Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/7/2023 9:00:00 AM

ZKA-ja mbajti tryezën e punës “Roli i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit”

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me mbështetjen e USAID-it mbajti tryezën e punës “Roli i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit,” ku morën pjesë drejtues dhe përfaqësues nga Zyra e  Kryeprokurorit të Shtetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Inspektorati Policor i Kosovës, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, GIZ-i si dhe nga shoqëria civile.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se ky aktivitet përveç rritjes së ndërgjegjësimit për efektet e korrupsionit në menaxhimin e parasë publike ka për qëllim edhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike që direkt apo indirekt kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, ajo theksoi se është i domosdoshëm angazhimi i përbashkët i institucioneve që kanë mandat për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit nuk përbën veçse një betejë ligjore apo rregullative, ajo është obligim moral i çdonjërit nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë. Qartazi, asnjë institucion si i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë e të triumfojë mbi dukurinë e këtillë duke vepruar si i vetëm. Në këtë aspekt, me mandatin që na është dhënë, parandalimi dhe luftimi i këtij fenomeni, me ngulm kërkoj bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv, të ndajmë përvojën dhe burimet që kemi për të korrur rezultatet e duhura në nivele të ndryshme të administratës publike, por dhe shoqërisë në përgjithësi”, deklaroi znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme foli edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit me Kryeprokurorin e Shtetit, marrëveshje që ka për qëllim forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Me objektivën për të kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si dhe luftimin e korrupsionit, ajo tregoi se ZKA-ja në baza vjetore dërgon te Prokurori i Shtetit për hetim të mëtutjeshëm raste me elemente potenciale për mashtrim.

Drejtoresha e programit KMI/USAID, Maia Gogoladze, tha se sot kur po diskutojmë për luftën kundër korrupsionit në nivel institucional, le të mos reflektojmë vetëm mbi arritjet e mëparshme, por edhe të angazhohemi për sfidat në vijim. “Udha jonë kolektive nuk është vetëm për auditime dhe struktura ligjore, është për të përmirësuar narrativën e Kosovës në lidhje me integritetin, llogaridhënien dhe transparencën. Le të vazhdojmë këtë udhëtim së bashku me përpjekjen për përmirësim në qeverisje dhe drejtësi për të mirën e qytetarëve”, theksoi  Gogoladze.

Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të këtij institucioni në luftimin e korrupsionit duke përmendur një sërë masash që janë ndërmarrë. Ai tha se luftimi i korrupsionit nuk është mision vetëm i një institucioni publik por i të gjithë neve këtu sot.  “Deri më tani janë trajtuar shumë raste dhe kanë marr epilog, por ende ka nevojë për më shumë punë të përbashkët. Prandaj na duhet një bashkëveprim për të pasë më shumë suksese në luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi Hyseni. Ai foli edhe për bashkëpunimin në mes të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke thënë se rastet e pranuara nga ZKA-ja janë shpërndarë në prokuroritë themelore dhe ka veprime hetimore që janë duke u marrë në shumicën prej tyre.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, pas prezantimit të shkurtër të mekanizmave të APK-së për parandalimin e korrupsionit, theksoi nevojën për bashkërendim të angazhimit ndërinstitucional. “Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e gatshme dhe e interesuar për koordinim dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim parandalimin me sukses të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të institucioneve publike. Pas riorganizimit të strukturës së Agjencisë, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional do të ngritet në nivel edhe më të lartë”, tha Buleshkaj.

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Avni Sahiti, përmendi arritjet që janë bërë në fushën e prokurimit publik, megjithatë, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ka koordinim dhe përfshirje të institucioneve që janë të thirrura në parandalim dhe luftën kundër korrupsionit. “Në emër të KRPP-së rikonfirmoj gatishmërinë e lartë për bashkëpunim të mëtutjeshëm, për të promovuar parimet e qeverisjes së mirë dhe për të fuqizuar transparencën dhe llogaridhënien e të gjitha institucioneve publike. Gjithashtu edhe Raporti i Progresit të KE për Kosovën edhe këtë vit thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të prokurimit, për të siguruar një zbatim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm të kornizës rregullative në fushën e prokurimit publik, rritjes dhe forcimit të kapaciteteve të këtyre institucioneve”, tha Sahiti.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, foli për aktivitetet në të cilat angazhohet IPK-ja në luftimin e korrupsionit dhe rezultatet e arritura në hetimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion. “Këto dy vitet e fundit kemi pas rezultate të mira, ndoshta më të mëdhatë që nga themelimi i IPK-së”, deklaroi ai.  Gjithashtu Hodaj theksoi rëndësinë e mbajtjes së aktivitete të tilla sikurse tryeza e sotme që forcojnë bashkëpunimin dhe rrisin efikasitetin e organeve të zbatimit të ligjit në parandalimin e korrupsionit.

