Auditorja e Përgjithshme zhvilloi takimin e parë bilateral me Auditorin e Përgjithshëm të Sllovakisë
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Lavdim Maxhuni vizituan Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë në Bratislavë nga 29 shtatori deri më 1 tetor 2026. Vizita shënoi takimin e parë bilateral ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit dhe pati për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale, prezantimin e praktikave institucionale dhe diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Në kuadër të takimit, përfaqësuesit e ZKA-së dhe ISA-së së Sllovakisë diskutuan për rolin, mandatin, fushëveprimin, strukturën organizative, strategjitë dhe proceset e brendshme të institucioneve që përfaqësojnë. Diskutimet u fokusuan edhe në udhëheqjen dhe etikën, auditimin e pajtueshmërisë, si dhe në strategjinë e komunikimit institucional, përfshirë zhvillimet e fundit në komunikim, ndikimin e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale dhe praktikat e aplikuara nga të dy institucionet.
Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi homologun e saj për ftesën dhe mikpritjen, duke theksuar se takimi përbën një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të ndërtuar një marrëdhënie profesionale të qëndrueshme ndërmjet dy institucioneve. Ajo nënvizoi rëndësinë e pavarësisë, integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies për besueshmërinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe rolin e komunikimit të qartë në rritjen e mirëkuptimit dhe llogaridhënies publike.
Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, Ľubomír Andrassy, mirëpriti delegacionin e ZKA-së dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive ndërmjet dy institucioneve. Takimi krijoi hapësirë për diskutim të praktikave në fusha të ndryshme të punës së institucioneve supreme të auditimit dhe për identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm.
Në kuadër të vizitës u shkëmbyen përvojat edhe në fushën e komunikimit institucional me prezantime nga përfaqësuesit përgjegjës për komunikim të të dy institucioneve.
