Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/23/2023 4:07:00 PM

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Të martën në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2022. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve, ka prezantuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat që e kanë karakterizuar ZKA-në gjatë vitit 2022, si dhe i është përgjigjur interesimit të ligjvënësve për çështjet e parashtruara. Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për vitin raportues ZKA-ja ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke realizuar me sukses Planin Vjetor të Auditimit duke publikuar 127 raporte të auditimit. “Prej 127 auditimeve, 116 i takojnë auditimeve të pasqyrave vjetore financiare, që përfshijnë Auditimet Financiare dhe të Pajtueshmërisë, prej tyre; raporti për buxhetin e shtetit, 90 auditime të organizatave buxhetore, 12 ndërmarrje publike dhe 13 raporte të donatorëve. Ndërsa kemi kryer 10 raporte të performancës dhe një (1) raport me informatat të nivelit të kufizuar”, ka deklaruar znj. Spanca. Ajo ka theksuar se përveç auditimeve mandatore, ZKA-ja gjatë këtij viti është përqendruar në auditimet e institucioneve tjera publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetërorë, siç janë: Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Gjithashtu, ka shtuar se fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike. Znj. Spanca më tutje i ka njoftuar deputetët se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore dhe entitete tjera nëpër kategori ekonomike, të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. “Dobësitë kryesore të identifikuara gjatë këtyre auditimeve janë vërejtur tek kategoritë ekonomike, si: të hyrat, pagat, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere, investime kapitale, dhe pasuritë”, ka thënë znj. Spanca. Më qëllim të përmirësimit të  menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se ZKA-ja ka dhënë 1030 rekomandime të cilat mbulojnë vitin 2021 dhe sipas vlerësimeve të fundit është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga 45% në 50%, përkundër se ky nivel edhe më tutje mbetet mjaftë i ulët. Për të rritur cilësinë e auditimit dhe për të përforcuar më tej sigurinë e informacioneve,  znj. Spanca, ka deklaruar se ZKA-ja gjatë vitit 2022, ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, si dhe përfundimisht ka funksionalizuar në tërësi digjitalizimin e punës audituese përmes sistemit elektronik të saj. Rëndësi të veçantë, edhe gjatë këtij viti i është  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion, duke dërguar në Prokurori të Shtetit 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca i ka informuar deputetët edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Ajo ka theksuar se nga auditimi i jashtëm i Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2022, ZKA-ja ka marrë opinion të pamodifikuar gjë që e gëzon ky fakt, ndërsa për çështjet e identifikuara nga auditori ajo ka shtuar se, pavarësisht se ato konsiderohen jo materiale menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i adresuar dhe forcuar kontrollet e brendshme. Duke folur për performancën e ZKA-së znj. Spanca, ka treguar se në aspektin kombëtar është forcuar më tej partneriteti me komisionet parlamentare dhe shoqërinë civile, kurse në aspektin ndërkombëtar është avancuar bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Po ashtu ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në auditimet e performancës dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu znj. Spanca ka treguar se në vitin 2022 është adresuar në Kuvend dhe Qeveri inicimi i procesit për plotësim/ndryshim të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për jetësimin e kësaj nisme e cila do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik dhe me më shumë interes për qytetarët, si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës. Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese si dhe kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë me adresimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim në Prokurori; lëvizjet e stafit; zgjidhja e çështjes së objektit të ZKA-së; ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm; si dhe Ligjin e Pagave, përkatësisht ndikimin e tij në ZKA me hyrjen në fuqi.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Menaxhmenti i lartë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën ka pritur në takim përfaqësuesit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), mision ky që është duke kryer Vlerësimin e Menaxhimit të Investimeve Publike si dhe atyre me fokus në klimë. Në kuadër të këtij takimi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi Morina, si dhe zyrtarë të tjerë kanë adresuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me rezultatet e auditimit karshi menaxhimit te fondeve publike. Menaxhmenti i ZKA-së para Ekipit të FMN-së të udhëhequr nga Zëvendës Shefja e Divizionit për Menaxhimin e Financave Publike në Departamentin për Çështje Fiskale në FMN znj. Michelle Stone, kanë ofruar informacionet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me çështje më rëndësi për të cilat delegacioni ishte i interesuar. Me këtë rast përfaqësuesit janë informuar në detaje lidhur me një mori çështjesh, duke përfshirë auditimin e performancës, prokurimit publik, projektet kapitale, si dhe për projektet me ndikim klimatik. Udhëheqësja e misionit nga FMN-ja ka përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për arritjet në ngritjen e nivelit të transparencës në punën që kryen si dhe për veprimet e ndërmarra për sa i përket auditimit të fushave më rëndësi për qytetarët. Delegacioni i FMN-së, përveç znj. Stone ishte i përbërë edhe nga ekonomistja e lartë brenda divizionit të njëjtë znj. Sage de Clerck, Këshilltarja Rezidente për Evropën Juglindore në FNM znj. Yasemin Hurcan si dhe ekspertët e pavarur z. Thomas Ekeli, z. Mr. Willie Du Preez dhe z. Taz Chaponda.  
Lexo më shumë
Kontrolli i Lartë i Shtetit shënon 98-vjetorin e themelimit, Auditorja e Përgjithshme vlerëson lartë punën dhe ndikimin për zhvillimin e administratës shtetërore

