Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, po merr pjesë në një konferencë dyditore, të organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Shqipëri. Konferenca ka për qëllim prezantimin e “Analizës Vjetore të KLSH-së për vitin 2019”. Aty po marrin pjesë, pos përfaqësuesve më të lartë të KLSH-së, edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Shqipëri. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mbajti një fjalë rasti në hapje të punimeve të konferencës. Ai i falënderoi drejtuesit e KLSH-së për ftesën, si dhe i lavdëroi për punën dhe rezultatet e arritura të këtij institucioni. “KLSH-ja dhe ZKA-ja janë shembulli më i mirë i bashkëpunimit të organizatave simotra midis Shqipërisë e Kosovës, i cili duhet të ndiqet si model edhe nga institucionet e tjera të të dy vendeve. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellë, në shumë projekte në të ardhmen”, tha Osmani gjatë konferencës. Pos kësaj, Auditori i Përgjithshëm, bëri edhe një prezantim të shkurtër për punën dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ndër vite, si dhe të projekteve aktuale të këtij institucioni. Me theks të veçantë, Osmani përmendi anëtarësimin e fundit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), i cili ndodhi muajt e fundit, duke e konsideruar si arritje kulminante, jo vetëm për ZKA-në, por edhe për Kosovën. Ai e falënderoi KLSH-në dhe kryetarin e saj, Bujar Leskajn, për kontributin dhe lobimin rreth këtij anëtarësimi. Konferenca është duke u mbajtur në qytetin e Vlorës dhe do të vazhdojë punimet edhe nesër, ku pritet të ketë disa aktivitete promovuese.