Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/9/2023 3:07:21 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit

Iniciativa për Zhvillim (IDI) e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) në kuadër të platformës “Inovacionet në Institucionet Supreme të Auditimit” me datë 15 qershor 2023 do të organizojë webinarin online me temën “Auditimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Sistemi i Menaxhimit të Auditimit – SITA në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Hapja e webinarit do të bëhet nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ndërsa do të prezantojnë Samir Zymberi, Drejtor i auditimit dhe Poliksena Berisha, Auditore Seniore, që do të flasin gjerësisht për auditimet e TI-së që kryen Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe Shqipe Azemi, Specialiste e TI-së që do të prezantojë softuerin për menaxhimin e procesit të auditimit SITA, i zhvilluar me teknologji të lartë nga ZKA-ja dhe shërben për të lehtësuar dhe modernizuar punën audituese. Webinari do të jetë i hapur dhe të interesuarit për pjesëmarrje mund të regjistrohen në këtë link: https://zoom.us/webinar/register/WN_5zRywwLgT6uIEDGZ4PsZdg Për më shumë informata mund t’i referoheni lajmit të publikuar në ueb faqen e Iniciativës  për Zhvillim (IDI): https://www.idi.no/news/relevant-sais/sai-innovations/sai-innovations-marketplace-audit-of-information-technology-and-audit-management-system-sita  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

Me 5 dhe 6 qershor në Sarajevë është mbajtur tryeza me temën “Bashkëpunimi me shoqërinë civile për të përmirësuar kuptimin dhe ndikimin e Institucioneve Supreme të Auditimit” e organizuar nga Zyra e Auditimit të Bosnjës dhe Hercegovinës me mbështetjen e SIGMA-s në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkiminin Evropian dhe në Gjykatën Evropiane të Auditorëve. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet anëtare të Rrjetit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe nga Mali i Zi. Në kuadër të kësaj tryeze u diskutua edhe draft dokumenti “Rritja e ndikimit përmes angazhimit të jashtëm” të përgatitur nga SIGMA me kontributin e ISA-ve nga Rrjeti dhe prezantimin e praktikave nga vendet evropiane. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci dhe zyrtarja për Komunikim me Media, Shqipe Hetemi. Hapjen e punimeve të tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm i Bosnjës dhe  Hercegovinës, Hrvoje Tvrtkovic, duke e vlerësuar tejet të rëndësishme mbajtjen e këtij aktiviteti dhe shkëmbimin e përvojave të bashkëpunimit me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese. Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijaševic, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës. Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë. Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme. Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen.
Lexo më shumë
Interesim i lartë për prezantimin e Sistemit për Menaxhimin e Auditimit – SITA dhe praktikave në ZKA për auditimet e TI-së

Interesim i lartë për prezantimin e Sistemit për Menaxhimin e Auditimit – SITA dhe praktikave në ZKA për auditimet e TI-së

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës të enjten prezantoi në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit në kuadër të webinarit online me temën “Auditimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Sistemi i Menaxhimit të Auditimit – SITA në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Ky webinar është organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI) e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) përkatësisht në platformën “Inovacionet në Institucionet Supreme të Auditimit”. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca në fjalën e saj falënderoi organizatorët dhe vlerësoi interesimin e pjesëmarrësve për të mësuar zhvillimin institucional të ZKA-së me theks në auditimet e TI-së dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike për të lehtësuar dhe siguruar punën audituese. Duke folur për rëndësinë në rritje të auditimit të sistemeve të informacionit në epokën dixhitale, si dhe zhvillimet e hovshme në këtë aspekt, znj. Spanca tregoi se ZKA më 2018 themeloi Departamentin për auditime të TI-së dhe se në vazhdimësi investon në avancimin dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike për nevoja të punës. “Nga atëherë, departamenti është rritur, duke përfshirë aktualisht pesë auditorë. Departamenti është pjesë e grupeve dhe nëngrupeve të punës për TI në EUROSAI, me pjesëmarrje aktive në disa aktivitete dhe trajnime. Synimi ynë është të zhvillojmë më tej këtë njësi dhe të nxjerrim auditime cilësore në shërbim të subjekteve, Kuvendit dhe qytetarëve të vendit tonë", theksoi znj. Spanca. Në vazhdim, zyrtarë të ZKA-së prezantuan rezultatet nga auditimet e TI-së si dhe për procesin e zhvillimit dhe funksionimin e SITA-s. Samir Zymberi, drejtor i Departamentit të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit, foli mbi zhvillimin e departamentit, aplikimin e metodologjisë së auditimit  në pajtim me praktikat ndërkombëtare si: ISSAI, GUID 5100, Manualin për auditimet e TI-së nga IDI si dhe dokumentet e ZKA-së. Ai theksoi bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mbështetjen nga ekspertët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë dhe Portugalisë për zhvillimin e auditimeve cilësore. Më tutje z. Zymberi foli mbi numrin dhe llojin e auditimeve të TI-së të kryera deri me tani, rëndësinë dhe ndikimin e tyre në funksion të sigurisë së sistemeve dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Poliksena Berisha, Auditore Seniore prezantoi procesin e auditimeve individuale të TI duke filluar nga prezantimi i temës, ekzekutimi i auditimit e deri te auditimet përcjellëse për zbatimin e rekomandimeve.  Ndër të tjera, ajo theksoi metodologjinë e përdorur, teknikat e auditimit, veglat e auditimit, dizajnuar nga grupi punues për auditimet e TI-së në EUROSAI etj. Ajo prezantoi procesin e auditimit të TI-së “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”, objektiven e auditimit, përmbajtjen e raportit, konkluzionet dhe rekomandimet kryesore. Kurse Shqipe Azemi, Specialiste e Teknologjisë së Informacionit foli mbi krijimin dhe  funksionimin e SITA-s duke informuar pjesëmarrësit për rrjedhën e procesit që nga fillimi e deri në vënien në përdorim të SITA-s, se si ky sistem e ka bërë punën më efikase pas strukturimit të të dhënave të procesit të auditimit dhe integrimin e tyre në bazën e të dhënave. Tutje znj. Azemi tregoi se SITA ka rritur transparencën në punën audituese duke mundësuar që të gjithë përdoruesit e autorizuar të kenë mundësi të qasen dhe të monitorojnë punën në çdo moment kohor. Po ashtu ajo ka thënë se parametrizimi efikas ka bërë të mundur gjenerimin e dokumenteve direkt nga sistemi me të gjitha tabelat dhe analizat e nevojshme. Gjithashtu  Azemi ka folur edhe për mundësitë e zbatuara në SITA për të komunikuar me sisteme të tjera si: sistemet e organizatave buxhetore, sistemin për analizimin e të dhënave IDEA dhe ueb faqen e ZKA-së për prezantimin e rekomandimeve të auditimit. Prezantimi është përcjellë me interesim të madh, në veçanti për SITA, e cila u cilësua si model edhe për ISA-t e tjera.
Lexo më shumë