Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/13/2023 7:58:49 PM

ZKA-ja dhe shoqëria civile shqyrtojnë tema me rëndësi për auditime të performancës

Partneriteti me organizatat e shoqërisë civile, shoqatat profesionale dhe donatorët vazhdon të fuqizohet përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit, u tha të enjten nga drejtuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë tryezës me përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorëve. E quajtur “Auditimet e performancës në fokus të bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe shoqërisë civile,” tryeza kishte qëllimin e përbashkët të identifikimit të çështjeve me interes publik për t’u audituar në sezonin auditues 2023/2024. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se tryeza sot përbën një hap tutje në vazhdimësinë e bashkëpunimit, gjithnjë me premisën për të rritur besimin e publikut në punën e ZKA-së. Përzgjedhja e temave të auditimeve të performancës bëhet me kujdes; ato duhet të jenë materiale për nga ana financiare apo sociale, të atilla që u shtojnë vlerë aktiviteteve aktuale të administratës publike. E para e institucionit tha se në përzgjedhjen e fushave për t’u mbuluar me auditimet e performancës, prokurimit dhe TI-së, do të merren parasysh edhe qëllimet e Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 (SDG), si dhe do të shihet mundësia për përfshirjen e auditimeve për ndryshime klimatike. Ndërsa Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi - Morina,  përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e auditimeve të performancës, prokurimit dhe IT-së, prezantoi propozimet e ZKA-së për temat e auditimit për sezonin në fjalë. Ajo informoi se ZKA-ja identifikoi 21 propozime të temave të mundshme të auditimit të performancës, nga të cilat, 11 janë në performancë,  5 në prokurim dhe 5 në Teknologji të Informacionit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorët vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritanishëm me ZKA-në, duke e përgëzuar për auditimet e kryera gjatë këtij viti si dhe temat e propozuara për sezonin auditues 2023/2024. Këta theksuan se të gjitha temat janë të qëlluara, dhe vështirë të përjashtohet njëra apo tjetra. Për më shumë, u tha se duhet trajtuar edhe temat që prekin aspektin e barazisë gjinore dhe atë social, me rekomandimin se ato duhet përfshirë edhe sektorin e energjisë, menaxhimin e resurseve humane në sektorin publik, mungesën e bordeve, etj. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se diskutimi dhe propozimet nga shoqëria civile, shoqatat profesionale dhe donatorët i shtojnë vlerë punës së ZKA-së e cila përmes auditimeve në fusha të ndryshme, kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja: Ministria për Komunitete dhe Kthim kontraktoi ndërtimin e shtëpive për të kthyerit për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

ZKA-ja: Ministria për Komunitete dhe Kthim kontraktoi ndërtimin e shtëpive për të kthyerit për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”. Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse Ministria ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmime të arsyeshme duke u bazuar në analiza paraprake të mirëfillta. Po ashtu, ky auditim ka vlerësuar nëse këto shtëpi janë ndërtuar plotësisht, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore sipas planit dhe limiteve buxhetore. Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro dhe auditimi përfshinë vlerësimin e nevojave, përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave. Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim. Auditimi ka konstatuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ishte ekonomike në kontraktimin e ndërtimit të shtëpive. Mangësitë ishin evidente nga faza e vlerësimit dhe arsyeshmërisë së  nevojave dhe  hulumtimi i çmimeve të tregut. Ministria kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit. Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë. Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës. Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera. Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive. Progresi i Ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi. Ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit sepse nuk kishte bërë vlerësim të duhur të nevojave, si në aspektin e pozicioneve të nevojshme ashtu edhe në numrin e shtëpive që do të ndërtohen. Po ashtu, Ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur. Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t'i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t'i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro. Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim (p.sh. materiale izoluese, dyer dhe dritare). Mangësi kishte edhe menaxhimi i kontratave sepse nuk ka plane dinamike për secilën shtëpi dhe ndryshimet në pozicione nuk ishin evidentuar. Kombinimi i ndërtimeve jashtë planeve sipas projekteve kryesore, mospërputhjet në pozicione, pagesat për punët e papërfunduara dhe progresi i ngadaltë në përmbushjen e kontratës së dytë janë ndër gjetjet kryesore që i kanë kontribuar Ministrisë për të mos siguruar strehim adekuat për të kthyerit. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” e gjeni këtu.  
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme me vizitë bilaterale në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme me vizitë bilaterale në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka, dhe Drejtori i Auditimit Shkëlqim Xhema, sot zhvilluan vizitë bilaterale në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. E para e institucionit tonë u prit në takim nga homologu z. Maksim Acevski, i cili shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Entit Shtetëror të Revizionit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, si dhe besimin se fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve supreme te auditimit dhe shkëmbimi i praktikave të mira të auditimit shtetëror do të rrisë kontributin në ekonomi, efikasitet dhe efektivitet në përdorimin e fondeve publike dhe në krijimin e një mjedisi efektiv të kontrollit. Znj. Spanca e falënderoi  për pritjen, duke afirmuar besimin dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe atë në kuadër të EUROSAI dhe INTOSAI. Në kuadër të kësaj vizite u mbajt edhe një takim pune në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku delegacioni nga ZKA u prit nga Kryetari i Kuvendit z. Talat Xhaferi. Ky i fundit vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e institucioneve supreme të auditimit si partnerë kryesorë të Kuvendit në rritjen e përgjegjësisë shtetërore dhe ndikimit për menaxhim më të mirë të fondeve publike. Zyrtarët tanë mbajtën edhe një takim pune me zyrtarë të lartë të Entit shtetëror të Revizionit, ku palët prezantuan të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen si dhe shkëmbyen përvojat e tyre për zhvillimet e fundit në institucionet përkatëse.  
Lexo më shumë