Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/14/2018 2:28:09 PM

Politikat Qeveritare të punësimit nuk ndikojnë sa duhet në krijimin e vendeve të reja të punës, e aq më pak në punësim të qëndrueshëm

Edhe pse qëllimi kryesor i politikave qeveritare të punësimit është promovimi i punës dhe krijimi i vendeve të reja të punës, mangësitë e shumta në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e këtyre politikave kanë ndikuar që të mos arrihet promovimi dhe rritja e punësimit në nivel të duhur, si dhe të mos adresohet çështja e qëndrueshmërisë së vendeve të krijuara të punës. Raporti i auditimit të përformancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i politikave qeveritare të punësimit”, nxjerr në pah se politikat e punësimit në nivel qeveritar dhe sektorial nuk janë efikase dhe efektive. Vonesat në miratimin e dokumenteve strategjike, mos definimi i qartë i përgjegjësive të institucioneve si dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me punësim, tregon që politikat e punësimit në nivel të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së  Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që janë pjesë e këtij auditimi, nuk i janë nënshtruar një planifikimi adekuat. Këto mangësi rrezikojnë realizimin e suksesshëm të objektivave dhe aktiviteteve që ndërlidhen me punësim. Zbatimin e masave aktive të tregut të punës e kanë vështirësuar vonesat e mëdha në funksionalizimin e Agjencisë së Punësimit, mungesa e profilizimit të një numri të të papunëve, listat me numër të kufizuar të të papunëve si dhe mungesa e prioritizimit të të papunëve afatgjatë gjatë procesit të përzgjedhjes në masa. Ndërsa, tek Agjencia e Zhvillimit të Bujqësisë mangësitë që kanë vështirësuar vlerësimin efektiv të zbatimit  të masave të cilat  kanë kriter punësimin,  janë vonesat në integrimin e të dhënave si dhe mungesa e të dhënave të plota për krijimin e vendeve të reja të punës. Raporti thekson se mangësitë e evidentuara tek të dy Agjencitë, për monitorimin që u bëhet masave gjatë zbatimit, iu kanë vështirësuar përfituesve njohjen e përvojës së punës, kufizuar mundësitë e tyre për punësim në të ardhmen, nuk kanë legjitimuar punësimin si dhe kanë ndikuar në paraqitjen e statistikave jo reale të shkallës së papunësisë në vend. Monitorimi i efektivitetit të politikës së punësimit nuk ka rezultuar efikas dhe i suksesshëm si në nivel qeveritar  ashtu edhe në atë sektorial. Mangësitë në monitorimin aktual të kryer nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministritë e audituara, pamundësojnë që vet këto institucione apo edhe qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë të ndikimit të politikës së punësimit. Ndërkaq, fakti që të dy Agjencitë e audituara ende nuk kanë kryer monitorimin e efektivitetit të masave, e pamundëson një vlerësim real të shkallës së realizimit të masave si dhe ndikimit që ato kanë në gjenerimin dhe mbajtjen e vendeve të reja të punës. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Shkalla e papunësisë në vend është alarmante, prandaj politikat në nivel qeveritar dhe sektorial duhet të shërbejnë si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar të papunësisë në vend. Kjo mund të arrihet përmes një planifikimi adekuat të kapaciteteve të nevojshme njerëzore e financiare për implementim të politikës si dhe përmes krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm monitorues.” Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e politikës së punësimit. Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Plani i veprimit ndihmon qeverisjen e mirë dhe udhëheqjen komunale të Kamenicës për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Plani i veprimit ndihmon qeverisjen e mirë dhe udhëheqjen komunale të Kamenicës për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Sot në Kuvendin Komunal në Kamenicë është mbajtur debati i fundit për këtë vit,  rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga komunat e Kosovës, në kuadër të serisë së debateve të organizuara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani, në këtë debat ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit me qëllim të përmirësimit të qeverisjes dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike. Z. Osmani, në veçanti ka theksuar rëndësinë e planeve të veprimit për zbatimin e rekomandimeve si pikënisje për të përmirësuar gjendjen dhe për të dëshmuar angazhimin për qeverisje të mirë Nga ana tjetër Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, u shpreh se këtë vit janë marrë veprime të caktuara në drejtim të adresimit të rekomandimeve të auditimit dhe ky angazhim do të vazhdojë edhe viteve në vazhdim. Në këtë debat morën pjesë, këshilltarët komunal të Kamenicës dhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile nga kjo komunë. Qëllimi i debatit ishte diskutimi i gjetjeve të prezantuara në raportin e auditimit për këtë komunë, si dhe vlerësimi se cili është niveli i zbatimit dhe cilat janë veprimet për tu ndërmarrë në të ardhmen. BIRN paraprakisht ka kryer dhe publikuar analizën e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Kamenicës, e cila në debat u prezantua nga z. Visar Prebreza, redaktor i gazetës “Jeta në Kosovë”.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm mban takim me përfaqësuesit e Organizatave Buxhetore të Republikës së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm mban takim me përfaqësuesit e Organizatave Buxhetore të Republikës së Kosovës

Sot, Zyra Kombetare e Auditimit ka mirëpritur në takim informues Zyrtarët Kryesor Financiar të Organizatave Buxhetore të nivelit qendror dhe lokal. Me këtë rast janë prezantuar çështje dhe tema me rëndësi që kanë të bëjnë me auditimin dhe raportimin  e pasqyrave vjetore financiare për vitin 2018 nga Organizatat Buxhetore. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Ilir Salihu, në fjalën e tij të hapjes theksoi se tani gjindemi në një periudhë kohore shumë të rëndësishme sa i përket përgatitjes, raportimit dhe auditimit të pasqyrave financiare vjetore për vitin 2018 dhe se qëllimi i këtij takimi është informimi më i mirë dhe diskutimi i çështjeve me interes për Zyrën Kombëtare të Auditimit, Departamentin e Thesarit dhe Zyrtarët Kryesor Financiar si palë kryesore në këtë proces. Z. Ahmet Ismaili, Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit në fjalën e tij ka tërhequr vëmendjen për afatet e përcaktuara për dorëzimin dhe mundësinë e korrigjimit të pasqyrave financiare vjetore para se ato zyrtarisht të jenë finale. Z. Ismaili, theksoi se në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare që i bëhen Kosovës, dokumenti i parë si më i besueshëm dhe që merret në konsideratë është raporti i Auditorit të Përgjithshëm. Prandaj, ju bëj thirrje që të angazhoheni në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm, sepse çdo gjetje e prezantuar në raport në thelb ngrit çështje të rëndësishme dhe ka një proces për adresimin e tyre, tha ai. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, z. Çerkin Morina ka prezantuar çështjet kryesore për të cilat zyrtarët Kryesor Financiar duhet të tregojnë kujdes gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore, gjithashtu i ka njoftuar edhe me kërkesat për këtë fazë të auditimit. Takimi ka vazhduar me diskutim të hapur dhe adresimin e çështjeve me interes të ngritura nga Zyrtarët Kryesor Financiar të organiztave buxhetore. Takim i ndarë është mbajtur edhe me Zyrtarët Kryesor Financiar të Ndërmarrjeve Publike që i nënshtrohen auditimit për vitin financiar 2018.  
Lexo më shumë