Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/11/2023 10:52:38 AM

ZKA-ja bëhet pjesë e programit LOTA Pioneers

Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Samir Zymberi dhe auditorja seniore e Teknologjisë së Informacionit, Poliksena Berisha janë pranuar në programin dyvjeçar “Pionierët duke Përdorur Avancimin e Teknologjisë (LOTA Pioneers)” të Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t. Rritja e interesimit për dixhitalizimin e auditimit ka bërë që ky program këtë vit të ndiqet nga rreth 70 përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. LOTA Pioneers ka për qëllim t’iu sigurojë Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) agjentë kompetentë të ndryshimit të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin e një strategjie afatgjatë të auditimit për teknologjinë e informacionit dhe kryerjen e një auditimi të teknologjisë së informacionit në ISA-të përkatëse.  Prandaj për Institucionet Supreme të Auditimit është e rëndësishme të kuptojnë ndryshimin e teknologjisë rreth tyre, të vlerësojnë implikimet e këtij ndryshimi për punën e tyre, të shfrytëzojnë avancimin e teknologjisë në auditime dhe të jenë në gjendje të auditojnë teknologjitë më të fundit të përdorura nga Qeveria. Ky program dyvjeçar do të ndjekë një qasje të kombinuar me ndërveprim  online dhe ballë për ballë. Pjesëmarrës nga 33 vende të ndryshme të botës do të kenë mundësinë të mësojnë nga profesionistë dhe ekspertë të fushës si dhe nga përvoja e njëri - tjetrit në transformimin e auditimit digjital sipas zhvillimeve të fundit të teknologjisë. Pjesëmarrësit e programit do të zhvillojnë projektet e tyre individuale, Strategjinë dhe Auditimin, sipas Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Audititmit (SNISA), të cilat duhet t’i përfundojnë deri në shtator të vitit 2024. Kandidatët që përfundojnë me sukses programin LOTA dhe projektet e detyrueshme individuale do të certifikohen dhe do të bëhen pjesë e rrjetit LOTA Alumni.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja: Mangësitë në menaxhimin e investimeve kapitale në sektorin e ujërave kanë rezultuar me dështime në zvogëlimin e humbjeve dhe përdorimin efektiv të tarifave të qytetarëve

ZKA-ja: Mangësitë në menaxhimin e investimeve kapitale në sektorin e ujërave kanë rezultuar me dështime në zvogëlimin e humbjeve dhe përdorimin efektiv të tarifave të qytetarëve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” për periudhën 2019-2021. Auditimi ka konstatuar se procesi i planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) nuk është menaxhuar mirë duke ndikuar që objektivat e synuara të mos arrihen me kohë dhe në mënyrë të duhur. Planifikimi i investimeve kapitale nga KRU-të është përcjell me disa mangësi si: mungesa e Planit të Menaxhimit të Aseteve dhe Planit Afatgjatë të Investimeve; mungesa e arsyeshmërisë së qëndrueshme të investimeve; mungesa e prioritizimit të projekteve; si dhe mos harmonizimi i Biznes Planit Rregullator  dhe Planit të Biznesit. Rezultatet e auditimit tregojnë se humbjet e ujit janë evidente dhe rezultojnë me humbje financiare. Problemi i humbjeve të ujit për shkaqe teknike dhe kyçjeve ilegale si dhe vlerat e ujit të pa faturuar mbeten ende sfidë. Edhe pse kishte një zvogëlim të lehtë të humbjes së ujit, humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55%. Dështimi i realizimit të projekteve të planifikuara dhe mos adresimi i humbjeve të ujit dhe ripërtrirjes së infrastrukturës, ka ndikuar që tarifat e qytetarëve për investimet kapitale të mos përdoren në mënyrën e duhur. Çështje kritike mbetet monitorimi joadekuat i investimeve kapitale në Kompanitë Rajonale të Ujit, duke paraqitur rreziqe në menaxhimin dhe realizimin e projekteve. Njëkohësisht edhe zgjerimi me shërbime të ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura nëpër zonat e shërbimit nga KRU-të vazhdon të përcillet me probleme dhe me një performancë të dobët dhe për këtë qytetarët në zona të caktuara nuk marrin shërbime të ujit. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se veprime konkrete duhet të ndërmerren nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për përmirësimin e procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale. Znj. Spanca deklaroi se mungesa e planifikimit të bazuar në nevoja dhe arsyetim të detajuar, ka rezultuar me mangësi në prioritizimin e investimeve në sektorin e ujërave dhe për pasojë ka pasur vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve si dhe shfrytëzim joefektiv të tarifave të qytetarëve. Me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime, prej tyre 11 për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, katër për Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një rekomandim për Ministrinë e Ekonomisë. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” e gjeni këtu.
Lexo më shumë
Projektet e renovimit të stadiumeve ende larg përfundimit, vonesa prej 4 deri në 7 vjet

