Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/23/2019 2:52:08 PM

Auditori i Përgjithshëm mban takim me përfaqësuesit e Organizatave Buxhetore të Republikës së Kosovës

Sot, Zyra Kombetare e Auditimit ka mirëpritur në takim informues Zyrtarët Kryesor Financiar të Organizatave Buxhetore të nivelit qendror dhe lokal. Me këtë rast janë prezantuar çështje dhe tema me rëndësi që kanë të bëjnë me auditimin dhe raportimin  e pasqyrave vjetore financiare për vitin 2018 nga Organizatat Buxhetore. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Ilir Salihu, në fjalën e tij të hapjes theksoi se tani gjindemi në një periudhë kohore shumë të rëndësishme sa i përket përgatitjes, raportimit dhe auditimit të pasqyrave financiare vjetore për vitin 2018 dhe se qëllimi i këtij takimi është informimi më i mirë dhe diskutimi i çështjeve me interes për Zyrën Kombëtare të Auditimit, Departamentin e Thesarit dhe Zyrtarët Kryesor Financiar si palë kryesore në këtë proces. Z. Ahmet Ismaili, Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit në fjalën e tij ka tërhequr vëmendjen për afatet e përcaktuara për dorëzimin dhe mundësinë e korrigjimit të pasqyrave financiare vjetore para se ato zyrtarisht të jenë finale. Z. Ismaili, theksoi se në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare që i bëhen Kosovës, dokumenti i parë si më i besueshëm dhe që merret në konsideratë është raporti i Auditorit të Përgjithshëm. Prandaj, ju bëj thirrje që të angazhoheni në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm, sepse çdo gjetje e prezantuar në raport në thelb ngrit çështje të rëndësishme dhe ka një proces për adresimin e tyre, tha ai. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, z. Çerkin Morina ka prezantuar çështjet kryesore për të cilat zyrtarët Kryesor Financiar duhet të tregojnë kujdes gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore, gjithashtu i ka njoftuar edhe me kërkesat për këtë fazë të auditimit. Takimi ka vazhduar me diskutim të hapur dhe adresimin e çështjeve me interes të ngritura nga Zyrtarët Kryesor Financiar të organiztave buxhetore. Takim i ndarë është mbajtur edhe me Zyrtarët Kryesor Financiar të Ndërmarrjeve Publike që i nënshtrohen auditimit për vitin financiar 2018.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Politikat Qeveritare të punësimit nuk ndikojnë sa duhet në krijimin e vendeve të reja të punës, e aq më pak në punësim të qëndrueshëm

Politikat Qeveritare të punësimit nuk ndikojnë sa duhet në krijimin e vendeve të reja të punës, e aq më pak në punësim të qëndrueshëm

Edhe pse qëllimi kryesor i politikave qeveritare të punësimit është promovimi i punës dhe krijimi i vendeve të reja të punës, mangësitë e shumta në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e këtyre politikave kanë ndikuar që të mos arrihet promovimi dhe rritja e punësimit në nivel të duhur, si dhe të mos adresohet çështja e qëndrueshmërisë së vendeve të krijuara të punës. Raporti i auditimit të përformancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i politikave qeveritare të punësimit”, nxjerr në pah se politikat e punësimit në nivel qeveritar dhe sektorial nuk janë efikase dhe efektive. Vonesat në miratimin e dokumenteve strategjike, mos definimi i qartë i përgjegjësive të institucioneve si dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me punësim, tregon që politikat e punësimit në nivel të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së  Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që janë pjesë e këtij auditimi, nuk i janë nënshtruar një planifikimi adekuat. Këto mangësi rrezikojnë realizimin e suksesshëm të objektivave dhe aktiviteteve që ndërlidhen me punësim. Zbatimin e masave aktive të tregut të punës e kanë vështirësuar vonesat e mëdha në funksionalizimin e Agjencisë së Punësimit, mungesa e profilizimit të një numri të të papunëve, listat me numër të kufizuar të të papunëve si dhe mungesa e prioritizimit të të papunëve afatgjatë gjatë procesit të përzgjedhjes në masa. Ndërsa, tek Agjencia e Zhvillimit të Bujqësisë mangësitë që kanë vështirësuar vlerësimin efektiv të zbatimit  të masave të cilat  kanë kriter punësimin,  janë vonesat në integrimin e të dhënave si dhe mungesa e të dhënave të plota për krijimin e vendeve të reja të punës. Raporti thekson se mangësitë e evidentuara tek të dy Agjencitë, për monitorimin që u bëhet masave gjatë zbatimit, iu kanë vështirësuar përfituesve njohjen e përvojës së punës, kufizuar mundësitë e tyre për punësim në të ardhmen, nuk kanë legjitimuar punësimin si dhe kanë ndikuar në paraqitjen e statistikave jo reale të shkallës së papunësisë në vend. Monitorimi i efektivitetit të politikës së punësimit nuk ka rezultuar efikas dhe i suksesshëm si në nivel qeveritar  ashtu edhe në atë sektorial. Mangësitë në monitorimin aktual të kryer nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministritë e audituara, pamundësojnë që vet këto institucione apo edhe qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë të ndikimit të politikës së punësimit. Ndërkaq, fakti që të dy Agjencitë e audituara ende nuk kanë kryer monitorimin e efektivitetit të masave, e pamundëson një vlerësim real të shkallës së realizimit të masave si dhe ndikimit që ato kanë në gjenerimin dhe mbajtjen e vendeve të reja të punës. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Shkalla e papunësisë në vend është alarmante, prandaj politikat në nivel qeveritar dhe sektorial duhet të shërbejnë si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar të papunësisë në vend. Kjo mund të arrihet përmes një planifikimi adekuat të kapaciteteve të nevojshme njerëzore e financiare për implementim të politikës si dhe përmes krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm monitorues.” Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e politikës së punësimit. Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org
Lexo më shumë
Kontratat e negociuara me kosto më të lartë se kontratat me procedurë të hapur

