Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/23/2023 11:34:05 PM

Menaxhimi i parasë publike në fokus të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj  dhe delegacioni i ZKA-së, të enjten kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi. Delegacioni i Kosovës është pritur në takim të veçantë nga kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq me bashkëpunëtorë. Me këtë rast, z. Kovaçeviq ka shprehur përkushtimin e tij dhe të institucionit që drejton për të intensifikuar  bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai më tej ka njoftuar mysafirët për planet e punës dhe të arriturat e institucionit që drejton. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka falënderuar homologun e saj për pritjen si dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushat me interes të përbashkët. Znj. Spanca më tej e ka njoftuar z. Kovaçeviq për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me theks të veçantë për zbatimin e Planit Strategjik 2023 – 2026, realizimin e Planit Vjetor të auditimit 2022/2023 si dhe për ndikimin e auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë dhe performancë më të lartë në administratën shtetërore. Në veçanti homologët kanë biseduar për rregullimin ligjor të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të tyre. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se pavarësisht se i Ligji për ZKA-në dhe Auditorin e Përgjithshëm në kontekst të gjerë e rregullon dhe fuqizon institucionin që drejton, megjithatë plotësim-ndryshimi është i nevojshëm dhe kjo  do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës. Në kuadër të kësaj vizite delegacionet e të dyja shteteve kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojën e tyre edhe për çështje tjera  me interes të përbashkët sikurse: Kontrolli  i cilësisë dhe sigurimi i cilësisë; Monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimit; Sistemi i  menaxhimit të auditimit; si dhe procesi i auditimit të performancës. Në përbërje të delegacionit të Kosovës kanë qenë edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu, drejtori i Metodologjisë së Auditimit, Muhamet Balaj, drejtor i Departamentit të Auditimit të Rregullsisë, Faruk Rrahmani, si dhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës, Ariana Gjonbalaj.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Prokurori i Shtetit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prokurori i Shtetit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, si dhe në pajtim me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, znj. Vlora Spanca, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin edhe përfaqësuesit e Zyrës së OPDAT-it të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Marrëveshja ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, përcakton mënyrën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërinstitucionale dhe procedurave standarde në shkëmbimin e informacioneve lidhur me rastet të cilat sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës paraqesin vepra penale, që janë identifikuara gjatë ushtrimit të aktiviteteve audituese, të paraqitura nga Zyra Kombëtare e Auditimit tek Prokurori i Shtetit sipas Kodit të Procedurës Penale. Të dyja palët u zotuan se do të avancojnë mënyrat e komunikimit, si dhe të shkëmbimit të të dhënave të cilat janë të nevojshme për zbatimin sa më efikas të kësaj marrëveshje.
Lexo më shumë
Mbahet punëtoria për zhvillimin e aftësive të buta dhe ndikimin e tyre në rezultatet e punës

Mbahet punëtoria për zhvillimin e aftësive të buta dhe ndikimin e tyre në rezultatet e punës

Në datat 20-22 mars 2023, është mbajtur punëtoria për zhvillimin e shkathtësive të buta, udhëheqjen dhe menaxhimin e kohës në punë, e dedikuar për stafin administrativ të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Aktivitetet e punëtorisë kanë pasur për qëllim që pjesëmarrësit të fitojnë njohuri rreth inteligjencës emocionale, komunikimit dhe menaxhimit të kohës. Punonjësit e ZKA-së kanë mësuar se si inteligjenca emocionale mund t'i ndihmojë ata në marrëdhëniet e tyre në punë si dhe të reflektojnë rreth anëve të forta profesionale. Po ashtu, sa i përket menaxhimit të kohës pjesëmarrësit kanë mësuar se si të punojnë më të fokusuar dhe më me efikasitet. Këto njohuri do të shërbejnë për arritjen e një kulture pune më profesionale në ZKA dhe do t’u japin pjesëmarrësve një ndjenjë më të gjerë se si ata mund të kenë influencë dhe ndikojnë pozitivisht në kulturën e ZKA-së. Punëtoria ka qenë interaktive dhe është përcjellë me aktivitete të ndryshme të cilat kanë pasur për qëllim punën ekipore dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme, duke u fokusuar në planifikim, menaxhim dhe realizim. Kjo punëtori është zhvilluar në kuadër të projektit të bashkëpunimit për zhvillim institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe është udhëhequr nga ekspertët Tinna Bondestam dhe Hazim Sabanovic.
Lexo më shumë