Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/29/2023 4:48:04 PM

Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë dhe efektive nga Fondi për Sigurime Shëndetësore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” për periudhën 2019-2022. Konkluzioni i këtij auditimi është se Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH) së bashku me Bordin Ekzekutiv nuk ishin efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave. FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim. Aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet. Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ. Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit. Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro. Fondi nuk menaxhoi dhe nuk raportoi në mënyrë të duhur obligimet, kishte vonesa në aprovim dhe pagesa, madje kishte fatura që nuk janë paguar që nga 2018. Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera. Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira. Mangësitë e identifikuara në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike ishin pasojë e ndryshimeve të praktikave të menaxhimit të këtij programi, pa u arsyetuar nevoja për ndryshim, mos funksionimi i duhur i kontrolleve të brendshme, ndryshimet e vazhdueshme organizative si dhe mos qartësimi i kornizës ligjore. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që Programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar. Për të siguruar që Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore menaxhohet në mënyrë më efektive dhe arrin objektivat, ZKA dha 13 rekomandime. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Punonjësi Faik Thaqi drejt përmbylljes së suksesshme të karrierës profesionale në ZKA

Punonjësi Faik Thaqi drejt përmbylljes së suksesshme të karrierës profesionale në ZKA

Kolegu dhe miku ynë Faik Thaqi shënon me sukses dhe shëndet të plotë përmbylljen e karrierës profesionale si Auditor Senior në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe kontributin e z. Thaqit përgjatë përvojës së tij prej gati dy dekadash në ZKA, duke shtuar se këshillat e tij profesionale do t’u shërbejnë kolegëve gjatë. Më tutje, ajo përshëndeti edhe stafin që zgjodhi të vazhdojë karrierën jashtë institucionit tonë, duke i falënderuar për punën e tyre të palodhshme si pjesë integrale të suksesit të ZKA-së. Znj. Spanca i uroi fat dhe shëndet z. Thaqi, si dhe stafit të mëparshëm suksese në shtigjet e reja. Faik Thaqi nisi punën në ZKA në shtator të vitit 2004, me përkushtim dhe profesionalizëm i dha kontribut të çmuar institucionit tonë dhe auditimit publik në përgjithësi. Me këtë rast z. Thaqi falënderoi Auditoren e Përgjithshme dhe kolegët për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai tha se ndjehet krenar dhe i privilegjuar që ka shërbyer në ZKA, duke e vlerësuar atë si një nga përvojat më të mira profesionale.
Lexo më shumë
ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022. Pavarësisht se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, auditimi konstatoi se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen  dhe rehabilitimin e viktimave. Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara. Po ashtu viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave. Procesi i auditimit  identifikoi mangësi edhe në angazhimin adekuat të  burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit. Gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente, policia reagon në kohë optimale, porse ka dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës te mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve. Rezultatet e auditimit tregojnë se gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në familje. Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit.  Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve. Zonja Spanca tha se zhvillimi i programeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin e viktimave, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe kompensimet materiale është me rëndësi jetike. Me përpjekje të vazhdueshme dhe angazhime për ndryshim, institucionet përgjegjëse mund të krijojnë mjedis të atillë ku viktimat e dhunës në familje mbrohen, rehabilitohen dhe fuqizohen, duke kontribuar kështu në çrrënjosjen e dhunës në familje dhe në shoqëri. Me qëllim të përmirësimit të sistemit shtetëror për mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje, ZKA dha gjithsej 19 rekomandime. Ndër këto, tri për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” e gjeni këtu.
Lexo më shumë