ZKA organizoi takimin e katërt të Grupit të Projektit të EUROSAI-t për Auditimin në Kohë Reale
Me 21 dhe 22 tetor 2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) organizoi në Prishtinë takimin e katërt të Grupit të Projektit SG1 për Përfitimet dhe Metodologjitë e Auditimit në Kohë Reale (BMRTA), në kuadër të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).
Takimi mblodhi përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Maqedonia e Veriut si dhe me pjesëmarrjen online të Hungarisë dhe Rumanisë, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika profesionale, si dhe për të diskutuar zhvillimin e metodologjive të auditimit në kohë reale dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve.
Në hapje të takimit, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke theksuar se auditimi në kohë reale mundëson identifikimin e hershëm të rreziqeve dhe dobësive, si dhe ofron informacion në kohë për vendimmarrësit me qëllim që masat korrigjuese të ndërmerren para se problemet të bëhen më të vështira ose më të kushtueshme.
Ajo tha se përgjegjësia e ISA-ve nuk është thjesht të nxjerrin gjetje më shpejt, por të sigurohen që puna jonë është e besueshme, e dobishme dhe e aftë të kontribuojë në rezultate më të mira në sektorin publik.
“Pjesëmarrja juaj pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e llogaridhënies së sektorit publik, përmirësimin e metodologjive të auditimit dhe rritjen e kontributit të Institucioneve Supreme të Auditimit në një qeverisje të shëndoshë publike. Vlera e auditimit në kohë reale varet nga një metodologji e qartë, prova të besueshme, gjykim profesional dhe një kuptim i mirëpërcaktuar i rolit të auditorit. Afati kohor duhet të shkojë krah për krah me pavarësinë, objektivitetin dhe cilësinë”, deklaroi znj. Spanca.
Në ditën e parë, z. Massimiliano Minerva nga Institucioni Suprem i Auditimit të Italisë prezantoi dhe udhëhoqi diskutimin për kornizën e përbashkët të auditimit dhe temat e propozuara për auditim bashkëpunues. Më pas diskutimet u përqendruan në auditimin e përbashkët, përfshirë prezantimin dhe diskutimin e kornizës së përbashkët të auditimit dhe të temave të propozuara për këtë nismë.
Në ditën e dytë u mbajt paneli i diskutimit me temën “Auditimet në Kohë Reale – Përparësitë, Sfidat dhe Mësimet e Nxjerra”. Paneli u hap nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ndërsa drejtor i Auditimit të Performancës në ZKA, Arben Selimi, prezantoi përparësitë dhe sfidat e auditimit në kohë reale. Në kuadër të këtij paneli ndanë përvojat dhe mësimet e nxjerra nga institucionet e tyre edhe përfaqësuesit e ISA-ve të Italisë dhe Belgjikës, z. Benedetto Brancoli Busdraghi dhe z. Steven Bernagie.
