Nazia Mintz - Habib, Drejtore Hulumtuese në Qendrën për Fuqitë në Rritje të Universitetit të Kembrixhit dhe z. Steve McCaule, Mentorues për Udhëheqje Ekzekutive pranë kësaj Qendre, kanë vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit në datat 22 - 23 nëntor 2016.
Me datë 22 nëntor 2016, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i ka pritur në një takim të shkurtër përshëndetës, ndërsa znj. Mintz dhe z. McCaule gjatë ditës kanë marrë pjesë në Ceremoninë e Certifikimit të Auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Sektorin Publik dhe në tryezën rajonale me temën "Sfidat në zhvillimin institucional dhe resurseve humane në Institucionet Supreme të Auditimit".
Me datë 23 nëntor, znj. Mintz dhe z. Mc Caule, kanë takuar grupin menaxhues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime me qëllim dizajnimin e një programi ekzekutiv të edukimit për zhvillimin e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në parim të dyja palët u pajtuan që fokusi kryesor i këtij programi duhet të jetë në ofrimin e kurseve për nivelin ekzekutiv në politika publike dhe një skemë certifikimi për auditorët e performancës.
Përfaqësuesit e Universitetit të Kembrixhit, u shprehën shumë të kënaqur për mbështetjen që mund të japin për Zyrën Kombëtare të Auditimit, ndërsa angazhimi i mëtutjeshëm nga të dyja palët do të jetë në koordinim me aktivitetet dhe planin e vendosur.