Aktivitete të shumta janë mbajtur edhe gjatë ditës së tretë të post Kongresit të EUROSAI-t, ndër të cilat duhet të veçohen pritja nga presidenti i Republikës Çeke, takimi i krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të diskutuar Planin Strategjik të EUROSAI-t 2024-2030, si dhe ekspozita e hapur e produkteve dhe prezantimi i të arriturave nga ISA-t.
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe krerët e tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet e Evropës janë pritur të martën në takim nga presidenti i Republikës Çeke, z. Miloš Zeman.
Gjatë këtij takimi presidenti çek ka mirëpritur udhëheqësit e Institucioneve Supreme të Auditimit me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e auditimit të jashtëm brenda sistemit kushtetues, si dhe për përfitimet e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit.
Ky takim është realizuar pas përfundimit të punimeve të post Kongresit të EUROSAI-t ku drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit për tri ditë më radhë në kuadër të dhjetëra punëtorive kanë diskutuar tema të rëndësishme të auditimit të jashtëm si dhe kanë bërë rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave të tyre. Të pranishmit kanë vlerësuar se post Kongresi i EUROSAI-t ka qenë një mundësi e mirë për të demonstruar potencialin e institucioneve supreme të auditimit dhe fuqinë e tyre.
Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit solidarizohen me Ukrainën, thonë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin dhe arritjen e qëllimeve globale
Në takimin e veçantë të drejtuesve të organeve më të larta të auditimit njëherësh anëtarë të EUROSAI-t, ku ishin pjesë edhe Auditorja e Përgjithshme dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, është diskutuar plani Strategjik i EUROSAI-t 2024-2030.
Me këtë rast Presidenti i EUROSAI-t, ka ftuar kryetarin e Dhomës së Llogarive të Ukrainës, Valeriy Patskan, që para homologëve evropian të paraqes situatën në vend dhe dëmet e shkaktuara nga agresioni ushtarak rus si dhe pengesat për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ai ka kërkuar që sa më shpejt midis prioriteteve të EUROSAI-t, të identifikohen përpjekjet e përbashkëta për të vlerësuar ndikimin global të sulmit të Rusisë në Ukrainë, vlerësimet e dëmeve të luftës, duke thënë se shkalla e dëmit nga kjo luftë është e vështirë të vlerësohet.
“Presidenti i Ukrainës ka krijuar tashmë një grup pune për të kontrolluar dëmet, humbjet e shkaktuara në Ukrainë dhe qeveria ka hartuar një urdhër për vlerësimin e dëmit. Në këtë drejtim punon edhe Dhoma e Llogarive. Në të ardhmen e afërt do të kryhen një sërë analizash sektoriale. Rezultatet e tyre do të ndihmojnë në formimin e një opinioni auditimi mbi vlerësimin e qeverisë për madhësitë dhe format e dëmeve direkte dhe indirekte të shkaktuara nga agresioni i armatosur”, është shprehur Patskan. Ai ka thënë se nga komuniteti i EUROSAI-t Ukraina ka nevojë për mbështetje metodologjike.
Të pranishmit kanë bashkë ndjerë me homologun e tyre ukrainas për zhvillimet atje, duke thënë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin global dhe arritjen e qëllimeve globale.
Presidenti i EUROSAI-t Miloslav Kala, me rastin e përfundimit të post Kongresit ka falënderuar mysafirët për pjesëmarrje, atmosferën miqësore dhe për ndarjen e njohurive.
Delegacioni i ZKA-së pritet në takim nga ambasadorja e Kosovës në Çeki
Gjatë qëndrimit në Pragë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtor është pritur në takim edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj Kapitaj.
Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar ambasadoren për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Në veçanti znj Spanca ka theksuar rëndësisë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje dhe peshën që ka EUROSAI si organizatë evropiane e ISA-ve në të cilën ZKA është anëtare e kësaj organizate, e mundësuar kjo edhe me ndihmën edhe të shtetit çek. Diplomatja kosovare e ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.