Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/17/2024 4:17:00 PM

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën u priten në takim nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe auditori i brendshëm në Sekretariatin e KPK-së, Beqir Dauti.
Takimi kishte për qëllimi avancimin e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe diskutimin për zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për menaxhimin transparent të financave publike.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, u dakorduan për nevojën e organizimit të trajnimeve të përbashkëta me prokurorë, ku do të diskutohen dhe trajtohen gjetjet dhe rekomandimet e auditimit, duke theksuar përkushtimin e përbashkët për të punuar gjithnjë në interes të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit.
Me këtë rast, z. Maloku e informoi Auditoren e Përgjithshme, për përpjekjet dhe angazhimin e sistemit prokurorial në përmirësimin e vazhdueshëm rreth menaxhimit të fondeve publike, duke u mbështetur në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe rekomandimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KPK-së.
Znj. Spanca dhe z. Maloku dhe u zotuan që në të ardhmen të ketë më shumë takime të tilla për të trajtuar tema me interes të përbashkët në funksion të menaxhimit të financave publike si dhe identifikimit të sfidave.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kosova dhe Shqipëria kryejnë auditimin e përbashkët për “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”

Kosova dhe Shqipëria kryejnë auditimin e përbashkët për “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi, dhe Auditorja Arlinda Mustafa, qëndruan të premten për vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH) të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, priti në takim të veçantë znj. Spanca me bashkëpunëtorë, duke shënuar kështu përfundimin e auditimit të përbashkët të TI-së “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”. Takimi kishte për qëllim diskutimin e ecurisë dhe rezultatet e punës audituese në të dy institucionet si dhe mundësitë e reja për avancimin e bashkëpunimit në të ardhmen. 

Me këtë rast z. Shehu vlerësoi punën e bërë si dhe falenderoi ekipet e auditimit duke thënë është përmbyll me sukses një auditim sfidues mbi sistemet e informacionit, i cili është vlerë e shtuar për punën e auditorëve. Ai tha se ky auditim shërbeu edhe në shkëmbimin e vlefshëm të ideve, praktikave të punës, qasjeve, harmonizimit të metodologjive që ekipet respektive të auditimit ndanë së bashku duke përfituar më të mirën nga njëri-tjetri.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca falënderoi kryetarin Shehu për mirëpritjen dhe në veçanti gatishmërinë për bashkëpunimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj kohe, jo vetëm në projektin e auditimit paralel.

 

Znj. Spanca theksoi se janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.  Një nismë e rëndësishme e këtij partneriteti  në vitin 2022 ishte organizimi i këtij auditimi paralel me fokus teknologjinë e informacionit.

“Ekipet e të dy Institucioneve Supreme të Auditimit kanë punuar ngushtë me njëra-tjetrën dhe janë dakorduar rreth organizimit dhe ekzekutimit të auditimit paralel në sistemet e informacionit të kompanive të ujësjellësit, duke u fokusuar veçanërisht në Ujësjellësin e Tiranës dhe Ujësjellësin Rajonal të Prishtinës. Ekipet  patën rast për të diskutuar çështjet në secilën fazë të auditimit”, deklaroi Spanca, duke shtuar se ndër qëllimet kryesore të këtij lloj angazhimi është hapja e portave të përbashkëta për të shkëmbyer përvojën dhe eksperiencën, veçanërisht në fusha më specifike, siç është auditimi i teknologjisë së informacionit.  

“Bazuar në raportet individuale të auditimit më gëzon fakti që sot kemi përpara një raport përmbledhës të hartuar nga të dy ISA-të. Raporti përfshinë çështjet kyçe të auditimit paralel me një pamje të plotë dhe të strukturuar rreth zhvillimit të këtij procesi dhe rezultateve të auditimit, duke përfshirë edhe rekomandime për përmirësim”, tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Ajo theksoi se me realizimin me sukses të projekteve të tilla më se miri tregohet se në institucionet tona kemi njerëz të përgatitur, profesional, kompetent dhe të përkushtuar për të arritur majat e suksesit.

Z. Shehu dhe znj. Spanca shprehën përkushtimin e tyre për vijueshmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në auditime të tjera për tematika të rëndësishme dhe me interes të përbashkët.

 

Lexo më shumë
Edhe sivjet vonesa në dorëzimin e planeve të veprimit nga disa institucione

Edhe sivjet vonesa në dorëzimin e planeve të veprimit nga disa institucione

Institucionet publike që i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sipas nenit 23, paragrafit 5, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kanë për obligim që brenda një afati prej 30 ditësh nga pranimi i raportit të auditimit, t’i dorëzojnë ZKA-së planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve. Edhe këtë vit, një numër i caktuar i institucioneve publike nuk i dorëzuan me kohë planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, ka një progres sa i përket auditimeve financiare, përderisa gjendja më e rënduar vazhdon të jetë tek auditimet e performancës.

Planet e veprimit me vonesë i kanë dorëzuar nëntëmbëdhjetë (19) institucione si: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT),  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministria e Ekonomisë (ME), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti”, komuna e Fushë Kosovës, Ferizajt, Kllokotit, Gjakovës,  Ranillugut, Junikut si dhe komuna e Dragashit.

Edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e dorëzoi me vonesë planin e veprimit për Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022.  

Ndërsa gjendje më e rënduar për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, nuk i dërguan fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse disa të tjera i dorëzuan me vonesë.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” planin e veprimit nuk e dorëzuan: Mbrojtësit e viktimave në Prishtinë dhe Pejë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Pejë, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Pejë si dhe Qendra për punë sociale Prishtinë dhe Pejë.

Për raportin e auditimit “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Ekonomisë, KRU Gjakova dhe KRU Hidroregjioni Jugor.

Për auditimin “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” me vonesë planin e veprimit e dorëzoi Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Për raportin e auditimit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” me vonesë planin e veprimit të rekomandimeve e dorëzoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural/ Instituti Bujqësor i Kosovës.

Për raportin e auditimit “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komuna e Mitrovicës së Jugut, komuna e Gjilanit si dhe komuna e Gjakovës.

Për raportin e auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Mitrovicës, Lipjanit, Drenasit, Vushtrrisë, Skenderajt, Pejës, Prizrenit, Leposaviqit dhe Shtërpcës.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore” planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve nuk  e dorëzoi Ministria e Shëndetësisë.

Për raportin e auditimit “Ekonomiciteti dhe Efektiviteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” planin e veprimit nuk e dorëzoi Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021” planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nuk e dorëzoi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara.

Të gjitha planet e veprimit për vitin 2022 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu. 

 

 

Lexo më shumë