Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/11/2024 4:50:00 PM

ZKA-ja publikon raportet e auditimit për gjashtë ministri

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi gjashtë raportet e para të auditimit  për Ministritë, si: Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT); Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR); Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD); Ministrinë e  Ekonomisë (ME); Ministrinë e Mbrojtjes (MM) si dhe për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

 

Bazuar në rezultatet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për MINT, MBZHR dhe MSH. Arsyeja e modifikimit, përkatësisht kualifikimit të opinionit për këto Ministri është për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 nuk kanë prezantuar pamje të drejtë dhe të vërtetë. Kurse MPJD, ME dhe MM opinionin e auditimit e kanë të pamodifikuar për shkak se ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 prezantojnë pamje të drejtë dhe të vërtetë.

 

ZKA, gjithashtu për këto Ministri ka prezantuar edhe konkluzionin në lidhje me pajtueshmërinë duke vlerësuar nëse transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit kanë qenë, në të gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare.

Nga auditimet e kryera ka rezultuar që MBZHR dhe ME të kenë konkluzion të kualifikuar për shkak se disa nga transaksionet e kryera nuk kanë qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit. Përderisa MINT, MPJD, MSH dhe MM konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të pamodifikuar për shkak se ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se transaksionet e kryera kanë qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit.

 

Përkundër gjetjeve të shpalosura në raporte të auditimit, këto ministri kanë shënuar progres sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve. Gjithashtu, kemi rënie tek numri i rekomandimeve të dhëna, për 17 rekomandime më pak. Për vitin 2022 ishin dhënë 49 rekomandime, ndërsa për vitin 2023 janë dhënë 32.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Guvernatori i BQK-së

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Guvernatori i BQK-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot pati takim pune me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku diskutuan për rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke u përqëndruar te zhvillimet ekonomike dhe financiare dhe të kontrollit financiar, si dhe shkëmbimin e vlerësimeve institucionale lidhur me këto zhvillime.

Guvernatori e informoi Auditoren e Përgjithshme për  planin strategjik të BQK-së dhe fushat ku po realizohen reforma, duke përfshirë zbatimin e rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për BQK-në, të cilat kohët e fundit janë rishikuar dhe publikuar. Nga ana e saj znj. Spanca foli për aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me theks për procesin e finalizimit të auditimeve për organizatat buxhetore duke përfshirë buxhetin shtetëror dhe ndërmarrjet publike. Spanca, gjithashtu e njoftoj Guvernatorin për angazhimet e Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA) në nivel ndërkombëtar dhe treguesit që lidhen me qëndrueshmërinë makrofinanciare të vendit.

Auditorja e Përgjithshme dhe Guvernatori shprehën gatishmërinë që si institucione të  mbështesin koordinimin e duhur të politikave fiskale dhe monetare, dhe kontrollit  të financave publike, me qëllim të krijimit të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar në vend dhe  menaxhimit sa më të mirë të burimeve publike.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në diskutim lidhur me “Nevojën për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në diskutim lidhur me “Nevojën për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në cilësinë e panelistes në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti GAP, ku u prezantua raporti me temën “Nevoja për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”.

 

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe regjionit të cilët diskutuan për përparësitë dhe sfidat për të siguruar stabilitet financiar si dhe qëndrueshmërinë dhe monitorimin e politikave fiskale në Kosovë.

Auditorja e Përgjithshme ka paraqitur pikëpamjet e saj nga perspektiva e auditimit të jashtëm, mandatit dhe rolit që luan një Institucion Suprem i Auditimit me qëllim të forcimit të mekanizmave shtetëror në menaxhimin e financave publike dhe përmirësimit të qeverisjes së mirë nga institucionet publike. Znj. Spanca u shpreh se  roli i Auditorit të Përgjithshëm është që të ofrojë bazë të qëndrueshme të vlerësimit për mbylljen e procesit të llogaridhënies në mes Kuvendit dhe Qeverisë për realizimin e buxhetit shtetëror gjatë vitit.

“Pavarësisht indikatorëve pozitiv dhe  qëndrueshmërisë fiskale për vendin, edhe Zyra Kombëtare e Auditim   it, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nxjerrin në pah sfidat në lidhje me shfrytëzimin efikas dhe efektiv të borxhit publik, rreziqet nga kostot kontingjente nga proceset gjyqësore si dhe nga ndikimet tjera makroekonomike që ndikojnë në parametrat e buxhetit,” tha znj. Spanca. Ajo u shpreh se edhe pse është më shumë në favor të forcimit të mekanizmave ekzistues sesa krijimit të mekanizmave të rinj, vendimmarrja i takon politikëbërësve.

Pjesë e panelit të tryezës ishin edhe Hykmete Bajrami, Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sanja Madzareviç, Ekonomiste e Lartë për Ballkanin Përendimor, dhe Abdylmenaf Bexheti, Anëtar i Këshillit Fiskal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Raporti u prezantua nga Rrona Zhuri, nga Instituti GAP.   

 
Lexo më shumë