Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/22/2026 6:04:00 PM

ZKA organizoi takimin e katërt të Grupit të Projektit të EUROSAI-t për Auditimin në Kohë Reale

Me 21 dhe 22 tetor 2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) organizoi në Prishtinë takimin e katërt të Grupit të Projektit SG1 për Përfitimet dhe Metodologjitë e Auditimit në Kohë Reale (BMRTA), në kuadër të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). 

Takimi mblodhi përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Maqedonia e Veriut si dhe me pjesëmarrjen online të Hungarisë dhe Rumanisë, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika profesionale, si dhe për të diskutuar zhvillimin e metodologjive të auditimit në kohë reale dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve. 

Në hapje të takimit, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke theksuar se auditimi në kohë reale mundëson identifikimin e hershëm të rreziqeve dhe dobësive, si dhe ofron informacion në kohë për vendimmarrësit me qëllim që masat korrigjuese të ndërmerren para se problemet të bëhen më të vështira ose më të kushtueshme. 

Ajo tha se përgjegjësia e ISA-ve nuk është thjesht të nxjerrin gjetje më shpejt, por të sigurohen që puna jonë është e besueshme, e dobishme dhe e aftë të kontribuojë në rezultate më të mira në sektorin publik. 

“Pjesëmarrja juaj pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e llogaridhënies së sektorit publik, përmirësimin e metodologjive të auditimit dhe rritjen e kontributit të Institucioneve Supreme të Auditimit në një qeverisje të shëndoshë publike. Vlera e auditimit në kohë reale varet nga një metodologji e qartë, prova të besueshme, gjykim profesional dhe një kuptim i mirëpërcaktuar i rolit të auditorit. Afati kohor duhet të shkojë krah për krah me pavarësinë, objektivitetin dhe cilësinë”, deklaroi znj. Spanca. 

Në ditën e parë, z. Massimiliano Minerva nga Institucioni Suprem i Auditimit të Italisë prezantoi dhe udhëhoqi diskutimin për kornizën e përbashkët të auditimit dhe temat e propozuara për auditim bashkëpunues. Më pas diskutimet  u përqendruan në auditimin e përbashkët, përfshirë prezantimin dhe diskutimin e kornizës së përbashkët të auditimit dhe të temave të propozuara për këtë nismë. 

Në ditën e dytë u mbajt paneli i diskutimit me temën “Auditimet në Kohë Reale – Përparësitë, Sfidat dhe Mësimet e Nxjerra”. Paneli u hap nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ndërsa drejtor i Auditimit të Performancës në ZKA, Arben Selimi, prezantoi përparësitë dhe sfidat e auditimit në kohë reale. Në kuadër të këtij paneli ndanë përvojat dhe mësimet e nxjerra nga institucionet e tyre edhe përfaqësuesit e ISA-ve të Italisë dhe Belgjikës, z. Benedetto Brancoli Busdraghi dhe z. Steven Bernagie.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Me 15 dhe 16 tetor 2026 në Paris të Francës u mbajt takimi i liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim (EDA) me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Takimi pati për qëllim diskutimin e çështjeve me rëndësi për pavarësinë institucionale, forcimin e rolit të auditimit publik dhe shkëmbimin e përvojave profesionale. 

Liderët e Institucioneve Supreme shqyrtuan dhe miratuan Planin e Punës së Rrjetit për periudhën 2027-2028 i cili përfshinë udhëheqjen për ndikimin e auditimit, mbrojtjen e pavarësisë së ISA-ve dhe forcimin e kapaciteteve të auditimit në lidhje me projektet e investimeve kapitale dhe reformat që lidhen me BE-në. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, shprehu gatishmërinë që ZKA-ja të jap kontribut në dy aktivitete të këtij plani, në auditimin e projekteve të investimeve kapitale si dhe në shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.   

Në ditën e parë të takimit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit, me fokus në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të përbashkët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). Përveç aspektit ligjor, u trajtuan edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ushtrimin efektiv të pavarësisë, përfshirë marrëdhëniet institucionale, normat profesionale, sjelljen dhe besimin. 

Në kuadër të panelit të parë, me temën “Mbrojtja e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, pavarësinë dhe integritetin institucional. Znj. Spanca theksoi gjithashtu rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit të hapur me median, shoqërinë civile dhe qytetarët për forcimin e besimit publik. 

Dita e dytë e takimit iu kushtua temave që ndërlidhen me auditimin e projekteve investuese, agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe auditimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian. 

Takimi u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski që aktualisht kryeson Rrjetin, dhe fjalë rasti mbajtën Drejtues i programit SIGMA/OECD, Gregor Virant, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Tony Murphy, Auditorja e  Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI), Freddy Njamba, si dhe ekspertë të SIGMA/OCED. 

Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme prezantoi para KMFP-së rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2025

Auditorja e Përgjithshme prezantoi para KMFP-së rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2025

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025, i cili përfshin opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjetjet kryesore dhe rekomandimet, si dhe rezultatet e auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025–2026. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi në detaje Raportin duke bërë me dije se ZKA-ja  ka dhënë opinion të kualifikuar për Raportin Vjetor Financiare të Qeverisë për vitin 2025, që nënkupton se përveç ndikimit të çështjeve të evidentuara në bazën për opinionin e kualifikuar, raporti financiar paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale. Gabimet materiale kanë të bëjnë me klasifikimin jo të duhur të shpenzimeve në vlerë prej 77.4 milionë euro, mbivlerësimin e pasurive prej 33.5 milionë euro, nënvlerësimin e llogarive të arkëtueshme prej 4.4 milionë euro, mbivlerësimin e detyrimeve të papaguara prej 2.8 milionë euro dhe mbivlerësimin e detyrimeve kontingjente prej afër 30 milionë euro. 

Znj. Spanca tregoi se ZKA-ja për sezonin audituese 2025-2026 ka realizuar 131 auditime, 99 prej tyre janë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizata buxhetore dhe ndërmarrje publike, 15 auditime të performancës, 11 auditime të veçanta të pajtueshmërisë dhe gjashtë auditime të projekteve të Bankës Botërore.  

Ajo tha se pavarësisht se nga viti në vit vërehen përmirësime, rezultatet e auditimeve tregojnë se ende ekzistojnë mangësi, qoftë në aspekte të pajtueshmërisë më kornizën ligjore, ashtu edhe në aspekte të tjera të përmbushjes së objektivave në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.   

Si rezultat i auditimit pasqyrat financiare të organizatave buxhetore janë korrigjuar në vlerë prej 119 milionë euro, duke përmirësuar saktësinë, cilësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar. Po ashtu Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe Komuna e Kamenicës kanë rritur vlerën e pasurive kapitale me gjithsej 151 milionë euro duke përmirësuar prezantimin e pasurisë publike. 

Auditorja e Përgjithshme tregoi se për korrigjimin e mangësive të identifikuara gjatë vitit 2025 janë dhënë 1,032 rekomandime, megjithatë shqetësues mbetet fakti se nga rekomandimet e dhëna në vitin 2024 janë zbatuar vetëm 36 për qind. 

Znj. Spanca vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. “Prandaj, u bëj thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Po ashtu inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t'i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.

Lexo më shumë