Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/30/2016 4:34:54 PM

Paraqitja e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2015 në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës

Fjala e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, z. Besnik Osmani I nderuar  (Nën) Kryetar i Kuvendit, Të nderuar deputetë, Të nderuar Ministra, Kam kënaqësinë e veçantë të paraqes para Jush Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2015. Dëshiroj që fillimisht t'ju shpreh falënderimin tim për besimin që më keni dhënë në Mars të këtij viti, duke më zgjedhur si Auditorin e parë të Përgjithshëm - shtetas të Republikës së Kosovës. Ky fakt e rrit edhe më shumë përgjegjësinë time. Të nderuar deputetë, Raporti që po paraqes sot përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet tona nga puna e kryer nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit përgjatë sezonës së auditimit 2015/16. Opinionet individuale Raporti përmbledh transaksionet në lidhje me të gjitha aktivitetet e institucioneve, me përjashtim të Bankës Qëndrore të Kosovës, Trustit Pensional të Kosovës, Agjensionit Kosovar të Inteligjencës dhe Radio Televizionit të Kosovës. Për të përfunduar këtë raport, ne paraprakisht, kemi audituar dhe publikuar 90 raporte të rregullsisë (auditim i pasqyrave vjetore financiare dhe auditim i pajtushmërisë me rregullat përkatëse) dhe 8 raporteve të performancës (rishikim i vlerës për para të arritur nga përdorimi i burimeve). Gjatë periudhës audituese kemi pasur përkrahje nga Institucionet Supreme të Auditimit të Britanisë së Madhe, të Suedisë dhe të Holandës të cilët kanë ndihmuar ZKA-në për të rritur sigurinë që procesi i auditimit të jetë në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit dhe praktikat më të mira audituese. Në bazë të rezultateve nga puna audituese, na është mundësuar që të japim rekomandime për të promovuar qeverisjen e mirë dhe përmirësuar menaxhimin financiar. Në këto raporte ne kemi dhënë 91 opinione lidhur me Pasqyrat Vjetore Individuale Financiare, më saktësisht: -       30 opinione të pakualifikuara; -       41 opinione të pakualifikuara me theksim të çështjes; -       6 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes; -       10 opinione të kualifikuara; dhe -       4 opinione të kundërta. Në këto raporte kemi vendosur  1237 të gjetura dhe kemi dhënë 1200 rekomandime nga të cilat 863 me prioritet të lartë. Të nderuar Deputetë, (Rezultatet pozitive)   Fillimisht, do të doja të theksoja disa zhvillime të rëndësishme pozitive që i kemi evidentuar gjatë vitit 2015 në zhvillimin e raportimit financiar dhe menaxhimin e parasë publike, krahasuar me vitin 2014.

