Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/5/2026 4:00:00 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 155 auditimeve për sezonin 2026/2027

Në përputhje me mandatin ligjor, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2026/2027. 

Gjatë këtij sezoni, ZKA-ja planifikon kryerjen e 155 auditimeve, prej tyre 91 auditime të detyrueshme të rregullsisë së Pasqyrave Financiare Vjetore të të gjitha organizatave buxhetore, 12 të ndërmarrjeve publike, 3 auditime me informata të klasifikuara, 18 auditime të performancës, 10 auditime të pajtueshmërisë, 9 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore, 3 auditime të pajtueshmërisë dhe 8 auditime të performancës të sezonit të kaluar si dhe auditimin e buxhetit të Republikës së Kosovës. 

Edhe në sezonin auditues 2026–2027, ZKA-ja do t'i kushtojë vëmendje të veçantë auditimit të ndërmarrjeve publike, të cilat kanë rëndësi strategjike për ekonominë e vendit dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Në këtë sezon janë planifikuar 12 auditime të ndërmarrjeve publike, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), Trepçën SH.A., kompanitë rajonale të ujësjellësit KRU Prishtina dhe KRU Hidrodrini, Termokos-in, Iber-Lepencin, si dhe ndërmarrje të tjera publike që veprojnë në sektorët e energjisë, ujit, transportit dhe shërbimeve komunale. 

Përzgjedhja e këtyre ndërmarrjeve është bërë në bazë të analizës së rrezikut dhe prioriteteve të auditimit, duke marrë parasysh rëndësinë e shërbimeve që ato ofrojnë, ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve, vëllimin e buxhetit dhe shpenzimeve, si dhe kompleksitetin e veprimtarisë. Në këtë proces janë marrë parasysh edhe opinionet e auditimit të viteve paraprake, gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, niveli i adresimit të tyre, si dhe kërkesat për auditim nga Kuvendi i Kosovës. Një element tjetër i rëndësishëm në përzgjedhje ka qenë mbulimi i ndërmarrjeve me auditim gjatë pesë viteve të fundit, me qëllim të vlerësimit të nevojës për mbulim të vazhdueshëm dhe sigurimit të një shpërndarjeje të balancuar të auditimeve. 

ZKA i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe përzgjedhjes së fushave dhe temave për auditimet e performances për sezonin auditues 2026/2027, përmes një procesi gjithëpërfshirës që ka përfshirë qasjen strategjike, hulumtimet e brendshme, propozimet e auditorëve dhe tryezat e diskutimit me palët e jashtme të interesit. Përmes këtyre auditimeve, ZKA-ja synon të promovojë efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën e administratës publike, duke u fokusuar në fusha kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve. 

Për këtë sezon, ndër temat konkrete që do të auditohen veçohen kujdesi ndaj pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, kontrolli i cilësisë së produkteve ushqimore, efektiviteti i furnizimit me ujë të pijshëm, mbështetja për bujqësinë, transporti publik, ndërtimet, Agjenda e Reformave, si dhe projekte të mëdha infrastrukturore dhe digjitale në vend. 

Raportet individuale për auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë do të finalizohen deri më 30 qershor 2027, si dhe në përputhje me afatin ligjor, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht 2027. Ndërsa Auditimet e performancës, pajtueshmërisë dhe të projekteve do të publikohen sipas kalendarit kohor të përcaktuar dhe aprovuar nga Auditorja e Përgjithshme.  

ZKA-ja mbetet e përkushtuar që përmes auditimeve të pavarura dhe objektive të masë efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën në shpenzimin e parasë publike. 

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2026/2027 e gjeni këtu. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

 Auditorët e ZKA-së morën pjesë e punëtorinë ndërkombëtare për avancimin e auditimit të performancës të mbajtur në Sarajevë

Auditorët e ZKA-së morën pjesë e punëtorinë ndërkombëtare për avancimin e auditimit të performancës të mbajtur në Sarajevë

Nga 26 deri më 29 tetor 2026, auditorët seniorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Donjetë Dreshaj, Labinot Sadiku dhe Laureta Matoshi, morën pjesë në punëtorinë e parë ndërkombëtare “Avancimi i auditimit të performancës”, që u mbajt në Sarajevë. Punëtoria pati për qëllim avancimin e njohurive dhe metodave të auditimit të performancës përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave ndërkombëtare me fokus në përmirësimin e cilësisë, efektivitetit dhe ndikimit të raporteve të auditimit. 

Pjesëmarrësit trajtuan tema që lidhen me planifikimin e auditimit bazuar në rrezik, përdorimin e teorive sociale për analizimin e sjelljes njerëzore dhe faktorëve që ndikojnë në performancën institucionale, identifikimin dhe analizimin e shkaqeve të problemeve, si dhe formulimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve të qarta, konkrete dhe të matshme. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përdorimit të inteligjencës artificiale në analizimin dhe vlerësimin e raporteve të auditimit të performancës. Po ashtu u diskutuan mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm profesional dhe bashkëpunimin ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit, përfshirë avancimin e metodave kërkimore, analizave cilësore dhe sasiore, si dhe përmirësimin e komunikimit të rezultateve të auditimit. 

Punëtoria u organizua nga Zyra Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në kuadër të projektit EUROSAI për Asistencë në Zhvillim (EDA) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Kosova, Ukraina, Turqia, Gjeorgjia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme prezantoi në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025

Auditorja e Përgjithshme prezantoi në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi të enjten para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin  2025, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese duke përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. 

Raporti është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe i 131 raporteve individuale të auditimit të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe auditimeve të performancës. 

Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca

Lexo më shumë