Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/2/2026 8:57:00 AM

Auditorja e Përgjithshme zhvilloi takimin e parë bilateral me Auditorin e Përgjithshëm të Sllovakisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Lavdim Maxhuni vizituan Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë në Bratislavë nga 29 shtatori deri më 1 tetor 2026. Vizita shënoi takimin e parë bilateral ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit dhe pati për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale, prezantimin e praktikave institucionale dhe diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. 

Në kuadër të takimit, përfaqësuesit e ZKA-së dhe ISA-së së Sllovakisë diskutuan për rolin, mandatin, fushëveprimin, strukturën organizative, strategjitë dhe proceset e brendshme të institucioneve që përfaqësojnë. Diskutimet u fokusuan edhe në udhëheqjen dhe etikën, auditimin e pajtueshmërisë, si dhe në strategjinë e komunikimit institucional, përfshirë zhvillimet e fundit në komunikim, ndikimin e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale dhe praktikat e aplikuara nga të dy institucionet. 

Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi homologun e saj për ftesën dhe mikpritjen, duke theksuar se takimi përbën një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të ndërtuar një marrëdhënie profesionale të qëndrueshme ndërmjet dy institucioneve. Ajo nënvizoi rëndësinë e pavarësisë, integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies për besueshmërinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe rolin e komunikimit të qartë në rritjen e mirëkuptimit dhe llogaridhënies publike. 

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, Ľubomír Andrassy, mirëpriti delegacionin e ZKA-së dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive ndërmjet dy institucioneve. Takimi krijoi hapësirë për diskutim të praktikave në fusha të ndryshme të punës së institucioneve supreme të auditimit dhe për identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm. 

Në kuadër të vizitës u shkëmbyen përvojat edhe në fushën e komunikimit institucional me prezantime nga përfaqësuesit përgjegjës për komunikim të të dy institucioneve. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja mori pjesë në tryezën e diskutimit të INPO-së për integritetin dhe ligjshmërinë në prokurim

ZKA-ja mori pjesë në tryezën e diskutimit të INPO-së për integritetin dhe ligjshmërinë në prokurim

Përfaqësuesja e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), auditorja seniore, Donjeta Dreshaj, të mërkurën mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Iniciativa për Progres - INPO, me rastin e publikimit të raportit “Integriteti dhe ligjshmëria në ciklin e tenderimit”. 

Në kuadër të tryezës u diskutuan gjetjet e raportit, i cili trajton rreziqet për integritet dhe ligjshmëri në faza të ndryshme të ciklit të prokurimit publik, si dhe sfidat në zbatimin e rregullave në praktikë. 

Gjatë diskutimit në panel, përfaqësuesja e ZKA-së znj. Dreshaj kontribuoi me perspektivën institucionale dhe profesionale lidhur me çështjet e ngritura në raport, duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies, kontrolleve dhe zbatimit të qëndrueshëm të rregullave gjatë proceseve të prokurimit publik. 

Pjesëmarrësit theksuan se problematikat dhe rreziqet e identifikuara në raport paraqiten edhe në praktikë dhe kërkojnë adresim të vazhdueshëm. Në veçanti, u theksua nevoja për rritjen e llogaridhënies së autoriteteve kontraktuese, forcimin e kontrolleve dhe zbatimin më të qëndrueshëm të rregullave në të gjitha fazat e ciklit të prokurimit. 

Lexo më shumë
Sqarim për opinionin publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Sqarim për opinionin publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Lidhur me artikullin e publikuar nga portali Kujdestari për vizitën zyrtare të delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, e vlerësojmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik se vizita është zhvilluar me ftesë zyrtare të institucionit homolog sllovak dhe në përputhje të plotë me mandatin kushtetues e ligjor të ZKA-së për bashkëpunim ndërkombëtar. 

Ftesa zyrtare, e nënshkruar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, njëkohësisht Zëvendëspresident i Parë i EUROSAI-t, z. Ľubomír Andrassy, i është drejtuar Auditores së Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, duke e përcaktuar shprehimisht si takim bilateral. Delegacioni i ZKA-së i udhëhequr nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në nivelin më të lartë institucional nga Presidenti Andrassy dhe drejtuesit e lartë të institucionit. 

Bashkëpunimi me Zyrën Supreme të Auditimit të Sllovakisë ka rëndësi të veçantë edhe në kuadër të EUROSAI-t pasi në vitin 2027, në Bratislavë, do të presë Kongresin XIII të organizatës kur edhe do të marrë Presidencën e EUROSAI-t. Prandaj, ndërtimi i marrëdhënieve profesionale me këtë institucion është me interes strategjik për ZKA-në dhe për fuqizimin e pozitës së saj në kuadër të bashkëpunimit evropian. 

ZKA-ja angazhohet të përfaqësoj me dinjitet Republikën e Kosovës në fushën e auditimit publik dhe lobon të avancojë interesat e vendit dhe ato institucionale përmes bashkëpunimit bilateral dhe në forumet ndërkombëtare. Prandaj, fakti që Republika e Sllovakisë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës nuk e pengon dhe as nuk e zvogëlon rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit. Përkundrazi, zhvillimi i një vizite zyrtare me ftesë, adresimi institucional i Auditores së Përgjithshme dhe i Republikës së Kosovës, si dhe pritja në nivelin më të lartë të institucionit homolog dëshmojnë respektin institucional dhe gatishmërinë për bashkëpunim profesional. Dialogu dhe bashkëpunimi profesional me institucionet e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën nuk përbëjnë mangësi por një mundësi për të forcuar praninë, kredibilitetin dhe subjektivitetin institucional të Kosovës. 

ZKA-ja e vlerëson ftesën dhe gatishmërinë e Zyres Supreme të Auditimit të Sllovakisë për bashkëpunim dhe respekton në tërësi politikat redaktuese të njoftimeve në kanalet e komunikimit të institucionit pritës. Kjo nuk mund të përdoret si kriter për të mohuar rëndësinë, karakterin zyrtar apo përmbajtjen e vizitës. 

Lexo më shumë