  • Është evidentuar performancë më e mirë buxhetore si rezultat i ndryshimit të politikave fiskale, aplikimit të rritjes së normës së TVSH-së dhe akcizës për disa produkte të caktuara, si dhe forcimin e kontrollit në menaxhimin e të hyrave,
  • Po ashtu, në raport me vitin 2014 janë rritur të hyrat për 16.6%. Rritja ishte rezultat i inkasimit më të lartë të tatimeve, financimit nga huamarrja dhe financimit të njëhershëm nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe i mbledhjes së të hyrave vetanake.
  • Gjatë vitit 2015, Organizatat Buxhetore kanë treguar performancë më të mirë buxhetore në realizimin e pagesave si dhe uljen e obligimeve të papaguara në nivelin lokal.
  • Qeveria e Kosovës, ka ndërmarr veprime konkrete për të siguruar regjistrimin e pagesave nga palët e treta në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës dhe prezantimin e drejtë të tyre - edhe pse ende ekzistojnë mospërputhje, megjithatë ka përmirësim të ndjeshëm.
Opinioni Përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë Opinion të Kualifikuar me Theksim të Çështjes për Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Kosovës për vitin fiskal 2015. Në fakt, Raporti Vjetor Financiar prezanton një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015, përveç efekteve në vijim:
  • Qeveria e Kosovës fillimisht, e më pastaj Kuvendi i Kosovës duke miratuar Buxhetin për vitin 2015, kanë keq-klasifikuar në shkallë vendi buxhetimin për mallra e shërbime dhe subvencione e transfere në vlerë prej 23 milion euro duke i trajtuar si investime kapitale. Po, ashtu 2 milion euro të tjera janë keq-klasifikuar nga vet Organizatat Buxhetore - si pasojë e gabimeve dhe aplikimit jo të drejtë të planit kontabël apo përdorimit joadekuat të fondeve në dispozicion, gjatë procesit të ekzekutimit.
Ne poashtu vendosëm për theksim të çështjeve për shkak të:
  • shpalosjeve jo të plota dhe të pasakta të pasurive në regjistrin e pasurisë mbi 1,000 €; si dhe
  • për mos-shpalosje të plotë të Llogarive të Arkëtueshme.
Deficiti buxhetor   Përveç Opinionit të Auditimit ne kemi dhënë një vlerësim të pajtueshmërisë së kufirit të deficitit buxhetor. Vlen për t'u theksuar se Qeveria, kishte siguruar që deficiti i planifikuar të jetë brenda kufirit të lejuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Nga perspektiva audituese, ne e nënvizojmë si shumë të rëndësishëm rezultatin që ka pasur Qeveria për të mbajtur deficitin në shkallën 1.3% të Bruto Produktit Vendor, për vitin 2015. Të nderuar deputetë, Në vijim dëshiroj të prezantoj para Jush gjetjet për disa fusha të rëndësishme që kërkojnë vëmendjen e Kuvendit dhe të Qeverisë, si: 1.    Menaxhimi i Prokurimit Publik 2.    Menaxhimi i Burimeve Njerëzore 3.    Qeverisja e mirë 4.    Menaxhimi i subvencioneve 5. Performanca në sektorë të caktuar që kanë qenë subjekt i auditimit Po filloj me prokurimin.   1. Menaxhimi i Prokurimit Publik në nivel të organizatave buxhetore   Raportet individuale të auditimit për vitin 2015 kanë treguar që ka akoma mangësi në menaxhimin e prokurimit. Një numër procesesh të aplikuara nga Organizatat Buxhetore nuk janë në pajtim të plotë me kornizën e Ligjit të Prokurimit Publlik. Në vitin 2015 institucionet publike kanë nënshkruar rreth 11 mijë kontrata përmes prokurimit në vlerë prej mbi 400 milion €. Kjo vlerë vë në pah rëndësinë e një kornize prokurimi të menaxhuar mirë për të siguruar maksimizimin e përfitimeve për taksapaguesit. Çështjet kryesore të pajtueshmërisë që janë hasur në shumicën e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal janë:
  • Vonesa në realizimin e projekteve kapitale
  o   vërehet mungesë e kontrolleve për të siguruar që procedurat e prokurimit kanë filluar me kohë o   nuk është monitoruar në mënyrë efektive implementimi i kontratës në baza kohore o   nuk është bërë harmonizimi i kërkesave për rrjedhë të parasë me fondet në dispozicion.
