Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca: Lufta ndaj korrupsionit përbën obligim moral për çdonjërin nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë
Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv në mes të institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie, u tha nga të pranishmit në punëtorinë treditore, organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) me temën “Rritja e Bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe organeve kundër korrupsionit në Kosovë”.
Punëtoria interaktive ngjalli diskutime dhe debate nga pjesëmarrësit e pranishëm, deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC), Prokuroria e Shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Policia e Kosovës, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si dhe nga institucione të tjera. “Pesha e punëtorisë me synimin e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe organeve kundër korrupsionit me qëllimin e përbashkët të ngritjes së kapaciteteve për trajtimin e korrupsionit, është e madhe duke qenë se asnjë institucion si i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë dhe të triumfojë mbi këtë dukuri,” tha Auditorja e Përgjithshme zonja Vlora Spanca.
Sikurse në çdo vend të botës, edhe në Kosovë, korrupsioni cenon parimet e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, duke penguar rritjen e ekonomisë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Porse, transparenca dhe llogaridhënia janë parimet bazë mbi të cilat mund të ndërtojmë një shoqëri pa korrupsion, përfundimisht duke ndikuar kësisoj në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, tha ajo. Duke qenë dëshmitare e efekteve të dëmshme të korrupsionit në financat publike, qeverisjen dhe mirëqenien e qytetarëve. Znj. Spanca tha se lufta kundër korrupsionit nuk përbën veçse një betejë ligjore apo rregullative, por është edhe obligim moral i çdonjërit nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë.
Përmes auditimeve, ZKA-ja vazhdon të kontribuoj në të siguruarit se institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre sepse auditimet dhe rekomandimet e nxjerra ndihmojnë në zbulimin dhe parandalimin e praktikave korruptive, mbrojtjen e burimeve publike dhe promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Në përmbyllje të punëtorisë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse nxorën disa konkluzione dhe rekomandime lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për qëllim të ngritjes së bashkëpunimi dhe ndikimit në realizimin e mandatit të përbashkët që është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit.



Punonjësit e ZKA-së ndoqën edhe trajnimet mbi Identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve nëpërmjet njohjes së entitetit dhe mjedisit të tij, Procesi i Auditimit në ZKA, Korniza Ligjore në ZKA, Auditimet Investigative dhe Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga perspektiva e auditimit. Trajnimet vazhdojnë të mbahen me sukses edhe gjatë kësaj jave mbi temat: Punëtoria praktike hyrëse për Auditimin e Pajtueshmërisë, nën udhëheqjen e ekpertëve nga KPMG, Lidershipi dhe aftësitë e buta, si dhe Trajnimi për auditorët e performancës, udhëhequr nga ekspertët dhe trajnerët nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në kuadër të projektit të bashkëpunimit bilateral “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. 
Ndërsa deri në fund të muajit shtator punonjësit e ZKA-së do t’i ndjekin edhe trajnimet e tjera të planifikuara, siç janë: Vlerësimi i gabimit, Mostrimi në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë, Përdorimi i punës së Auditimit të brendshëm SNISA 610, Zhvillimi i njohurive tek procedurat substanciale edhe të pajutueshmërisë/programet e komponentëve sa i përket përshkrimit të procedurave të testeve dhe qëllimin e testeve, Korniza e Deklaratave Profesionale të Auditimit dhe ndryshimet, Procesi i auditimit në softuerin SITA, Prezantimi i Planit Kontabël të Përditësuar dhe Udhëzuesit e Planit Kontabël, Prezantimi i rezultateve të vetëvlerësimit të performancës së ZKA - SAI PMF, Sfidat gjatë procesit të auditimit në SITA, si dhe Aktivitetet e para angazhimit - Vlerësimi i pranueshmërisë së Kornizës së Raportimit Financiar të zbatueshme. 
