Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/19/2022 4:44:55 PM

Kryetari i Kuvendit Konjufca, i jep rëndësi të veçantë auditimit të jashtëm

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, deputetja e Parlamentit të Suedisë, Mia Sydow Mölleby, ish-deputetja e Parlamentit të Letonisë, njëherësh ish-Auditore e Përgjithshme dhe eksperte e SIGMA-s, Inguna Sudraba, si dhe këshilltari i lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Dag Levin Sparr,  janë pritur të enjten në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Ky takim është realizuar në kuadër të vizitës së tyre në shtetin e Kosovës ku kanë marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës me temën: “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”. Me këtë rast deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby e ka njoftuar kryetarin Konjufca në lidhje me bashkëpunimin e mirë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë me Parlamentin, si dhe ka ndarë më të praktikat e mira të Parlamentit suedez në fushën e mbikëqyrjes se menaxhimit të fondeve publike. Nga ana tjetër kryetari Konjufca, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimit të jashtëm, ka falënderuar mysafirët për gatishmërinë e tyre që të bartin në Kosovë përvojat e tyre në këtë fushë. Në kuadër të kësaj vizite deputetja suedeze,  zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe përfaqësuesit nga SIGMA, gjithashtu, kanë zhvilluar disa takime pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me këtë rast janë pritur nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe bashkëpunëtorët e saj. Në fokus të veçantë, këto takime kanë pasur, shkëmbimin e përvojave në lidhje me zbatimin e rekomandimeve, komunikimin dhe bashkëpunimin e Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin dhe bashkërendimin e aktiviteteve për të përmirësuar performancën e menaxhimit të financave publike. Të pranishmit kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe shumëvjeçar në mes të dy institucioneve si dhe kanë shprehur gatishmërinë për të avancuar edhe më tej partneritetin në mes tyre. Gjithashtu, mysafirët kanë pasur mundësinë të njoftohen më në detaje lidhur me arritjet dhe zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që Ligji i ri të reflektoj kërkesat e standardeve ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës intensifikojnë angazhimin për rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve

ZKA-ja dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës intensifikojnë angazhimin për rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën ka mbajtur punëtorinë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”. Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP); Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT); deputetja e parlamentit suedez znj. Mia Sydoë Mölleby; ish deputetja e  Letonisë znj. Inguna Sudraba njëherësh edhe ish Auditore e Përgjithshme e Letonisë si dhe përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe SIGMA-s. Të pranishmit kanë vlerësuar se kjo punëtori ishte një mundësi e mirë për të biseduar për një qasje të orientuar në rritjen e ndikimit Kuvendit dhe ZKA-së për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, rrjedhimisht ndikimin në avancimin e menaxhimit të financave publike. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se për ZKA-në është thelbësore zbatimi i rekomandimeve, si një nga objektivat kryesore që sjell përmirësim dhe avancim të menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike. Bashkëpunimi me të dy Komisionet e Kuvendit është tepër i rëndësishëm për të nxitur dhe shtyrë përpara proceset që ndihmojnë në punën e ZKA-së. “Është obligim ligjor, që ne si dy institucione përgjegjëse, njëra për kontroll e tjetra për ligjvënie dhe mbikëqyrje, në këtë rast të financave publike të funksionojmë si dy mekanizma të pandara që i shërbejnë vendit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike”, ka deklaruar znj. Spanca. Tutje Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se rritja e ndikimit të punës së ZKA-së, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit vë në pah nevojën për të ndërmarrë masa  konkrete  për adresimin e rekomandimeve nga  ana  e  krerëve të institucioneve publike duke intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e vazhdueshëm të planeve të  veprimit për zbatim të  rekomandimeve. “Pavarësisht punës së ZKA-së dhe angazhimit të Kuvendit në nxitjen dhe sensibilizimin e zbatimit të rekomandimeve, niveli i zbatimit të tyre ende nuk është i duhuri. Në bazë të raporteve të auditimit, rezultatet tregojnë se vetëm 45% të rekomandimeve të vitit 2019 janë zbatuar, e cila tregon një rritje te lehtë krahasuar me vitin 2018 qe ishte 40%”, është shprehur znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, ka folur gjithashtu për progresin e zbatimit të planit të auditimit për sezonin 2021-22, duke thënë se nga raportimet dhe rezultatet e deritashme, vërehet se gjendja e menaxhimit të financave publike dhe raportimit financiar nuk është më mirë se në vitin e kaluar e në disa raste gjendja ka indikacione se është edhe më e renduar. “Kjo reflektohet në veçanti në institucionet e qeverisjes lokale dhe në ndërmarrje publike për të cilat vlerësohet se kanë dështuar të zbatojnë kontrolle të brendshme adekuate për të parandaluar parregullsitë. Tek institucionet lokale, situata mund të jetë e renduar për shkak  të faktorëve, si; mbajtja e  zgjedhjeve lokale, sfidat me pandeminë apo faktorë të tjerë. Ndërsa tek Ndërmarrjet Publike, mungesa e auditimit për vite me radhë konsiderohet se ka qenë ndër faktorët kryesor”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimeve që kryhen nga ZKA dhe ka shpreh vlerësime të larta për punën e saj, ka theksuar nevojën për të gjetur mënyra të reja shtesë për të ushtruar ndikimin e Kuvendit në zbatimin e rekomandimeve. Z. Muja ka thënë se përveç angazhimeve të tjera një kulturë e follow-up (përcjelljes) së zbatimit të rekomandimeve duhet të zhvillohet në ardhmen për të forcuar ndikimin në zbatimin e tyre. Zëvendës kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), Arta Bajralija, ka theksuar se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike është shqetësuese për Kuvendin dhe në këtë drejtim ka ngritur nevojën për rritjen e llogaridhënien nga palët përgjegjëse. Ajo ka përmendur se KMFP, gjatë vitit shqyrton rreth 30 raporte të auditimeve të kryera nga ZKA, si dhe ka theksuar nismën e këtij Komisioni për të zhvilluar vizita në institucione dhe aktivitete tjera për të mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike. Të dy përfaqësuesit e Komisioneve kanë falënderuar pjesëmarrësit suedez dhe të Letonisë për gatishmërinë e treguar për të bartur tek ne përvojat e tyre në lidhje më këtë fushë. Gjatë kësaj punëtorie, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të ata të parlamentit suedez dhe Letonisë  kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Deputetja suedeze Mia Sydoë Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) prezantimet e tyre i kanë fokusuar tek rritja e ndikimit të punës së ZKA-së. Ata kanë ndarë me të pranishmit praktikat e mira të Parlamentit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore. Kurse ish Auditorja e Përgjithshme dhe ish deputetja e Parlamentit të Letonisë, njëherësh eksperte e angazhuar nga SIGMA, Inguna Sudraba, ka prezantuar perspektivën e bashkëpunimit të Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin. Ndërsa Alastair Swarbrick, këshilltar i lartë për politika të financave publike dhe auditimit, SIGMA, ka folur lidhur me përshtypjet e palëve të jashtme për ZKA-në, me ç’rast ka prezantuar rezultatet e anketimit nga të cilat ka rezultuar se këto përshtypje vazhdojnë të theksojnë besueshmërinë e lartë në këtë institucion. Ndër konkluzionet kryesore të nxjerra nga kjo punëtori ka qenë nevoja e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për ti mundësuar kësaj zyre të orientojë planet e  auditimit në fusha më rrezik të lartë, me prioritet dhe interes për Kuvendin dhe publikun në përgjithësi.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtor po merr pjesë në post Kongresin e EUROSAI-t

Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtor po merr pjesë në post Kongresin e EUROSAI-t

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Aida Podrimaj Specialiste e auditimit, po qëndron në vizitë dyditore në Pragë të Çekisë. Qëllimi i kësaj vizite është, pjesëmarrja në post Kongresin e EUROSAI-t të organizuar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë njëherësh President i EUROSAI-t. Në këtë ngjarje po marrin pjesë krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe përfaqësues të lartë të tyre nga mbarë Evropa. Përgjatë tri ditëve pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime bilaterale dhe të marrin pjesë në nëntë sesione pune, me fokus në tema të interesit të veçantë për auditimin e jashtëm sikurse janë: zbatimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit; përcjellja e zbatimit të rekomandimeve të auditimit; auditimet e taksave, projekteve të digjitalizuara, mjedisit, etj; roli i ISA-ve në luftën kundër korrupsionit; si dhe vizualizimi, publikimi dhe ndikimi i auditimit në rritjen e transparencës në administratën publike. Në margjinat e kësaj vizite, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë zhvilluar takime bilaterale me krerë të tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit, si Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke njëherësh President i EUROSAI-t Miloslav Kala, Auditorin e Përgjithshëm të Polonisë, Marian Banas, atë të Bullgarisë, Tzvetan Tzvetkov, Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit, Matanyahu Engelmans, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve supreme të auditimirt nga vende të ndryshme evropiane. Në takimin me z. Kala, znj. Spanca e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në EUROSAI, si dhe e ka njoftuar për zhvillimet më të fundit dhe të arriturat e ZKA-së, sfidat dhe objektivat për të ardhmen. Në veçanti Auditorja e Përgjithshme vuri theksin tek bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Republikës se Kosovës, nevoja për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, si dhe tek përfshirja e stafit të ZKA-së në grupe punuese të fushave të ndryshme në EUROSAI. Znj. Spanca, ka ftuar homologun e saj për vazhdim të bashkëpunimit përmes projekteve specifike të cilat do të ndihmonin ZKA-në për të avancuar më tutje funksionin e saj. Gjithashtu, Auditorja e Përgjithshme ka paralajmëruar shënimin e 20-vjetorit të themelimit të ZKA-së në vitin e ardhshëm, me ç’rast ka ftuar z. Kala që ta vizitojë ZKA-në dhe Kosovën. Auditori i Përgjithshëm i Çekisë, njëherësh Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e shkëlqyer me ZKA-në duke shprehur gatishmërinë për ta forcuar më tutje bashkëpunimin e mirë në mes të dy institucioneve, si dhe në kuadër të EUROSAI-t. Gjithashtu, z. Kala e ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për angazhimin dhe punën e saj në ngritjen e kapaciteteve të ZKA-së dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale, duke ofruar shërbime objektive, të pavarura dhe cilësore. Specialistja e auditimit Aida Podrimaj, ka prezantuar në kuadër të panelit në sesionin punues “Korniza e INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale”, ku ka folur për progresin, sfidat dhe pikëpamjet e ZKA-së në lidhje me Kornizën Ndërkombëtare të Deklaratave Profesionale, dhe zbatimin e tyre. Prezantimi i saj si dhe kontributi në diskutim nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka zgjuar interesim të veçantë tek të pranishmit. Në këtë aspekt është vlerësuar niveli i zhvillimit të metodologjisë audituese të ZKA-së. Në ditën e tretë të vizitës, përfaqësuesit e ZKA-së do të vazhdojnë më vizita dhe angazhime të tjera në kuadër të agjendës, ndër të cilat, në qendër të vëmendjes do të jetë takimi me Presidentin e Republikës së Çekisë z. Miloš Zeman.  
Lexo më shumë