Sqarim për opinionin publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit
Lidhur me artikullin e publikuar nga portali Kujdestari për vizitën zyrtare të delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, e vlerësojmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik se vizita është zhvilluar me ftesë zyrtare të institucionit homolog sllovak dhe në përputhje të plotë me mandatin kushtetues e ligjor të ZKA-së për bashkëpunim ndërkombëtar.
Ftesa zyrtare, e nënshkruar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, njëkohësisht Zëvendëspresident i Parë i EUROSAI-t, z. Ľubomír Andrassy, i është drejtuar Auditores së Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, duke e përcaktuar shprehimisht si takim bilateral. Delegacioni i ZKA-së i udhëhequr nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në nivelin më të lartë institucional nga Presidenti Andrassy dhe drejtuesit e lartë të institucionit.
Bashkëpunimi me Zyrën Supreme të Auditimit të Sllovakisë ka rëndësi të veçantë edhe në kuadër të EUROSAI-t pasi në vitin 2027, në Bratislavë, do të presë Kongresin XIII të organizatës kur edhe do të marrë Presidencën e EUROSAI-t. Prandaj, ndërtimi i marrëdhënieve profesionale me këtë institucion është me interes strategjik për ZKA-në dhe për fuqizimin e pozitës së saj në kuadër të bashkëpunimit evropian.
ZKA-ja angazhohet të përfaqësoj me dinjitet Republikën e Kosovës në fushën e auditimit publik dhe lobon të avancojë interesat e vendit dhe ato institucionale përmes bashkëpunimit bilateral dhe në forumet ndërkombëtare. Prandaj, fakti që Republika e Sllovakisë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës nuk e pengon dhe as nuk e zvogëlon rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit. Përkundrazi, zhvillimi i një vizite zyrtare me ftesë, adresimi institucional i Auditores së Përgjithshme dhe i Republikës së Kosovës, si dhe pritja në nivelin më të lartë të institucionit homolog dëshmojnë respektin institucional dhe gatishmërinë për bashkëpunim profesional. Dialogu dhe bashkëpunimi profesional me institucionet e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën nuk përbëjnë mangësi por një mundësi për të forcuar praninë, kredibilitetin dhe subjektivitetin institucional të Kosovës.
ZKA-ja e vlerëson ftesën dhe gatishmërinë e Zyres Supreme të Auditimit të Sllovakisë për bashkëpunim dhe respekton në tërësi politikat redaktuese të njoftimeve në kanalet e komunikimit të institucionit pritës. Kjo nuk mund të përdoret si kriter për të mohuar rëndësinë, karakterin zyrtar apo përmbajtjen e vizitës.
