Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/24/2022 1:50:26 PM

Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtor po merr pjesë në post Kongresin e EUROSAI-t

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Aida Podrimaj Specialiste e auditimit, po qëndron në vizitë dyditore në Pragë të Çekisë. Qëllimi i kësaj vizite është, pjesëmarrja në post Kongresin e EUROSAI-t të organizuar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë njëherësh President i EUROSAI-t. Në këtë ngjarje po marrin pjesë krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe përfaqësues të lartë të tyre nga mbarë Evropa. Përgjatë tri ditëve pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime bilaterale dhe të marrin pjesë në nëntë sesione pune, me fokus në tema të interesit të veçantë për auditimin e jashtëm sikurse janë: zbatimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit; përcjellja e zbatimit të rekomandimeve të auditimit; auditimet e taksave, projekteve të digjitalizuara, mjedisit, etj; roli i ISA-ve në luftën kundër korrupsionit; si dhe vizualizimi, publikimi dhe ndikimi i auditimit në rritjen e transparencës në administratën publike. Në margjinat e kësaj vizite, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë zhvilluar takime bilaterale me krerë të tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit, si Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke njëherësh President i EUROSAI-t Miloslav Kala, Auditorin e Përgjithshëm të Polonisë, Marian Banas, atë të Bullgarisë, Tzvetan Tzvetkov, Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit, Matanyahu Engelmans, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve supreme të auditimirt nga vende të ndryshme evropiane. Në takimin me z. Kala, znj. Spanca e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në EUROSAI, si dhe e ka njoftuar për zhvillimet më të fundit dhe të arriturat e ZKA-së, sfidat dhe objektivat për të ardhmen. Në veçanti Auditorja e Përgjithshme vuri theksin tek bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Republikës se Kosovës, nevoja për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, si dhe tek përfshirja e stafit të ZKA-së në grupe punuese të fushave të ndryshme në EUROSAI. Znj. Spanca, ka ftuar homologun e saj për vazhdim të bashkëpunimit përmes projekteve specifike të cilat do të ndihmonin ZKA-në për të avancuar më tutje funksionin e saj. Gjithashtu, Auditorja e Përgjithshme ka paralajmëruar shënimin e 20-vjetorit të themelimit të ZKA-së në vitin e ardhshëm, me ç’rast ka ftuar z. Kala që ta vizitojë ZKA-në dhe Kosovën. Auditori i Përgjithshëm i Çekisë, njëherësh Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e shkëlqyer me ZKA-në duke shprehur gatishmërinë për ta forcuar më tutje bashkëpunimin e mirë në mes të dy institucioneve, si dhe në kuadër të EUROSAI-t. Gjithashtu, z. Kala e ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për angazhimin dhe punën e saj në ngritjen e kapaciteteve të ZKA-së dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale, duke ofruar shërbime objektive, të pavarura dhe cilësore. Specialistja e auditimit Aida Podrimaj, ka prezantuar në kuadër të panelit në sesionin punues “Korniza e INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale”, ku ka folur për progresin, sfidat dhe pikëpamjet e ZKA-së në lidhje me Kornizën Ndërkombëtare të Deklaratave Profesionale, dhe zbatimin e tyre. Prezantimi i saj si dhe kontributi në diskutim nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka zgjuar interesim të veçantë tek të pranishmit. Në këtë aspekt është vlerësuar niveli i zhvillimit të metodologjisë audituese të ZKA-së. Në ditën e tretë të vizitës, përfaqësuesit e ZKA-së do të vazhdojnë më vizita dhe angazhime të tjera në kuadër të agjendës, ndër të cilat, në qendër të vëmendjes do të jetë takimi me Presidentin e Republikës së Çekisë z. Miloš Zeman.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kryetari i Kuvendit Konjufca, i jep rëndësi të veçantë auditimit të jashtëm

Kryetari i Kuvendit Konjufca, i jep rëndësi të veçantë auditimit të jashtëm

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, deputetja e Parlamentit të Suedisë, Mia Sydow Mölleby, ish-deputetja e Parlamentit të Letonisë, njëherësh ish-Auditore e Përgjithshme dhe eksperte e SIGMA-s, Inguna Sudraba, si dhe këshilltari i lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Dag Levin Sparr,  janë pritur të enjten në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Ky takim është realizuar në kuadër të vizitës së tyre në shtetin e Kosovës ku kanë marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës me temën: “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”. Me këtë rast deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby e ka njoftuar kryetarin Konjufca në lidhje me bashkëpunimin e mirë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë me Parlamentin, si dhe ka ndarë më të praktikat e mira të Parlamentit suedez në fushën e mbikëqyrjes se menaxhimit të fondeve publike. Nga ana tjetër kryetari Konjufca, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimit të jashtëm, ka falënderuar mysafirët për gatishmërinë e tyre që të bartin në Kosovë përvojat e tyre në këtë fushë. Në kuadër të kësaj vizite deputetja suedeze,  zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe përfaqësuesit nga SIGMA, gjithashtu, kanë zhvilluar disa takime pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me këtë rast janë pritur nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe bashkëpunëtorët e saj. Në fokus të veçantë, këto takime kanë pasur, shkëmbimin e përvojave në lidhje me zbatimin e rekomandimeve, komunikimin dhe bashkëpunimin e Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin dhe bashkërendimin e aktiviteteve për të përmirësuar performancën e menaxhimit të financave publike. Të pranishmit kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe shumëvjeçar në mes të dy institucioneve si dhe kanë shprehur gatishmërinë për të avancuar edhe më tej partneritetin në mes tyre. Gjithashtu, mysafirët kanë pasur mundësinë të njoftohen më në detaje lidhur me arritjet dhe zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe për nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që Ligji i ri të reflektoj kërkesat e standardeve ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.
Lexo më shumë
Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit, anëtare të EUROSAI-t priten në takim nga presidenti i Çekisë,  diskutojnë për rëndësinë e ISA-ve brenda sistemit kushtetues

Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit, anëtare të EUROSAI-t priten në takim nga presidenti i Çekisë, diskutojnë për rëndësinë e ISA-ve brenda sistemit kushtetues

Aktivitete të shumta janë mbajtur edhe gjatë ditës së tretë të post Kongresit të EUROSAI-t, ndër të cilat duhet të veçohen pritja nga presidenti i Republikës Çeke, takimi i krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të diskutuar Planin Strategjik të EUROSAI-t 2024-2030, si dhe ekspozita e hapur e produkteve dhe prezantimi i të arriturave nga ISA-t. Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe krerët e tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet e Evropës janë pritur të martën në takim nga presidenti i Republikës Çeke, z. Miloš Zeman. Gjatë këtij takimi presidenti çek ka mirëpritur udhëheqësit e Institucioneve Supreme të Auditimit me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e auditimit të jashtëm brenda sistemit kushtetues, si dhe për përfitimet e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit. Ky takim është realizuar pas përfundimit të punimeve të post Kongresit të EUROSAI-t ku drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit për tri ditë më radhë në kuadër të dhjetëra punëtorive kanë diskutuar tema të rëndësishme të auditimit të jashtëm si dhe kanë bërë rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave të tyre. Të pranishmit kanë vlerësuar se post Kongresi i EUROSAI-t ka qenë një mundësi e mirë për të demonstruar potencialin e institucioneve supreme të auditimit dhe fuqinë e tyre. Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit solidarizohen me Ukrainën, thonë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin dhe arritjen e qëllimeve globale Në takimin e veçantë të drejtuesve të organeve më të larta të auditimit njëherësh anëtarë të EUROSAI-t, ku ishin pjesë edhe Auditorja e Përgjithshme dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, është diskutuar plani Strategjik i EUROSAI-t 2024-2030. Me këtë rast Presidenti i EUROSAI-t, ka ftuar kryetarin e Dhomës së Llogarive të Ukrainës, Valeriy Patskan, që para homologëve evropian të paraqes situatën në vend dhe dëmet e shkaktuara nga agresioni ushtarak rus si dhe pengesat për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ai ka kërkuar që sa më shpejt midis prioriteteve të EUROSAI-t, të identifikohen përpjekjet e përbashkëta për të vlerësuar ndikimin global të sulmit të Rusisë në Ukrainë, vlerësimet e dëmeve të luftës, duke thënë se shkalla e dëmit nga kjo luftë është e vështirë të vlerësohet. “Presidenti i Ukrainës ka krijuar tashmë një grup pune për të kontrolluar dëmet, humbjet e shkaktuara në Ukrainë dhe qeveria ka hartuar një urdhër për vlerësimin e dëmit. Në këtë drejtim punon edhe Dhoma e Llogarive. Në të ardhmen e afërt do të kryhen një sërë analizash sektoriale. Rezultatet e tyre do të ndihmojnë në formimin e një opinioni auditimi mbi vlerësimin e qeverisë për madhësitë dhe format e dëmeve direkte dhe indirekte të shkaktuara nga agresioni i armatosur”, është shprehur Patskan. Ai ka thënë se nga komuniteti i EUROSAI-t Ukraina ka nevojë për mbështetje metodologjike. Të pranishmit kanë bashkë ndjerë me homologun e tyre ukrainas për zhvillimet atje, duke thënë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin global dhe arritjen e qëllimeve globale. Presidenti i EUROSAI-t Miloslav Kala, me rastin e përfundimit të post Kongresit ka falënderuar mysafirët për pjesëmarrje, atmosferën miqësore dhe për ndarjen e njohurive. Delegacioni i ZKA-së pritet në takim nga ambasadorja e Kosovës në Çeki Gjatë qëndrimit në Pragë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtor është pritur në takim edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj Kapitaj. Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar ambasadoren për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Në veçanti znj Spanca ka theksuar rëndësisë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje dhe peshën që ka EUROSAI si organizatë evropiane e ISA-ve në të cilën ZKA është anëtare e  kësaj organizate, e mundësuar kjo edhe me ndihmën edhe të shtetit çek. Diplomatja kosovare e ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë  të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Lexo më shumë