Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/23/2023 10:11:13 AM

ZKA-ja bëhet pjesë e Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e auditimit

Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e  auditimit i është bashkuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës. ZKA-ja duke qenë pjesë e kësaj Task Force do të pasurojë aktivitetet si dhe do të jap kontribut në arritjen e objektivave të saj. Nëpërmjet një letre dërguar Auditores së Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca, kryetari i Task Forcës së INTOSAI-t për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset e auditimit, njëherësh Auditor i Përgjithshëm i Perusë, Nelson Shack Yalta, ka mirëpritur anëtarësimin e ZKA-së në këtë mekanizëm. Ai ka riafirmuar angazhimin ndaj aktiviteteve, projekteve dhe nismave që do të realizohen duke thënë se me përfshirjen e ZKA-së në këtë task forcë do të arrihen rezultate të jashtëzakonshme të cilat do të jenë në dobi të sistemeve supreme të auditimit. Ndërsa Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në letrën e saj ka falënderuar kryetarin e kësaj task force për mundësinë që ZKA-ja të jap kontributin e saj si dhe të dëshmojë se është një burim shtesë i mbështetjes në arritjen e synimeve. “Jemi të nderuar që ZKA-ja është në mesin e institucioneve supreme të auditimit me mundësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme sfidave, pritshmërive dhe  rreziqeve. Në këtë mënyrë ofron një pasqyrë të pavarur dhe të paanshme që synon ndryshime të dobishme në sektorin publik”, është theksuar në letrën e znj. Spanca dërguar kryetarit të task forcës. Task Forca ka për qëllim që të identifikojë dhe të ndajë praktikat e mira për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe angazhimin e shoqërisë civile në punën e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke bërë kështu që zëri i publikut të jetë edhe më shumë i përfshirë në proceset e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për më tepër, Task Forca inicion dhe zhvillon nisma, mjete dhe qasje për të mbështetur zbatimin e praktikave të tilla të mira si një mjet për të promovuar vlerën dhe përfitimet e ISA-ve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorët e ZKA-së avancojnë njohuritë për përfshirjen e auditimit të teknologjisë së informacionit në auditimet financiare

Auditorët e ZKA-së avancojnë njohuritë për përfshirjen e auditimit të teknologjisë së informacionit në auditimet financiare

Në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) është mbajtur punëtoria dyditore me temën “Si mund të përfshihet auditimi i teknologjisë së informacionit në auditimin financiar”. Auditorët nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe të Kosovës kanë shkëmbyer praktikat e tyre lidhur me auditimet e teknologjisë së informacionit, mënyrën e organizimit të auditorëve të TI-së si dhe përfshirjen e tyre në auditimet financiare dhe ato të performancës. Në fokus të kësaj punëtorie ka qenë shkëmbimi i njohurive për aspektet e teknologjisë së informacionit në auditimet financiare. Me theks të veçantë të kuptuarit e proceseve, mënyra e identifikimit dhe testimit të kontrolleve të përgjithshme të TI-së, kontrolleve të aplikacionit si dhe ndërlidhja e këtyre kontrolleve. Po ashtu auditorët e ZKA-së kanë identifikuar aktivitetet nevojshme afatshkurtra dhe afatgjata që duhet të ndërmerren për të mundësuar përfshirje më të madhe të auditimeve të TI-së në auditimet financiare, siç janë zhvillimi i metodologjisë, bashkëpunimi në mes të auditorëve të TI-së dhe auditorëve financiar si dhe mbështetja e nevojshme për zbatimin e këtyre aktiviteteve nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë.
Lexo më shumë
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rezultatet e auditimit tregojnë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve nuk është i mirë

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rezultatet e auditimit tregojnë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve nuk është i mirë

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore me temën: “Rritja e mbikëqyrjes publike dhe llogaridhënies institucionale në Kosovë”  të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucionet  qendrore, ekspertë si dhe ambasadori britanik Nicholas Abott. Punimet e konferencës janë zhvilluar në kuadër të katër paneleve ku pjesëmarrësit kanë shpalosur perspektivën e tyre për temat: Rekrutimi në institucionet publike; Prokurimi Publik; Grantet dhe Subvencionet si dhe Lejet, Licencat dhe Tarifat. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në kuadër të diskutimeve të panelit të tretë ku është trajtuar tema “Grantet dhe Subvencionet” ka thënë se rezultatet e auditimit tregojnë se gjendja me menaxhimin e granteve dhe subvencioneve ende nuk është e mirë. Prandaj, trajtimi i këtyre temave do të jetë në fokus edhe më të zgjeruar të Zyrës Kombëtare të Auditimit në të ardhmen. Ai ka thënë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve padyshim është një ndër fushëveprimet kryesore në punën e ZKA-së dhe informatat e prezantuara në këtë tryezë do të shërbejnë për identifikimin dhe propozimin e temave të reja që ndërlidhen me auditimet përkatëse, qoftë atyre të pajtueshmërisë po ashtu edhe të performancës. “Grantet dhe subvencionet mbulohen në baza të rregullta vjetore përmes auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare, në pothuajse të gjitha organizatat buxhetore për të vlerësuar nëse ato janë duke u dhënë dhe menaxhuar si duhet dhe për këtë ne japim rekomandime në baza vjetore. Vetëm për vitin 2021 kemi dhënë gjithsejtë 95 rekomandime”, ka deklaruar Halilaj, duke shtuar se çdo vit auditimi ka identifikuar mangësi të ndryshme në menaxhimin e tyre të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e mungesës së kontrolleve brenda organizatave buxhetore. “Prandaj kjo fushë kërkon një trajtim mjaft të fokusuar duke zhvilluar kontrolle efektive, monitorim dhe mbikëqyrje rigoroze në mënyrë që llogaridhënia publike të avansohet tutje”, është shprehur z. Halilaj.  
Lexo më shumë