Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/15/2023 4:58:30 PM

Projektet e renovimit të stadiumeve ende larg përfundimit, vonesa prej 4 deri në 7 vjet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, duke vlerësuar kështu efikasitetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut, asaj të Gjilanit dhe Gjakovës në menaxhimin e projekteve për renovimin e stadiumeve si dhe përmbushjen e qëllimeve të prokurimit për këto projekte. Sipas Udhëzuesit të UEFA, tri projektet në fjalë i takojnë kategorisë së katërt të stadiumeve, me  kapacitet më të madh, të atilla që në momentin e licencimit, në to mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhë kombëtares së Kosovës. Këto stadiume janë të vetmet të kësaj kategorie që janë duke u realizuar në Kosovë. Vlera e përgjithshme e kontratave që kishte lidhur MKRS me komunat për renovimin e  tri stadiumeve ishte 16.7 milionë euro, ndërsa deri në kohën kur auditimi është kryer janë shpenzuar vetëm 5.6 milionë euro. Rezultatet e auditimit kanë vënë në pah se realizimi i këtyre projekteve u përcoll me vonesa disavjeçare, kosto shtesë si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit. Pavarësisht se kanë kaluar katër deri në shtatë vjet që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit. Madje, projektet mund të mos përfundojnë plotësisht dhe të mos funksionalizohen brenda afatit optimal kohor. Konkluzioni i ZKA-së është se MKRS dhe Komunat: Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë nuk i arritën qëllimet e përcaktuara për renovimin dhe rikonfigurimin e stadiumeve. Rezultatet e auditimit tregojnë se mos sigurimi me kohë i parakushteve të nevojshme bëri që shpronësimi i pronave për projektin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të shndërrohet në pengesë kryesore të realizimit të punimeve. Ndërsa Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime substanciale të kontratës për renovimin e stadiumit pa respektuar hapat e duhur, duke i shkaktuar komunës kosto shtesë prej 219,680 euro. Përveç kësaj, proceset e prokurimit u përcollën me probleme që cenuan transparencën dhe konkurrencën përgjatë tyre. Procedurat e negociuara në tri raste të prokurimit nuk u arsyetuan siç duhet dhe nuk plotësuan kushtet e duhura për t'u shfrytëzuar si të tilla. Hartimi i projektit për stadiumin e qytetit në Gjakovë, në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e numrit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së. Njëkohësisht,  shkaktoi vonesa edhe në realizimin e projektit. Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se mos realizimi i projekteve për renovimin e stadiumeve është e pafavorshme për futbollin dhe sportin në Kosovë. Madje, mos përfundimi i tyre paraqet rrezik për Kombëtaren e Kosovës dhe klubet sportive, pasi ato mund të detyrohen që ndeshjet ndërkombëtare t'i zhvillojnë në shtetet fqinje apo në rastin më të keq, t'i humbin ndeshjet me rezultat zyrtar. Për të siguruar që projektet e renovimit të stadiumeve të përfundojnë me sukses dhe brenda afateve sa më të shkurtra kohore, ZKA dha nëntë rekomandime. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë” e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja bëhet pjesë e programit LOTA Pioneers

ZKA-ja bëhet pjesë e programit LOTA Pioneers

Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Samir Zymberi dhe auditorja seniore e Teknologjisë së Informacionit, Poliksena Berisha janë pranuar në programin dyvjeçar “Pionierët duke Përdorur Avancimin e Teknologjisë (LOTA Pioneers)” të Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t. Rritja e interesimit për dixhitalizimin e auditimit ka bërë që ky program këtë vit të ndiqet nga rreth 70 përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. LOTA Pioneers ka për qëllim t’iu sigurojë Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) agjentë kompetentë të ndryshimit të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin e një strategjie afatgjatë të auditimit për teknologjinë e informacionit dhe kryerjen e një auditimi të teknologjisë së informacionit në ISA-të përkatëse.  Prandaj për Institucionet Supreme të Auditimit është e rëndësishme të kuptojnë ndryshimin e teknologjisë rreth tyre, të vlerësojnë implikimet e këtij ndryshimi për punën e tyre, të shfrytëzojnë avancimin e teknologjisë në auditime dhe të jenë në gjendje të auditojnë teknologjitë më të fundit të përdorura nga Qeveria. Ky program dyvjeçar do të ndjekë një qasje të kombinuar me ndërveprim  online dhe ballë për ballë. Pjesëmarrës nga 33 vende të ndryshme të botës do të kenë mundësinë të mësojnë nga profesionistë dhe ekspertë të fushës si dhe nga përvoja e njëri - tjetrit në transformimin e auditimit digjital sipas zhvillimeve të fundit të teknologjisë. Pjesëmarrësit e programit do të zhvillojnë projektet e tyre individuale, Strategjinë dhe Auditimin, sipas Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Audititmit (SNISA), të cilat duhet t’i përfundojnë deri në shtator të vitit 2024. Kandidatët që përfundojnë me sukses programin LOTA dhe projektet e detyrueshme individuale do të certifikohen dhe do të bëhen pjesë e rrjetit LOTA Alumni.
Lexo më shumë
Menaxhimi jo i duhur i projekteve të Teknologjisë së Informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës shkaktoi shpenzime të panevojshme

Menaxhimi jo i duhur i projekteve të Teknologjisë së Informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës shkaktoi shpenzime të panevojshme

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” për periudhën 2017-2022. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizimin e tyre. Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve. Dy sisteme të ndara në vlerë prej 567,406 euro ishin zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur. Për më tepër, auditori ka vërejtur se kishte rritje të trefishtë të vlerës së kostos totale krahasuar me vlerën e planifikuar. Struktura e TI-së mbeti e papërcaktuar dhe rregulloret për organizimin e brendshëm, rolin dhe funksionimin e IBK-së nuk u përditësuan. Për shkak të mungesës së planifikimit të duhur të investimeve, në kuadër të kontratave të ekzaminuara janë bërë shpenzimet e panevojshme prej së paku 98,000 euro. Më tutje, auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së. Gjithashtu, janë pranuar dhe miratuar produkte që nuk përmbushin specifikimet minimale teknike, sipas kontratës, si dhe ka mungesë të testeve të sigurimit të cilësisë. Siguria e informacionit dhe Plani për vazhdimësinë e biznesit për projektet e TI-së nuk ishin trajtuar nga Ministria apo Instituti. Më tej, nuk janë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve të informacionit. Ka mungesë të kontrolleve të qasjes fizike dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore ose nga ato të shkaktuara nga njeriu. Mungojnë edhe kopjet rezervë të sistemeve të informacionit, gjë kjo që ndjeshëm rrit rrezikun e ndërprerjes së sistemit dhe humbjes së të dhënave. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është shprehur se bazuar në dëshmitë e auditimit, në fushën e sistemit të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës ka mungesë të sigurimit të cilësisë, mangësi në konfigurimin e sistemit si dhe në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit.  Mos menaxhimi i duhur në fushën e TI-së në këtë Institut rezultoi me sisteme jofunksionale dhe të papërdorshme të cilat nuk përmbushin qëllimin e blerjes dhe zhvillimit të tyre, për më tepër kanë krijuar shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore. Si rrjedhojë, me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin e projekteve të sistemeve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit në IBK, ZKA dha 15 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” e gjeni këtu.
Lexo më shumë