Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/8/2023 7:12:00 PM

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

Me 5 dhe 6 qershor në Sarajevë është mbajtur tryeza me temën “Bashkëpunimi me shoqërinë civile për të përmirësuar kuptimin dhe ndikimin e Institucioneve Supreme të Auditimit” e organizuar nga Zyra e Auditimit të Bosnjës dhe Hercegovinës me mbështetjen e SIGMA-s në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkiminin Evropian dhe në Gjykatën Evropiane të Auditorëve. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet anëtare të Rrjetit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe nga Mali i Zi. Në kuadër të kësaj tryeze u diskutua edhe draft dokumenti “Rritja e ndikimit përmes angazhimit të jashtëm” të përgatitur nga SIGMA me kontributin e ISA-ve nga Rrjeti dhe prezantimin e praktikave nga vendet evropiane. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci dhe zyrtarja për Komunikim me Media, Shqipe Hetemi. Hapjen e punimeve të tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm i Bosnjës dhe  Hercegovinës, Hrvoje Tvrtkovic, duke e vlerësuar tejet të rëndësishme mbajtjen e këtij aktiviteti dhe shkëmbimin e përvojave të bashkëpunimit me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese. Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijaševic, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës. Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë. Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme. Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Publikohet Raporti i vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të  Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021

Publikohet Raporti i vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë vitit 2022 i është nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të performancës për vitet 2020-2021, për të ofruar një pasqyrë të saktë mbi zhvillimin institucional, dhe me qëllim të identifikimit të pikave të forta dhe atyre të dobëta ku ka nevojë për përmirësim. Vlerësimi është kryer sipas kërkesave të Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA), në kuadër të Kornizën për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI), organ i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky vlerësim mbulon 6 domene dhe 25 indikatorë, duke përjashtuar ata që nuk janë të aplikueshëm për ZKA-në sipas mandatit dhe modelit “Westminster”. Sipas vlerësimit, ZKA-ja ka arritur të përmbushë mandatin e saj kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit dhe qytetarëve një opinion të pavarur dhe të bazuar mbi mënyrën se si institucionet publike i përdorin burimet dhe kompetencat e tyre, duke i zbatuar SNISA-t në nivel të kënaqshëm. Megjithatë, janë identifikuar çështje specifike, të cilat duhet të adresohen. Në këtë drejtim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, përveç që ka përshëndetur arritjet e treguara, është shprehur e përkushtuar që të ndërmarrë veprime menaxheriale dhe të zhvillojë më tej kornizën metodologjike, udhëzuesit dhe rregulloret përkatëse. Ajo ka theksuar se synimet e saj dhe të gjithë stafit janë që ZKA-ja të arrijë zbatimin e plotë të Kornizës së INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Përmes këtij vlerësimi, ZKA-ja gjithashtu ka matur kontributin e vet në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në institucionet publike që i nënshtrohen auditimit dhe aspiron për t’u bërë organizatë model, duke udhëhequr me shembull në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies nëpërmjet raportimit publik të besueshëm për performancën e saj. Për t’u siguruar për cilësinë e procesit, Raportit të vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021 i është bërë rishikimi i pavarur nga IDI-ja. “Përfundimi i arritur pas rishikimit është se të gjitha objektivat ishin përmbushur në mënyrë të kënaqshme në raportin përfundimtar që IDI ka pranuar në mars 2023. Për të arritur në këtë përfundim, rishikuesi i pavarur është mbështetur në proceset e kontrollit të cilësisë së ekipit të vlerësimit dhe proceset e sigurimit të cilësisë së ISA-së për të siguruar se faktet mbi të cilat bazohen përfundimet janë të besueshme dhe të sakta. Çështjet e rëndësishme të ngritura gjatë procesit të rishikimit të pavarur janë adresuar në këtë version të RP të ISA-së”, është thënë në deklaratën nga Anas ABOU EL MIKIAS, rishikues i pavarur. Sa i përket gjetjeve dhe vëzhgimeve kryesore mbi performancën e ZKA-së dhe ndikimit të tyre, ekipi i vlerësimit ka kryer një analizë të shkakut rrënjësor bazuar në të gjitha aspektet që ndikojnë në performancën e ZKA-së dhe rezultatet janë përmbledhur si në vijim:  Mbulimi me auditim; Cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve; Afatet kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit; dhe Përcjellja e rezultateve të auditimit nga ZKA-ja. Sa i përket mbulimit me auditim, është gjetur se ZKA-ja nuk ka arritur të zhvillojë një plan strategjik për përzgjedhjen e temave të auditimit të performancës, shkaktuar nga mungesa e një analize të thellë në procesin e planifikimit dhe ndërveprimit me palët e interesit. Kurse tek cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve, ekipi i vlerësimit ka identifikuar se udhëzuesi për kontrollin e cilësisë nuk është përditësuar në pajtim me manualin dhe metodologjinë e re, e cila filloi të aplikohet gjatë vitit 2020. Ndërsa, sa i përket afateve kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit ekipi ka evidentuar se gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë me Covid-19, ZKA-ja ka pasur vonesa në dorëzimin dhe publikimin e raporteve të auditimit. E për sa i përket përcjelljes se  rezultateve të auditimit ekipi ka identifikuar se niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit është i ulët. Vetëvlerësimi i performancës së Zyrës Kombëtare të  Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021, është kryer nga ekipi në përbërje të Qendresë Mulaj,  Dafina Strana Ujkani, Edona Abazi Demolli dhe Saranda Husaj Baraliu. Raporti është publikuar në ueb faqen e ZKA-së dhe mund ta gjeni këtu.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit

Iniciativa për Zhvillim (IDI) e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) në kuadër të platformës “Inovacionet në Institucionet Supreme të Auditimit” me datë 15 qershor 2023 do të organizojë webinarin online me temën “Auditimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Sistemi i Menaxhimit të Auditimit – SITA në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Hapja e webinarit do të bëhet nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ndërsa do të prezantojnë Samir Zymberi, Drejtor i auditimit dhe Poliksena Berisha, Auditore Seniore, që do të flasin gjerësisht për auditimet e TI-së që kryen Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe Shqipe Azemi, Specialiste e TI-së që do të prezantojë softuerin për menaxhimin e procesit të auditimit SITA, i zhvilluar me teknologji të lartë nga ZKA-ja dhe shërben për të lehtësuar dhe modernizuar punën audituese. Webinari do të jetë i hapur dhe të interesuarit për pjesëmarrje mund të regjistrohen në këtë link: https://zoom.us/webinar/register/WN_5zRywwLgT6uIEDGZ4PsZdg Për më shumë informata mund t’i referoheni lajmit të publikuar në ueb faqen e Iniciativës  për Zhvillim (IDI): https://www.idi.no/news/relevant-sais/sai-innovations/sai-innovations-marketplace-audit-of-information-technology-and-audit-management-system-sita  
Lexo më shumë