Projektet e renovimit të stadiumeve ende larg përfundimit, vonesa prej 4 deri në 7 vjet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, duke vlerësuar kështu efikasitetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut, asaj të Gjilanit dhe Gjakovës në menaxhimin e projekteve për renovimin e stadiumeve si dhe përmbushjen e qëllimeve të prokurimit për këto projekte. Sipas Udhëzuesit të UEFA, tri projektet në fjalë i takojnë kategorisë së katërt të stadiumeve, me  kapacitet më të madh, të atilla që në momentin e licencimit, në to mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhë kombëtares së Kosovës. Këto stadiume janë të vetmet të kësaj kategorie që janë duke u realizuar në Kosovë. Vlera e përgjithshme e kontratave që kishte lidhur MKRS me komunat për renovimin e  tri stadiumeve ishte 16.7 milionë euro, ndërsa deri në kohën kur auditimi është kryer janë shpenzuar vetëm 5.6 milionë euro. Rezultatet e auditimit kanë vënë në pah se realizimi i këtyre projekteve u përcoll me vonesa disavjeçare, kosto shtesë si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit. Pavarësisht se kanë kaluar katër deri në shtatë vjet që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit. Madje, projektet mund të mos përfundojnë plotësisht dhe të mos funksionalizohen brenda afatit optimal kohor. Konkluzioni i ZKA-së është se MKRS dhe Komunat: Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë nuk i arritën qëllimet e përcaktuara për renovimin dhe rikonfigurimin e stadiumeve. Rezultatet e auditimit tregojnë se mos sigurimi me kohë i parakushteve të nevojshme bëri që shpronësimi i pronave për projektin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të shndërrohet në pengesë kryesore të realizimit të punimeve. Ndërsa Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime substanciale të kontratës për renovimin e stadiumit pa respektuar hapat e duhur, duke i shkaktuar komunës kosto shtesë prej 219,680 euro. Përveç kësaj, proceset e prokurimit u përcollën me probleme që cenuan transparencën dhe konkurrencën përgjatë tyre. Procedurat e negociuara në tri raste të prokurimit nuk u arsyetuan siç duhet dhe nuk plotësuan kushtet e duhura për t'u shfrytëzuar si të tilla. Hartimi i projektit për stadiumin e qytetit në Gjakovë, në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e numrit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së. Njëkohësisht,  shkaktoi vonesa edhe në realizimin e projektit. Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se mos realizimi i projekteve për renovimin e stadiumeve është e pafavorshme për futbollin dhe sportin në Kosovë. Madje, mos përfundimi i tyre paraqet rrezik për Kombëtaren e Kosovës dhe klubet sportive, pasi ato mund të detyrohen që ndeshjet ndërkombëtare t'i zhvillojnë në shtetet fqinje apo në rastin më të keq, t'i humbin ndeshjet me rezultat zyrtar. Për të siguruar që projektet e renovimit të stadiumeve të përfundojnë me sukses dhe brenda afateve sa më të shkurtra kohore, ZKA dha nëntë rekomandime. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë” e gjeni këtu.
Lexo më shumë