumë
Auditimi evidentoi mangësi në menaxhimin e ndërtimeve të larta në Ferizaj

Auditimi evidentoi mangësi në menaxhimin e ndërtimeve të larta në Ferizaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt” për periudhën 2023-2025. Rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Ferizajt nuk ka siguruar një proces efikas dhe efektiv për dhënien e lejeve ndërtimore.

Mungesa e Hartës Zonale, zbatimi jo konsistent i planeve rregulluese, mungesa e procedurave të standardizuara dhe kontrollet e pamjaftueshme kanë ndikuar në trajtim jo të njëtrajtshëm të aplikacioneve për leje ndërtimore. Në rreth 80% të rasteve të audituara, aplikacionet/propozimet për kushte ndërtimore kanë qenë jo të plota, si dhe janë evidentuar mospërputhje në parametrat urbanistikë dhe dokumentacionin teknik.

Inspektimet nuk kanë qenë efikase dhe efektive për të siguruar ndërtimin në përputhje me lejet e lëshuara. Asnjë nga objektet e audituara nuk ishte inspektuar në të gjitha fazat e ndërtimit, ndërsa rreth gjysma e tyre ishin inspektuar vetëm një herë.

Dy raste të ndërtimeve ishin në kundërshtim me lejet, si dhe së paku 20 objekte të ndërtuara në pesë viteve të fundit ishin të banuara pa certifikatë të përdorimit, ndërsa edhe në rastet kur certifikatat e përdorimit ishin lëshuar, janë evidentuar mangësi në procedura dhe dokumentacion përkatës.

Po ashtu Komuna nuk ka pasur transparencë në procesin e dhënies së lejeve dhe certifikatave të përdorimit. Në uebfaqe mungojnë informatat e rëndësishme për lejet, certifikatat e përdorimit dhe trajtimin e ankesave, ndërsa nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e qytetarëve në konsultimet lidhur me dokumentet e planifikimit hapësinor.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për Komunën e Ferizajt dhe një rekomandim për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt” e gjeni këtu.

 

Lexo më shumë