Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca me bashkëpunëtorë të enjten është pritur në takim bilateral nga homologu i saj, Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, Metin Yener në Ankara të Turqisë. Takimi u mbajt në kuadër të vizitës zyrtare në Gjykatën Turke të Llogarive të delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) pjesë e të cilit ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Myrvete Gashi Morina e Zukë Zuka si dhe auditorja Neslihane Mati.
Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit vlerësuan lartë punën dhe përkushtimin e dyja institucioneve për të siguruar që fondet publike përdoren në mënyrë efikase dhe efektive për të mirën e qytetarëve.
Në vazhdën e zgjerimit të mundësive për avancimin e bashkëpunimit ndër institucional, Auditorët e Përgjithshëm kanë ripërtërirë marrëveshjen për thellimin e bashkëpunimit në mes dyja institucioneve.
Marrëveshja parasheh, ndër të tjera, shkëmbimin e përvojave në fusha me interes publik, shkëmbimin e stafit, auditime paralele, ngritjen e kapaciteteve në auditime të performancës dhe pajtueshmërisë si dhe analizimin e bazave me të dhëna të mëdha.
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi lartë mikpritjen dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e paçmuar të ofruar nga Gjykata Turke e Llogarive në procesin e anëtarësimit të ZKA-së në EUROSAI dhe INTOSAI. Znj. Spanca tha se pavarësisht distancës gjeografike, dy institucionet takohen në përkushtimin e tyre dhe vlerësojnë rolin përkatës jetik në sigurimin e përdorimit efektiv dhe efikas të fondeve publike për të mirën e qytetarëve.