Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agim Krasniqi, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me qëllim të bashkëpunimit në përmirësimin e cilësisë së auditimit të brendshëm me fokus në qeverisjen, vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe ngritjen e cilësisë së raporteve të auditimit të brendshëm.
Memorandumi parasheh bashkëpunim ndërinstitucional në implementimin e programit të trajnimit për zhvillimin e vazhdueshëm profesional për auditorët e brendshëm, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira të punës, organizimin e punëtorive dhe seminareve të përbashkëta, si dhe mbajtjen e takimeve për çështje të ndryshme në fushën e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm me qëllim të mbështetjes së ndërsjellë profesionale.
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, Zyra Kombëtare e Auditimit pajtohet që t’i ofrojë mbështetje profesionale Njësisë Qendrore Harmonizuese në fushën e metodologjisë dhe qasjes audituese në proceset e planifikimit dhe ekzekutimit të auditimit përmes trajnimeve dhe formave tjera të edukimit të vazhdueshëm profesional për auditorët e brendshëm. Po ashtu palët pajtohen të shkëmbejnë informatat e nevojshme që ndihmojnë në rritjen e cilësisë së punës audituese.