Auditorja e Përgjithshme prezantoi para KMFP-së rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2025
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025, i cili përfshin opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjetjet kryesore dhe rekomandimet, si dhe rezultatet e auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025–2026.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi në detaje Raportin duke bërë me dije se ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për Raportin Vjetor Financiare të Qeverisë për vitin 2025, që nënkupton se përveç ndikimit të çështjeve të evidentuara në bazën për opinionin e kualifikuar, raporti financiar paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale. Gabimet materiale kanë të bëjnë me klasifikimin jo të duhur të shpenzimeve në vlerë prej 77.4 milionë euro, mbivlerësimin e pasurive prej 33.5 milionë euro, nënvlerësimin e llogarive të arkëtueshme prej 4.4 milionë euro, mbivlerësimin e detyrimeve të papaguara prej 2.8 milionë euro dhe mbivlerësimin e detyrimeve kontingjente prej afër 30 milionë euro.
Znj. Spanca tregoi se ZKA-ja për sezonin audituese 2025-2026 ka realizuar 131 auditime, 99 prej tyre janë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizata buxhetore dhe ndërmarrje publike, 15 auditime të performancës, 11 auditime të veçanta të pajtueshmërisë dhe gjashtë auditime të projekteve të Bankës Botërore.
Ajo tha se pavarësisht se nga viti në vit vërehen përmirësime, rezultatet e auditimeve tregojnë se ende ekzistojnë mangësi, qoftë në aspekte të pajtueshmërisë më kornizën ligjore, ashtu edhe në aspekte të tjera të përmbushjes së objektivave në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Si rezultat i auditimit pasqyrat financiare të organizatave buxhetore janë korrigjuar në vlerë prej 119 milionë euro, duke përmirësuar saktësinë, cilësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar. Po ashtu Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe Komuna e Kamenicës kanë rritur vlerën e pasurive kapitale me gjithsej 151 milionë euro duke përmirësuar prezantimin e pasurisë publike.
Auditorja e Përgjithshme tregoi se për korrigjimin e mangësive të identifikuara gjatë vitit 2025 janë dhënë 1,032 rekomandime, megjithatë shqetësues mbetet fakti se nga rekomandimet e dhëna në vitin 2024 janë zbatuar vetëm 36 për qind.
Znj. Spanca vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. “Prandaj, u bëj thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Po ashtu inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t'i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.