  • Mos respektimi i kërkesave të Ligjit për Prokurim Publik
  o   janë bërë blerje pa procedura të prokurimit, në rastet kur kërkohet të aplikohen ato o   janë shmangur procedurat e hapura të prokurimit dhe janë aplikuar procedurat me kuotim çmimesh apo me vlerë minimale.   Qeveria e Kosovës ka filluar projektin e prokurimit elektronik i cili ka për qëllim të përmirësojë vendimmarrjen, transparencën dhe efikasitetin në zhvillimin e procedurave të prokurimit. Ne e kemi vlerësuar si shumë të dobishëm këtë projekt dhe presim që ai të bëhet sa më shpejtë plotësisht operacional, përfshirë ngritjen e kapaciteteve menaxheriale, njerëzore dhe teknike në agjencitë përgjegjëse qeveritare. Kjo është një mundësi e mirë, për të shmangur disa nga gjetjet që ne i kemi nënvizuar në raportet e deitanishme. 2. Menaxhimi i Burimeve Njerëzore në nivel të organizatave buxhetore Menaxhimi i personelit në nivelin e Organizatave Buxhetore ishte përcjellë me disa parregullsi, si: -       mbulimi i pozitave drejtuese me ushtrues detyre, përtej afateve të përcaktuara me kornizë ligjore -       lidhja e kontratave të shumta për shërbime të veçanta, pa procedura të rekrutimit, si dhe burimet të financimit të paqëndrueshme për këtë kategori derisa në disa raste qëllimet e rekrutimit janë të paqarta. Ne kemi evidentuar 1300  të punësuar që në raport me 78,381 punëtorë është  1.65%. 3. Qeverisja e mirë   Në fushën e Qeverisjes së mirë, kemi evidentuar zhvillime pozitive. Megjithatë, iniciativat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë plotësisht efektive. Qeveria ka zhvilluar një sistem vet-vlerësues i cili është bazë për monitorimin e zhvillimeve në qeverisje. Gjetjet tona theksojnë nevojën për rritje të konsiderueshme të fokusit në çështje të qeverisjes nga ana e menaxherëve të sektorit publik. Qeveria duhet të vazhdojë ofrimin e trajnimeve shtesë për menaxherët e Organizatave Buxhetore për përdorimin e pyetësorit të vet-vlerësimit, për zhvillimin e procesit dhe për potencialin që ai ofron në zhvillimin e qeverisjes së mirë.   Njësia e Auditimit të Brendshëm dhe Komiteti i Auditimit kanë një rol kyç për ta mbështetur dhe promovuar qeverisjen e mirë. Rezultatet e auditimit tonë kanë treguar se:
  • rreth 30% e Njësive të Auditimit të Brendshëm nuk kanë numrin e mjaftueshëm të stafit, ndërsa 9 Organizata Buxhetore nuk kanë themeluar Njësitë e Auditimit të Brendshëm.
  • 20% e Organizatave Buxhetore nuk e kanë themeluar Komitetin e Auditimit.
  • 54% e rekomandimeve të auditorëve të brendshëm janë implementuar plotësisht, 26% janë në proces të implementimit, ndërsa 20% e rekomandimeve nuk janë implementuar.
4. Menaxhimi i subvencioneve Menaxhimi i subvencioneve si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal mbetet sfidë. Praktika aktuale e vlerësimit, monitorimit dhe raportimit të subvencioneve nuk ofron siguri të mjaftueshme se ato shfrytëzohen për qëllimet e dedikuara dhe nëse janë arritur rezultatet e pritura. Prandaj, Qeveria duhet me prioritet të ndërrmarr veprime për përgaditjen dhe aplikimin e rregulloreve financiare për menaxhimin e subvencioneve që të arrihet një proces më efektiv dhe trasaprentë. 5. Fushat me rëndësi të veçantë - auditimet e performancës Përveç auditimeve të rregullsisë, ZKA për çdo vit realizon një numër të auditimeve të performancës. Këto auditime kanë për qëllim të vlerësojnë ekonomicitetin, efikasitetin dhe efektshmërinë me të cilat një institucion i përdorë burimet gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij. Megjithëse ka pasur përpjekje nga institucionet për të vendosur një organizim të strukturuar të përcjellë me bazë ligjore, auditimet tona kanë evidentuar se ka mungesë të konsistencës ndërmjet legjislacionit, planeve strategjike dhe mekanizmave implementues. Po ashtu vërehet zhvillim jo i mjaftueshëm i mekanizmave