Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga BIRN Kosova, ku u diskutuan çështjet që lidhen me korrupsionin në qeverisjen lokale, licencimin, planifikimin urban dhe financimin e fushatave zgjedhore lokale.
Në kuadër të panelit Auditorja e Përgjithshme, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”.
Znj. Spanca tregoi se auditimi ka vlerësuar mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar procesin e ndërtimeve të larta, nga planifikimi urban dhe dhënia e lejeve, deri te inspektimi dhe pajisja me certifikatë përdorimi.
Sipas rezultateve të auditimit, Komuna nuk ka krijuar një sistem të integruar, të standardizuar dhe efektiv për menaxhimin e këtij procesi. Dobësitë janë evidentuar përgjatë gjithë ciklit, duke filluar nga planifikimi urban, dhënia e lejeve, inspektimi dhe deri te certifikata e përdorimit.
Znj. Spanca tha se këto mangësi krijojnë pasiguri edhe për qytetarët, veçanërisht lidhur me sigurinë e banesave dhe të drejtat pronësore.
Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime, të cilat synojnë forcimin e planifikimit urban, rritjen e kontrolleve gjatë lëshimit të lejeve, qartësimin e përgjegjësive, përmirësimin e inspektimeve, parandalimin e vonesave në inkasim dhe funksionalizimin e sistemit e-Leja, përmes të cilit do të mund të përcillej i gjithë procesi nga leja deri te certifikata e përdorimit.
