Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 155 auditimeve për sezonin 2026/2027
Në përputhje me mandatin ligjor, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2026/2027.
Gjatë këtij sezoni, ZKA-ja planifikon kryerjen e 155 auditimeve, prej tyre 91 auditime të detyrueshme të rregullsisë së Pasqyrave Financiare Vjetore të të gjitha organizatave buxhetore, 12 të ndërmarrjeve publike, 3 auditime me informata të klasifikuara, 18 auditime të performancës, 10 auditime të pajtueshmërisë, 9 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore, 3 auditime të pajtueshmërisë dhe 8 auditime të performancës të sezonit të kaluar si dhe auditimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Edhe në sezonin auditues 2026–2027, ZKA-ja do t'i kushtojë vëmendje të veçantë auditimit të ndërmarrjeve publike, të cilat kanë rëndësi strategjike për ekonominë e vendit dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Në këtë sezon janë planifikuar 12 auditime të ndërmarrjeve publike, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), Trepçën SH.A., kompanitë rajonale të ujësjellësit KRU Prishtina dhe KRU Hidrodrini, Termokos-in, Iber-Lepencin, si dhe ndërmarrje të tjera publike që veprojnë në sektorët e energjisë, ujit, transportit dhe shërbimeve komunale.
Përzgjedhja e këtyre ndërmarrjeve është bërë në bazë të analizës së rrezikut dhe prioriteteve të auditimit, duke marrë parasysh rëndësinë e shërbimeve që ato ofrojnë, ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve, vëllimin e buxhetit dhe shpenzimeve, si dhe kompleksitetin e veprimtarisë. Në këtë proces janë marrë parasysh edhe opinionet e auditimit të viteve paraprake, gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, niveli i adresimit të tyre, si dhe kërkesat për auditim nga Kuvendi i Kosovës. Një element tjetër i rëndësishëm në përzgjedhje ka qenë mbulimi i ndërmarrjeve me auditim gjatë pesë viteve të fundit, me qëllim të vlerësimit të nevojës për mbulim të vazhdueshëm dhe sigurimit të një shpërndarjeje të balancuar të auditimeve.
ZKA i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe përzgjedhjes së fushave dhe temave për auditimet e performances për sezonin auditues 2026/2027, përmes një procesi gjithëpërfshirës që ka përfshirë qasjen strategjike, hulumtimet e brendshme, propozimet e auditorëve dhe tryezat e diskutimit me palët e jashtme të interesit. Përmes këtyre auditimeve, ZKA-ja synon të promovojë efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën e administratës publike, duke u fokusuar në fusha kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve.
Për këtë sezon, ndër temat konkrete që do të auditohen veçohen kujdesi ndaj pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, kontrolli i cilësisë së produkteve ushqimore, efektiviteti i furnizimit me ujë të pijshëm, mbështetja për bujqësinë, transporti publik, ndërtimet, Agjenda e Reformave, si dhe projekte të mëdha infrastrukturore dhe digjitale në vend.
Raportet individuale për auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë do të finalizohen deri më 30 qershor 2027, si dhe në përputhje me afatin ligjor, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht 2027. Ndërsa Auditimet e performancës, pajtueshmërisë dhe të projekteve do të publikohen sipas kalendarit kohor të përcaktuar dhe aprovuar nga Auditorja e Përgjithshme.
ZKA-ja mbetet e përkushtuar që përmes auditimeve të pavarura dhe objektive të masë efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën në shpenzimin e parasë publike.
Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2026/2027 e gjeni këtu.
