Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/22/2023 5:45:03 PM

Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Menaxhmenti i lartë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën ka pritur në takim përfaqësuesit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), mision ky që është duke kryer Vlerësimin e Menaxhimit të Investimeve Publike si dhe atyre me fokus në klimë. Në kuadër të këtij takimi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi Morina, si dhe zyrtarë të tjerë kanë adresuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me rezultatet e auditimit karshi menaxhimit te fondeve publike. Menaxhmenti i ZKA-së para Ekipit të FMN-së të udhëhequr nga Zëvendës Shefja e Divizionit për Menaxhimin e Financave Publike në Departamentin për Çështje Fiskale në FMN znj. Michelle Stone, kanë ofruar informacionet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me çështje më rëndësi për të cilat delegacioni ishte i interesuar. Me këtë rast përfaqësuesit janë informuar në detaje lidhur me një mori çështjesh, duke përfshirë auditimin e performancës, prokurimit publik, projektet kapitale, si dhe për projektet me ndikim klimatik. Udhëheqësja e misionit nga FMN-ja ka përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për arritjet në ngritjen e nivelit të transparencës në punën që kryen si dhe për veprimet e ndërmarra për sa i përket auditimit të fushave më rëndësi për qytetarët. Delegacioni i FMN-së, përveç znj. Stone ishte i përbërë edhe nga ekonomistja e lartë brenda divizionit të njëjtë znj. Sage de Clerck, Këshilltarja Rezidente për Evropën Juglindore në FNM znj. Yasemin Hurcan si dhe ekspertët e pavarur z. Thomas Ekeli, z. Mr. Willie Du Preez dhe z. Taz Chaponda.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi e cila u mbajt me datë 15 maj 2023, në kuadër të shënimit të 19-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni  dhe më gjerë. Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje si dhe kontributin e dhënë. Konferenca Shkencore i ka zhvilluar punimet në tri panele. Në panelin e parë është diskutuar lidhur me temën: “Auditimi i sektorit publik dhe stabiliteti fiskal”. Ndërsa në panelin e dytë është disktuar lidhur me temën: “Raportimi mbi rezultatet e auditimit”. Në kuadër të këtij paneli ka prezantuar specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Aida Podrimaj. Kurse në panelin e tretë është diskutuar lidhur me temën: “Kontributi i auditimit të jashtëm në menaxhimin e qëndrueshëm të financave publike”. Me këtë rast, është mbajtur edhe ngjarja ceremoniale ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. Në këtë aktivitet fjalë përshëndetëse kanë mbajtur kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, si dhe znj. Bianca Breteche, zv shefe e programit të SIGMA. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 19-të vjetorit të themelimit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Presidenti Milo Dukanovic ka organizuar pritje të veçantë për krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit pjesëmarrës në këtë ngjarje, në mesin e tyre edhe Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. Me këtë rast z. Ðukanovic ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e institucioneve supreme të auditimit, rolin dhe kontributin e tyre për menaxhim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të parasë publike në vendet respektive. Auditorja e Përgjithshme, gjithashtu ka shfrytëzuar rastin që në këtë ngjarje të zhvilloj takime bilaterale me krerë të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve tjera pjesëmarrëse, me të cilët ka shkëmbyer përvojat dhe idetë për forcimin e rolit të auditimit të jashtëm në sektorin publik. Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi Të martën, Auditorja e Përgjithshme është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, znj. Ariana Zherka Hoxha, me të cilën kanë biseduar për auditimin e jashtëm, forcimin e kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike në Kosovë. Në këtë vizitë, Auditorja e Përgjithshme është shoqëruar nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, si dhe specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj.
Lexo më shumë
Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Të martën në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2022. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve, ka prezantuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat që e kanë karakterizuar ZKA-në gjatë vitit 2022, si dhe i është përgjigjur interesimit të ligjvënësve për çështjet e parashtruara. Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për vitin raportues ZKA-ja ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke realizuar me sukses Planin Vjetor të Auditimit duke publikuar 127 raporte të auditimit. “Prej 127 auditimeve, 116 i takojnë auditimeve të pasqyrave vjetore financiare, që përfshijnë Auditimet Financiare dhe të Pajtueshmërisë, prej tyre; raporti për buxhetin e shtetit, 90 auditime të organizatave buxhetore, 12 ndërmarrje publike dhe 13 raporte të donatorëve. Ndërsa kemi kryer 10 raporte të performancës dhe një (1) raport me informatat të nivelit të kufizuar”, ka deklaruar znj. Spanca. Ajo ka theksuar se përveç auditimeve mandatore, ZKA-ja gjatë këtij viti është përqendruar në auditimet e institucioneve tjera publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetërorë, siç janë: Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Gjithashtu, ka shtuar se fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike. Znj. Spanca më tutje i ka njoftuar deputetët se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore dhe entitete tjera nëpër kategori ekonomike, të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. “Dobësitë kryesore të identifikuara gjatë këtyre auditimeve janë vërejtur tek kategoritë ekonomike, si: të hyrat, pagat, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere, investime kapitale, dhe pasuritë”, ka thënë znj. Spanca. Më qëllim të përmirësimit të  menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se ZKA-ja ka dhënë 1030 rekomandime të cilat mbulojnë vitin 2021 dhe sipas vlerësimeve të fundit është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga 45% në 50%, përkundër se ky nivel edhe më tutje mbetet mjaftë i ulët. Për të rritur cilësinë e auditimit dhe për të përforcuar më tej sigurinë e informacioneve,  znj. Spanca, ka deklaruar se ZKA-ja gjatë vitit 2022, ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, si dhe përfundimisht ka funksionalizuar në tërësi digjitalizimin e punës audituese përmes sistemit elektronik të saj. Rëndësi të veçantë, edhe gjatë këtij viti i është  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion, duke dërguar në Prokurori të Shtetit 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca i ka informuar deputetët edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Ajo ka theksuar se nga auditimi i jashtëm i Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2022, ZKA-ja ka marrë opinion të pamodifikuar gjë që e gëzon ky fakt, ndërsa për çështjet e identifikuara nga auditori ajo ka shtuar se, pavarësisht se ato konsiderohen jo materiale menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i adresuar dhe forcuar kontrollet e brendshme. Duke folur për performancën e ZKA-së znj. Spanca, ka treguar se në aspektin kombëtar është forcuar më tej partneriteti me komisionet parlamentare dhe shoqërinë civile, kurse në aspektin ndërkombëtar është avancuar bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Po ashtu ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në auditimet e performancës dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu znj. Spanca ka treguar se në vitin 2022 është adresuar në Kuvend dhe Qeveri inicimi i procesit për plotësim/ndryshim të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për jetësimin e kësaj nisme e cila do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik dhe me më shumë interes për qytetarët, si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës. Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese si dhe kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë me adresimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim në Prokurori; lëvizjet e stafit; zgjidhja e çështjes së objektit të ZKA-së; ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm; si dhe Ligjin e Pagave, përkatësisht ndikimin e tij në ZKA me hyrjen në fuqi.  
Lexo më shumë