Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/25/2023 7:12:16 PM

Punonjësi Faik Thaqi drejt përmbylljes së suksesshme të karrierës profesionale në ZKA

Kolegu dhe miku ynë Faik Thaqi shënon me sukses dhe shëndet të plotë përmbylljen e karrierës profesionale si Auditor Senior në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe kontributin e z. Thaqit përgjatë përvojës së tij prej gati dy dekadash në ZKA, duke shtuar se këshillat e tij profesionale do t’u shërbejnë kolegëve gjatë. Më tutje, ajo përshëndeti edhe stafin që zgjodhi të vazhdojë karrierën jashtë institucionit tonë, duke i falënderuar për punën e tyre të palodhshme si pjesë integrale të suksesit të ZKA-së. Znj. Spanca i uroi fat dhe shëndet z. Thaqi, si dhe stafit të mëparshëm suksese në shtigjet e reja. Faik Thaqi nisi punën në ZKA në shtator të vitit 2004, me përkushtim dhe profesionalizëm i dha kontribut të çmuar institucionit tonë dhe auditimit publik në përgjithësi. Me këtë rast z. Thaqi falënderoi Auditoren e Përgjithshme dhe kolegët për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai tha se ndjehet krenar dhe i privilegjuar që ka shërbyer në ZKA, duke e vlerësuar atë si një nga përvojat më të mira profesionale.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Për pesë vite institucionet publike zbatuan vetëm 37 për qind të rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2018

ZKA: Për pesë vite institucionet publike zbatuan vetëm 37 për qind të rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2018

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2018”, i cili ka për qëllim t’i ofroj Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës informata lidhur me veprimet e  institucioneve publike për zbatimin e rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës. Subjekt i raportit të vlerësimit ishin 123 rekomandime të dhëna në shtatë raporte të  auditimit të performancës, publikuar gjatë vitit 2018, e që përfshijnë 46 institucione publike. Zbatimi i disa rekomandimeve në nivel individual të subjekteve të audituara në tre nga shtatë raportet e auditimit të performancës ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes së identifikuar. Megjithatë, duke pasur parasysh se rekomandimet për këto raporte janë dhënë rreth pesë vite më parë, angazhimet e subjekteve të audituara për të zbatuar rekomandimet e dhëna nuk janë të mjaftueshme. Sipas rezultateve të vlerësimit, niveli i zbatimit të plotë të rekomandimeve për shtatë raportet e auditimit të performancës ishte 37%, ndërsa 25% e rekomandimeve janë trajtuar dhe janë në faza të ndryshme të zbatimit të tyre, kurse pjesa tjetër (38%) nuk janë zbatuar, nuk janë më të aplikueshme si dhe për disa prej tyre nuk janë dhënë përgjigje. Nga 123 rekomandime të dhëna, 45 prej tyre janë zbatuar, shtatë janë në fazën finale të zbatimit, 10 rekomandime janë duke u zbatuar, pesë rekomandime nuk kanë filluar të zbatohen, 14 rekomandime nuk janë më të aplikueshme për subjektet e adresuara (për nëntë nga to përgjegjësitë kanë kaluar në subjekte tjera derisa pesë nuk janë të aplikueshme më), ndërsa për 42 rekomandime subjektet e audituara nuk kanë dhënë përgjigje nëse është marrë ndonjë veprim për zbatimin e tyre. Lidhur me këtë raport të auditimit, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se mungesa e përgatitjes së planit të veprimit, mosgatishmëria e disa institucioneve që t’i përgjigjen vlerësimit si dhe numri i pamjaftueshëm i rekomandimeve të zbatuara, tregojnë mungesën e përkushtimit  të institucioneve publike për të përmirësuar performancën e tyre dhe menaxhimin e parasë publike. Përveç mangësive, vlerësimi konstaton se institucionet kanë ndërmarrë disa veprime të cilat mund të rezultojnë në përmirësimin e aktiviteteve në fushën e mjedisit, shëndetësisë, çështjeve sociale, prokurimit dhe punësimit. Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve si proces përcjellës është realizuar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Raportin e plotë të auditimit “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2018” e gjeni këtu.
Lexo më shumë
Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë dhe efektive nga Fondi për Sigurime Shëndetësore

Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë dhe efektive nga Fondi për Sigurime Shëndetësore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” për periudhën 2019-2022. Konkluzioni i këtij auditimi është se Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH) së bashku me Bordin Ekzekutiv nuk ishin efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave. FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim. Aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet. Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ. Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit. Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro. Fondi nuk menaxhoi dhe nuk raportoi në mënyrë të duhur obligimet, kishte vonesa në aprovim dhe pagesa, madje kishte fatura që nuk janë paguar që nga 2018. Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera. Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira. Mangësitë e identifikuara në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike ishin pasojë e ndryshimeve të praktikave të menaxhimit të këtij programi, pa u arsyetuar nevoja për ndryshim, mos funksionimi i duhur i kontrolleve të brendshme, ndryshimet e vazhdueshme organizative si dhe mos qartësimi i kornizës ligjore. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që Programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar. Për të siguruar që Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore menaxhohet në mënyrë më efektive dhe arrin objektivat, ZKA dha 13 rekomandime. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” e gjeni këtu.
Lexo më shumë