Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/16/2024 1:53:00 PM

Edhe sivjet vonesa në dorëzimin e planeve të veprimit nga disa institucione

Institucionet publike që i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sipas nenit 23, paragrafit 5, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kanë për obligim që brenda një afati prej 30 ditësh nga pranimi i raportit të auditimit, t’i dorëzojnë ZKA-së planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve. Edhe këtë vit, një numër i caktuar i institucioneve publike nuk i dorëzuan me kohë planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, ka një progres sa i përket auditimeve financiare, përderisa gjendja më e rënduar vazhdon të jetë tek auditimet e performancës.

Planet e veprimit me vonesë i kanë dorëzuar nëntëmbëdhjetë (19) institucione si: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT),  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministria e Ekonomisë (ME), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti”, komuna e Fushë Kosovës, Ferizajt, Kllokotit, Gjakovës,  Ranillugut, Junikut si dhe komuna e Dragashit.

Edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e dorëzoi me vonesë planin e veprimit për Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022.  

Ndërsa gjendje më e rënduar për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, nuk i dërguan fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse disa të tjera i dorëzuan me vonesë.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” planin e veprimit nuk e dorëzuan: Mbrojtësit e viktimave në Prishtinë dhe Pejë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Pejë, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Pejë si dhe Qendra për punë sociale Prishtinë dhe Pejë.

Për raportin e auditimit “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Ekonomisë, KRU Gjakova dhe KRU Hidroregjioni Jugor.

Për auditimin “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” me vonesë planin e veprimit e dorëzoi Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Për raportin e auditimit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” me vonesë planin e veprimit të rekomandimeve e dorëzoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural/ Instituti Bujqësor i Kosovës.

Për raportin e auditimit “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komuna e Mitrovicës së Jugut, komuna e Gjilanit si dhe komuna e Gjakovës.

Për raportin e auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Mitrovicës, Lipjanit, Drenasit, Vushtrrisë, Skenderajt, Pejës, Prizrenit, Leposaviqit dhe Shtërpcës.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore” planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve nuk  e dorëzoi Ministria e Shëndetësisë.

Për raportin e auditimit “Ekonomiciteti dhe Efektiviteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” planin e veprimit nuk e dorëzoi Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021” planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nuk e dorëzoi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara.

Të gjitha planet e veprimit për vitin 2022 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu. 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën u priten në takim nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe auditori i brendshëm në Sekretariatin e KPK-së, Beqir Dauti.
Takimi kishte për qëllimi avancimin e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe diskutimin për zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për menaxhimin transparent të financave publike.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, u dakorduan për nevojën e organizimit të trajnimeve të përbashkëta me prokurorë, ku do të diskutohen dhe trajtohen gjetjet dhe rekomandimet e auditimit, duke theksuar përkushtimin e përbashkët për të punuar gjithnjë në interes të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit.
Me këtë rast, z. Maloku e informoi Auditoren e Përgjithshme, për përpjekjet dhe angazhimin e sistemit prokurorial në përmirësimin e vazhdueshëm rreth menaxhimit të fondeve publike, duke u mbështetur në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe rekomandimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KPK-së.
Znj. Spanca dhe z. Maloku dhe u zotuan që në të ardhmen të ketë më shumë takime të tilla për të trajtuar tema me interes të përbashkët në funksion të menaxhimit të financave publike si dhe identifikimit të sfidave.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme u takua me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme u takua me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga  Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, u priten në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.

Në fokus të takimi ishte bashkëpunimi në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv të fondeve publike, si dhe zbatimi i standardeve dhe praktikave më të mira në menaxhimin transparent të financave publike.

Auditorja e Përgjithshme u njoftua nga z. Zogaj për angazhimin e sistemit gjyqësor, duke theksuar zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm si dhe Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KGJK-së.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit si dhe në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët. 

 

Lexo më shumë