monitorues. Për sezonin e auditimit 2015/2016 ne kemi kryer disa auditime që kanë të bëjnë me: -       monitorimin e zotimeve të blerësve të Ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara me spin off special, -       grantet komunale në bujqësi, -       masat e eficiencës së energjisë, -       menaxhimin e proceseve të pajisjes së nxënësve me tekste shkollore etj. Nga këto auditime të performancës, po i veçoj vetëm dy nga shumë konstatime të rëndësishme që rrjedhin nga ato: o   Përmbushja e zotimeve nga blerësit e Ndërmarrjeve Shoqërore, për investime brenda periudhës së zotuar ishte në masën 70% (pas zgjatjes së afatit të përmbushjes), derisa zotimet për punësim janë realizuar deri në masën prej 96%". o   Është vlerësuar mungesë efikasiteti në procesin e planifikimit, shpërndarjes dhe kthimit të teksteve shkollore. Vlerësimi ynë është që me një kujdes më të madh nga institucionet përkatëse në menaxhimin e procesit të shpërndarjes së teksteve shkollore mund të realizohen kursime të rëndësishme të buxhetit të Kosovës. Për të gjitha këto auditime, entitetet përkatëse kanë pranuar raportet tona si dhe udhëzimet për përmirësimet e nevojshme. IMPLEMENTIMI I REKOMANDIMEVE Adresimi i rekomandimeve nga vitet e kaluara Të nderuar deputetë, Shkalla e implementimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit paraprak, nuk është e kënaqshme. Raporti i vitit 2015 tregon se nga 1177 rekomandime të dhëna, janë implementuar plotësisht vetëm 356 apo vetëm 30% e tyre. Vlerësimi ynë është që mungesa e zhvillimit të proceseve formale për monitorim sistematik të planeve të veprimit për implemetim të rekomandimeve mund të jetë një prej shkaktarëve për adresimin në shkallë të ulët të rekomandimeve. Për këtë arsye ZKA ka rekomanduar Qeverinë që: -       të zbatojë një proces sistematik për implementimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin Vjetor të Auditimit 2015; si dhe -       të kërkojë nga të gjitha Organizatat Buxhetore që të implementojnë dhe raportojnë mbi implementimin e rekomandimeve të auditimit të dhëna në Raportet individuale të Pasqyrave Financiare. Të nderuar deputetë, Zyra Kombëtare e Auditimit, për sezonin 2016/17 ka planifikuar dhe është në proces të realizimit të mbi 90 auditimeve të rregullsisë dhe 15 auditimeve të performancës. Në këtë proces janë përfshirë (pothuajse) të gjitha organizatat buxhetore të nivelit qendror, të gjitha komunat e Kosovës dhe për herë të parë ka filluar edhe auditimi i një numri të ndërmarrjeve publike. Ne jemi të përkushtuar që të përmbushim mandatin kushtetues e ligjor, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës në menaxhimin e fondeve publike si dhe të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Më lejoni që në fund të kësaj fjale të shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e mirë dhe konstruktiv për të gjitha institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit, me theks të veçantë për Ministrinë e Financave dhe Komisionin për Mbikëqyrje Financiare të Kuvendit. Po ashtu, vlerësoj lartë angazhimin profesional të personelit të Zyrës Kombëtare të Auditimit që kanë punuar me përkushtim për të zhvilluar auditime në pajtim me stadartet e kontabilitetit dhe auditimit si dhe brenda afateve ligjore në fushën e auditimit. Ju faleminderit për vëmendjen dhe duke ditur rregullën që nuk mund të kemi mundësi për informata dhe sqarime shtesë, ne mbesim në dispozicion të secilit deputet, që varësisht nga interesimet Tuaja, në secilën kohë të arsyeshme për Ju, të jemi në dispozicion unë dhe stafi profesional i Zyrës. Faleminderit!

  • Share:

Lexo lajme tjera:

30

30

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës merr pjesë në Kongresin e 22-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit
Lexo më shumë
30

30

Qëndrueshmëria e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit
Lexo më shumë