Drejtori i Rrjetit të OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, tha se takimet e tilla janë të dobishme dhe duhet të rritet bashkëpunimi në mes të institucioneve përgjegjëse për luftimin e korrupsionit. Ai tha se raportet e auditimit të ZKA-së kanë fakte të mjaftueshme për hetime të mëtutjeshme. “Duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë zyrtarët nga niveli qendror po ashtu dhe ata të nivelit lokal. Po ashtu duhet të rriten masat ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit”, deklaroi Gashi.

Në mbyllje të tryezës Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse për kontributin e dhënë duke shprehur përkushtimin e saj për rritje të bashkëpunimit i cili ka një qëllim të përbashkët: parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme takoi Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund

Auditorja e Përgjithshme takoi Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, znj. Vlora Spanca, priti në takim Ambasadorin suedez në Kosovë, z. Jonas Westerlund, për të diskutuar për zhvillimet aktuale dhe mbështetjen që institucioni merr nga partnerët ndërkombëtarë. Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, znj. Myrvete Gashi-Morina.

Znj. Spanca falënderoi Ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti suedez, veçanërisht bashkëpunimin e suksesshëm me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë që ka filluar që nga viti 2011. Diskutimet u përqendruan rreth rolit, ndikimit dhe arritjeve të deritanishme të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Temë e veçantë ishte mirëmbajtja dhe ruajtja e pavarësisë institucionale dhe sfidave të mundshme për të arritur këtë. Znj. Spanca, theksoi rëndësinë e madhe të këtij bashkëpunimi duke cekur se ndihma e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka ndikuar që cilësia e auditimeve në ZKA të vlerësohet në nivel të lartë nga mekanizma kompetentë ndërkombëtarë, Kuvendi dhe palët e tjera të interesit.

Ambasadori Westerlund rikonfirmoi përkrahjen e Suedisë dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Zyrën Kombëtare të Auditimit në avansimin e cilësisë së punës audituese për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, si dhe shprehu mbështetjen e ambasadës në adresimin e sfidave të institucionit tonë.

Palët shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin më qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në lidhje më përdorimin e fondeve në administratë publike.

 

Lexo më shumë
Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore.

Raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë. ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet.


Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA).
Duke ju referuar mandatit kushtetues dhe ligjor, Auditorja e Përgjithshme siguron opinionin publik se auditimi “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” është kryer në përputhje të plotë më Kushtetutën, aktet tjera ligjore të aplikueshme, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara.


Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj.  Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti. Përtej kësaj, konteksti i termit “financiar” është shumëfish më gjithëpërfshirës se sa ai që i është dhënë përmes vlerësimeve të prezantuara në raport dhe se auditimi i kryer është gjithsesi i ndërlidhur me menaxhim financiar të parasë publike.
Rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) e konfirmojnë edhe dy (2) rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, (Rezoluta A/66/209 dhe Rezoluta A/69/228) të emëruara “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, nëpërmjet forcimit të institucioneve supreme të auditimit”.


ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro. Planifikimi i mirë dhe përdorimi i drejtë i këtyre fondeve për qëllimet e caktuara ndikon në efektivitetin, efikasitetin dhe ekonomicitetin e proceseve të cilat janë edhe parimet kryesore të vlerësimeve të auditimit të performancës.
E theksojmë se auditime të tilla, ZKA ka kryer edhe më parë. Vlen të përmendet auditimi “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykata” i kryer në vitin 2017, si dhe auditimin “Sistemi për menaxhimin informativ të lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, i kryer në vitin 2021.


Praktika të tilla dhe auditime të ngjashme kryhen edhe nga institucione supreme të auditimit nga vende të ndryshme, disa prej të cilave janë: Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Qeveritare e Llogaridhënies së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet supreme të auditimit të Skocisë, Letonisë, Uellsit, etj.
ZKA, vlerëson se raporti i auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”,  nxjerr në pah çështje të rëndësishme dhe më interes të lartë publik, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mund t’ju shërbejnë institucioneve përgjegjëse për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre në trajtimin dhe procedimin e këtyre rasteve.


Pavarësisht pretendimeve për të interpretuar mandatin dhe kompetencat e institucionit, ZKA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit të mirë me palët e jashtme të interesit, në veçanti me mediat dhe Shoqërinë Civile duke respektuar punën dhe angazhimin e tyre të pavarur.

 

Lexo më shumë