Kontratat e negociuara me kosto më të lartë se kontratat me procedurë të hapur

Në mungesë të analizave të mjaftueshme, vlerësimit të nevojave dhe njohjes së tregut, autoritetet kontraktuese kanë lidhur marrëveshje kontraktuese përmes procedurës së negociuar e cila në disa raste kishte rezultuar me kosto më të lartë për shërbimet/mallrat e pranuara se sa kontratat paraprake me procedurë të hapur apo mundësitë që ishin në treg. Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin e auditimit të performancës ”Procedura me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë”. Auditimi ka evidentuar që përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të kontratës nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm dhe autoritetet kontraktuese nuk i kishin shteruar të gjitha mundësitë për të shmangur përdorimin e kësaj procedure. Raporti thekson se asnjë nga autoritet kontraktuese të audituara nuk kishin bërë analiza të përfitimeve dhe kostove pas zbatimit të kontratave dhe kështu nuk kanë një bazë mbi të cilën do të mund të merrnin vendimet për blerjet e radhës. 65% e kontratave të audituara përmes procedurës së negociuar ishin lidhur në kushte minimale të konkurrencës, prej tyre afër 47% me vetëm një operator ekonomik dhe 18% e tyre me vetëm dy operator ekonomik. Kjo mënyrë e prokurimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe punëve, nuk është transparente dhe nuk garanton se autoriteti kontraktues ka marrë vlerë për paranë që ka shpenzuar. Me disa përmirësime në aspektin e hulumtimit të tregut dhe të analizës së kontratave paraprake, autoritetet kontraktuese të audituara do të mund të siguronin konkurrencë më të lartë dhe çmime më ekonomike. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, me rastin e publikimit të këtij raporti ka potencuar se “Autoritetet kontraktuese duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ulur përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim, në mënyrë që prokurimet të jenë transparente dhe të sigurojnë konkurrencë, rrjedhimisht edhe çmime më ekonomike”. Konkluzionet e lartcekura janë si rezultat i auditimit të 17 aktiviteteve të prokurimit të zhvilluara me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë në katër autoritete kontraktuese: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Doganën e Kosovës dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vlera e përbashkët e këtyre kontratave është mbi 21 milion euro. Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar institucionet e audituara që të zhvillojnë hulumtim të tregut për të identifikuar furnizuesit potencial dhe ofertën e tyre, të bëjnë vlerësim të duhur të nevojave dhe të shqyrtojnë produkte alternative. Gjithashtu duhet të bëjnë një analizë të përfitimeve dhe kostove pas zbatimit të secilës kontratë në mënyrë që vendimet e ardhshme për blerje të jenë të bazuara në informata të qëndrueshme që të sigurojnë çmime më ekonomike. Raportin e plotë mund ta lexoni në http://www.zka-rks.org
Lexo më shumë