Kontrolli i Lartë i Shtetit shënon 98-vjetorin e themelimit, Auditorja e Përgjithshme vlerëson lartë punën dhe ndikimin për zhvillimin e administratës shtetërore

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të shënimit të 98-vjetorit të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Ceremonia kryesore për shënimin e kësaj date të rëndësishme për institucionin, është hapur me një fjalë rasti nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili tha se ky rrugëtim i gjatë i institucionit në çdo etapë është karakterizuar me sfida dhe suksese. Shehu, u shpreh se KLSH-ja është e dedikuar të përmbush misionin dhe vizionin e saj dhe se synon të jetë institucion i besueshëm që i kontribuon qeverisjes së mirë dhe menaxhimit më të mirë të burimeve publike. “Nevoja për të audituar 'llogaritë' e qeverive, i përket çdo kohe dhe çdo shteti. Kujtesa historike i shërben pasurimit të dijeve të brezit të ri dhe kontribuon në kulturën ligjore dhe institucionale, që duhet të kenë së pari vendimmarrësit publikë, por edhe çdo qytetar shqiptar i përgjegjshëm, i interesuar për shtetin dhe mënyrën e funksionimit të tij”, ka thënë kryetari Shehu. Para të pranishmëve ka folur edhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e cila ka uruar homologun e saj dhe kolegët nga KLSH-ja për rrugëtimin gati një shekullor. Ajo ka thënë se lidhja natyrale në mes të vendeve dhe interesi i përbashkët profesional e kombëtar çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve me qëllim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve në të dyja vendet. Znj. Spanca ka vlerësuar se bashkëpunimi cilësor dhe frytdhënës midis ZKA-së dhe KLSH-së ka bazë të fortë që është zhvilluar ndër vite e cila i  ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve. “Ne kemi fuqinë të ndryshojmë jetën e qytetarit. Këtë e bëjmë përmes fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në qeverisjen e institucioneve publike, por edhe duke shërbyer si organizata model. Lirshëm mund të shprehem se KLSH udhëheqë si institucion shembull”, është shprehur Spanca. Me këtë rast edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë se Veriut, Maksim Acevski, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke uruar KLSH-në për gjithë rrugëtimin si dhe duke i uruar suksese edhe në të ardhmen. Në ceremoninë e themelimit të KLSH-së kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga institucione vendore të Republikës së Shqipërisë si dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni. Kryetari Shehu ka vlerësuar lartë prezencën e tyre duke shprehur falënderimet e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe se është i nderuar që këtë ngjarje të veçantë po e shënon së bashku me kolegë nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të tjera. Në këtë vizitë Auditorja e Përgjithshme ka qenë e shoqëruar nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu, drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit, Mehmet Muçaj.  
Lexo më shumë